Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështjet civile nuk mund të kenë dënime penale, aq më tepër ato morale

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështjet civile nuk mund të

Ervis Iljazaj

Ndodh shpesh që në shoqërinë shqiptare një problemi të caktuar, apo një rast i cili krijon shumë zhurmë në media, si zgjidhje ti jepet një zgjidhje ekstreme, ndonjëherë edhe absurde. I tillë ishte dhe i rasti i mjekut  me tri gra, njëra nga të cilat minorene.

Si pasojë e disktutimeve të shumta që ky rast solli, qeveria shqiptare siç raportohet nëpër media ka përgatitur një projekt-ligj që dënon poligaminë me burg. Duhet theksuar që me burg dënohet poligamia dhe jo tradhtia siç është pasqyruar në mediat shqiptare. Pra martesa e shumëfishtë, si institucion i konceptuar nga ligjet shqiptare, edhe pse në këtë projektligj parashikohet dënimi me burg edhe në rast bashkëjetese.

Mirëpo këtu ka një problem thelbësor. Çështjeve civile, siç është martesa, po kërkohet ti jepet një dënim penal.  Diferenca midis të drejtës civile dhe asaj penale qëndron në faktin se e drejta penale ka si qëllim mbrojtjen e shoqërisë nga kriminaliteti nëpërmjet represionit të akteve kriminale dhe masave parandaluese. Ndërsa e drejta civile ka si qëllim rregullimin e marrëdhënieve njerëzore cilado qofshin ato, pronësore ose jo.

Në këtë kuptim  martesa përbën qartësisht rregullimin e marrëdhënieve njerëzore. Kodi i Familjes shqiptare, por edhe ligjet në fuqi e mbrojnë institucionin e familjes si një institucion i rëndësishëm për organizimin dhe funksionimin e shoqërisë. Në këtë kuptim, parashikohen detyrime të secilës palë që kërkon të lidhet në një martesë me një person tjetër. Dhe kushdo që i shkel këto detyrime, merr përsipër kostot apo dëmshpërblimet sipas rastit.

Legjislacioni shqiptar është i qartë në këtë drejtim. Madje me ligjet në fuqi ndalohet edhe bigamia apo poligamia. Problemi është se prishjes së kurorës familjare, e cila qartësisht ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore, pra civile, kërkohet që ti jepet dënime penale. Një anomali shoqërore, ligjore dhe filozofike.

Të dënosh një person penalisht për një marrëdhënie civile, është ta detyrosh atë që ti qëndrojë asaj marrëdhënie. Si të thuash është një diktaturë sociale. Madje edhe më keq, një diktaturë morale.

Njeriu është i lirë të zgjedhë vetë moralin e tij dhe ta ndërtojë jetën e tij sipas asaj që ai mendon. Padyshim pa i shkaktuar dëm të tjerëve. Por kurrsesi nuk mund ta detyrosh ti qëndrojë parimeve morale të sjelljes njerëzore. Morali dhe sjellja e mirë janë bindje individuale që shoqëritë mundohen ti përsosin nëpërmjet kulturës dhe edukimit, e cila është përpjekje e vazhdueshme e saj.

Evitimi i fatkeqësive që sjellin rastet të caktuara, siç ishte ai i mjekut me shumë gra, nuk vjen duke kriminalizuar dhe duke dënuar penalisht moralitetin e secilit. Përkundrazi, kjo çon në një shoqëri jo të lirë dhe një paternalizëm absurd.

Zgjidhja e këtyre problemeve sociale dhe përsosja e një shoqërie vjen si pasojë e vlerave që përcjellin mediat, shkollat dhe  familjet. Pra të gjitha ato institucione sociale që e kanë për detyrë këtë gjë. Raste të tilla ka patur dhe do të ketë edhe në vazhdim. Këto janë efektet kolaterale që sjell liria e gjithsecilit. Por për të shmangur këto efekte nuk duhet të ndalojmë lirinë morale të kujtdo dhe të ndërtojmë një shoqëri të diktaturës sociale. Kjo do të ishte më keq se asgjë tjetër.

Prandaj ligjvënësit shqiptarë në vend që të propozojnë ligje absurde, bëjnë mirë të forcojnë institucionet sociale nëpërmjet ndihmës financiare, përsosjes së shërbimeve  dhe të ndërtojnë një shoqëri ku gjithsecili të ndihet i përfshirë dhe autonom në edukimin dhe zgjedhjen e tyre për jetën. Aq me tepër të forcojnë institucionet dhe mundësitë që gratë shqiptare të ndihen të barabarta, të ndihmuara dhe autonome në lirinë e tyre. Nëse e bëjnë këtë, e kanë kryer funksionin e tyre. Të gjitha masat e tjera, janë masa absurde dhe në një fare mënyrë populiste që nuk i duhen askujt.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH