Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Bashkimi i opozitës vlen vetëm nëse është cilësor

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Bashkimi i opozitës vlen vetëm nëse

Ervis Iljazaj

Për dy vite me radhë ‘’rithemelimi’’ i drejtuar nga Sali Berisha i ka mëshuar faktit se ata janë shumica brenda Partisë Demokratike. Apo se ata janë "opozita e vërtetë’’. Që në vetvete është një non sens logjik, pasi ose je opozitë ose nuk je. ‘’Opozitë e vërtetë’’ nuk ka asnjë lloj kuptimi në konceptin politik të fjalës. Megjithatë, përtej retorikës, kali i betejës se Berishës dhe ndjekësve të tij kanë qenë pikërisht numrat. Madje shumica e atyre deputetëve që braktisën Bashën për të shkuar te Berisha, e bënë me jusfitifikim se atje gjendeshin shumica e demokratëve. Një argument absurd në vetvete, jo sepse te Berisha nuk ishte shumica e demokratëve pasi edhe mund të jetë kështu, por sepse çdo politikan apo depuetetë qoftë, ka një mendim të tijin personal dhe disa parime të cilat i zbaton, pavarësisht nëse shumica mendon njësoj ose jo.
Shumica pretj tyre shkuan te Berisha jo sepse besonin në ndonjë kauzë. Madje disa pretj tyre që sot janë me Berishën kanë qenë kundërshtarët me të egër të tij. Retorika e tyre kundër Berishës ka qenë edhe më e ashpër se sa ajo e Bashës vetë. Ata zgjodhën këtë rrugë për një kalkulim të thjeshtë politik, duke qenë se në mëndjen e tyre kishin më shumë mundësi për tu zgjedhur deputetë në listën Berisha pasi atje gjendet shumica.
Problemi me këta politikanë, apo me ‘’rithemelimin’’ në tërësi është pikërisht ky fakt. E gjitha beteja e tyre ishte bazuar në numra dhe argumenta sasior. Asnjë diskutim qoftë nga ata , qoftë nga mediat në përgjithësi nuk është bërë mbi cilësinë e opozitës. Sepse të jesh opozitë, apo ‘’opozitë e vërtetë’’ nuk është apriori një status moral. Çështja është çfarë opozite? A je opozitë fituese apo humbëse?
Sepse opozita ka lloje të ndryshme. Opozitë është dhe Partia Komuniste me këtë qeveri, por çfarë na duhet kjo lloj opozite. Opozitë mund të jesh vërtetë, madje edhe opozita kryesore, por kur je një opozite e cila është e izoluar totalisht nga Perëndimi , çfarë vlerë ka për demokratët dhe Shqipërinë?
Mund të kesh edhe një lider të fortë, i cili ka popullaritet, por nëse lideri është i shpallur non grata nga dy vëndet aleate të Shqipërisë, ardhja në pushtet bëhet e pamundur, ashtu sikurse po tregojnë ngjarjet.
Në këtë kuptim, diskutimi mbi bashkimin e opozitës që është hedhur si ide në këto ditë, duhet të ketë parasysh cilësinë e saj, dhe jo sasinë. Bashkimi i opozitës duhet të vijë si pasojë e një refleketimi të thellë dhe jo thjesht si një retorikë politike , që duket më shumë si një strategji nga ata që e propozojnë dhe jo një kërkesë e sinqertë.
Sigurisht që vendi ka nevojë për një opozitë të bashkuar, por të bashkuar rreth parimeve dhe vlerave që ajo duhet të mbart. Diskutimi i vetëm që bëhet deri tani mbi bashkimin e opozitës, se njëra palë duhet të shkojë te pala që ka shumicën është një diskutim që nuk asnjë vlerë për të ardhmen e saj.
Çështja e Partisë Dmokratike dhe opozitës në tërësi, duhet të kalojë nga numrat te idetë. Idetë , cilësia e saj janë ato që e bëjnë një opozitë fituese. Sepse cilësia është në vetvete sasi. Sasi në kuptimin e elektoratit dhe votave, jo në kuptimin e disa burrave që bashkohen. Ky është një bashkim mekanik i disa njërëzve thjesht për të ruajtur statusin e personazheve të caktuara. Por nuk sjell asnjë të mirë për opozitën dhe Shqipërinë në tërësi.
Prandaj bashkimi i opozitës dhe disktutimi mbi të, duhet të ndryshojë termat e refenencës. Nga sasior në cilësor. Dhe me këtë lidership që ka foltorja sot, fatkeqësisht nuk gjendet asnjë cilësi. Dhe me e keqja është se vashdojnë akoma të mos kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë, se ajo frymë dhe ajo lëvizje politike tashmë ka kapitulluar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH