Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Anti-amerikanizmi është anti-shqiptarizëm

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Anti-amerikanizmi është

Ditën e djeshme vizitoi Tiranën kryediplomati i botës, Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken. Një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por fatkeqësisht edhe kjo vizitë kaq domethënëse u shndërua në fshatin tonë mediatik si një vizitë e cila do të ndikonte fatet e politikës tonë të brendshme.
Një mediokritet i pashoq për peshën e madhe që ka në aspektin gjeopolitik, fatet e Shqipërisë, sigurinë tonë dhe të rajonit.

Kam përshtyjen se shumë nga ata që përbëjnë opinionin publik në Shqipëri, as nuk e kanë perceptuar dot rëndësinë e vizitës së Sekretarit të Shtetit Amerikan në vendin tonë. Në vend që të ndiheshim të privilegjuar që Shtetet e Bashkuara zgjedhin Shqipërinë për një takim të tillë dhe jo një vend tjetër të rajonit, shumëkush arriti deri në absurditetin e telendisjes dhe qesharakizimit të kësaj vizite. Një çmenduri kolektive duke u nisur thjesht nga interesa meskin të brendshme politike.

Dhe për interesa të brendshme politike, u arrit deri aty sa Sekretari Blinken, administrata e Deparatamentit të Shtetit të kritikohej, të akuzohej për korrupsion apo për qokë ndaj politikanëve të caktuar në Shqipëri. Ta reduktosh këtë vizitë në interesa të vogla të brendshme të Shqipërisë, në rastin më të mirë duhet të jesh injorant, në rastin më të keq të mos kesh përzemër fatet e vendit tënd.

Ka kohë në fakt që për interesa të catuara politike në Shqipëri është ngritur një frymë anti amerikane, me kritika, akuza apo me retorikë baltosjeje ndaj institucioneve të Shteteve të Bashkuara. Duke krijuar kështu idenë se Shqipëria nuk ka nevojë për Amerikën, se Amerika ka interesat e saj dhe ne duhet të shikojmë interest tona. Kjo është e vërtetë, por akoma nuke kanë kuptuar, ose më saktë bëjnë sikur nuk e kuptojnë, që interesat e ShBA në rajon janë dhe interesat e Shqipërisë. Kështu ka qenë historikisht, dhe kështu do të jetë.

Çdo rrugë tjetër është një qorrsokak që nuk dihet ku na çon. Nuk është nevoja të përmendësh se çfarë të mire ka sjellë kjo alencë për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, për të kuptuar se marrëdhënia më Shtetet e Bashkuara është jetike për ne dhe për të gjithë shqiptarët kudo ata jetojnë.

E njëjta gjë ndodhi dhe me vizitën e Blinken. Fatkti që ai takoi Edi Ramën dhe për të cilin tha disa fjalë kortezie, ashtu siç ndodh shpesh në takime diplomatike, u ngrit një tymnajë kundër Sekretarrit të Shtetit. E quajtën të korruptuar, të kapur, mbështetës të regjimit autokratik në Tiranë e absurditete të tilla si këto.

Dhe këto, jo se vërtet mendojnë kështu, sepse e dinë fare mirë që pushteti i Edi Ramës nuk varet nga vizita e Blinken, siç nuk janë ndikuar pushtetet e Kryeministrave të tjerë nga vizita të tilla. Por thjesht për faktin se adminstrata e Blinken ka shpallur non-grata Sali Berishën. Dhe për të mbrojtur Berishën tashmë kanë filluar të sulmojnë Amerikën me lloj lloj marrëzirash. Deri sa kanë krijuar një opinion anti amerikan të rrezikshëm në Shqipëri, thjesht për interesat e një personi të vetëm. Një miopi politike e cila nuk gjen arsye për ta shpjeguar, përvçse me mendjegushtësinë e tyre që i përhapin këto teza.

Këtë lloj anti amerikanzimi, të cilin nuk kanë as kurajo ta shprehin hapur, me përjashtim të ndonjë zëri publik, por thjesht si kritikë ndaj një administrate të caktuar, e bëjnë në emër të mbrojtjes medemek të demokracisë. Dhe më e çuditshmja, mbrojnë medemek demokracinë, duke mbrojtur politikanë të cilët janë shkaktarët kryesorë të dëmtmit të demorakcisë shqiptare, të cilët kanë 35 vjet në pushtet dhe kërkojnë të rrijnë akoma dhe 35 të tjera. Një kontradiksion logjik i tmershëm.

Fshati ynë i vogël i botës e kujtojnë ShBA-në si Shqipërinë, ku institucionet lidhen me personat, ku politika mund të ndikojë fatin e një gjyqi, ku interesat e tyre kombëtare dhe gjeopolitike varen nga Edi Rama apo Sali Berisha, ku nëse ikën Biden dhe vjen Trump, interesat dhe politika e jashtme amerikane mund të ndryshojnë tërësisht.

Ndoshta nga injoranca, ndoshta nga interesat meskine të vogla të brendshme, ndoshta pa dashje, por anti-amerikanzimi të cilin propagandojnë është antishqiptarizëm i pastër. Sepse s’ka dyshim, që të ngresh këtë tymnajë anti-amerikane në opionion publik shqiptar është të jesh kundra interesit kombëtar.

Tingëllon budallallëk edhe për interesat e opozitës. Të mundohesh të rrëzosh Ramën me antiamerikanizëm është marrëzi në Shqipëri, në vëndin më pro amerikan të Ballkanit. Kjo nuk ka shans të ndodhë. Madje as nuk duhet të ndodhë, nësë është një opozitë antiamerikane.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH