Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A rrezikohet drejtësia e re nga marrëveshja Rama-Berisha?

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A rrezikohet drejtësia e re nga

Ishte e çuditshme se si në vitin 2016 parlamenti shqiptar votoi me unanimitet Reformën në Drejtësi. E çuditshme për faktin se ajo ishte një drejtësi, e cila presupozohej që do të hetonte klasën politike  e cila e votoi. Dukej si një akt mazokist nga politika shqiptare të ngrinte organe të reja të drejtësisë, të cilat do të merreshin me korrupsionin 33 vjeçar në Shqipëri. Dhe në fakt, korrupsioni ka qenë i madh. Kështu të paktën perceptohet nga opinioni publik shqiptar dhe nga të gjitha raportet që janë zhvilluar nga organizata të besueshme ndërkombëtare.

Është e qartë se politika shqiptare e votoi Reformën në Drejtësi, nën presionin e hapur amerikan dhe ndërkombëtar. Të gjithë i mbajnë mend mesazhet që ish Ambasadori Amerikan Donald Lu i dërgonte deputetëve të parlamentin për të votuar reformën.

E megjithatë, edhe pse nën presionin amerikan, klasa politike e Shqipërisë nuk mund të ishte aq vetë-flijuese sa të miratonte një reformë të tillë që do përdorej kundra saj. Shpresa e saj ishte pikërisht deformimi i reformës gjatë rrugës dhe gjatë aplikimit të saj.

Dhe kështu ndodhi. Opozita shqiptare e bojkotoi Reformën, ndërsa mazhoranca duke qenë se ishte e vetmja forcë politike në tryezë u mundua të ndikonte te organet e saj, dhe ndikoi. Mungesa e fazës tranzitore e drejtësisë dhe mungesa e njërës nga palët politike bëri që kjo reformë në shumë pjesë të saj të mbushej me politicitet.

Nuk ka dyshim se në ndërtimin e organeve të reja, Partia Socialiste ka dorën e saj te Reforma në Drejtësi. Por përtej këtij ndikimi, ShBA dhe BE arritën që të ngrinin organet e reja të drejtësisë, sidomos SPAK. I cili megjithëse përpjekjen e vazhdueshme të pushtetit për ta ndikuar, ka arritur të mbajë një lloj pavarësie me mbështetjen  amerikane. Dhe shenjat e kësaj pavarësie i ka dhënë kohët e fundit me hetimet që ka kryer në nivele të larta të pushtet, si asnjëherë tjetër në 34 vite pluralizëm në Shqipëri.

Është e qarte se më gjendjen ku ndodhet pushteti dhe opozita sot, i vetmi kundërshtar politik i Edi Ramës dhe qeverisë së tij është SPAK. Nëse vazhdon me ritmet që na ka mësuar kohët e fundit, SPAK realisht mund të jetë problem kryesor i pushtetit të Edi Ramës. Në këtë kuptim lipset një frenim i punës së tij. Për ta bërë këtë, Rama dhe pushteti ka nevojë për aleatë politik. Dhe i vetmi aleat që është hapur kundër SPAK dhe drejtësisë së re, është Sali Berisha.

Të dyve i intereson që drejtësia e re të stopojë dhe të deligjitimohet. Nëse nuk e bëjnë dot duke prishur organet e reja, atëherë mbetet që frenimi ndaj SPAK të bëhet në parlament. Si për shembull duke ndryshuar kodin penal, apo duke ndryshuar ligjet organike të organeve të reja të drejtësisë.

Nuk dihet ende nëse marrëveshja e re Rama-Berisha ka si tabelë qitjeje pikërisht drejtësinë e re. Por rreziku qëndron. Sa herë që politika e vjetër është bërë bashkë dhe ka bërë marrëveshje jo transparente, kjo marrëveshje ka qenë në kurriz të demokracisë dhe drejtësisë.

Nga marrëveshja e fundit, e para që sakrifikoi ishte Reforma Zgjedhore. Tashmë është e qartë se lista të hapura nuk do të ketë, sistem proporcional kombëtar dhe votë të diasporës jo e jo. Sepse Reforma Zgjedhore do të miratohet në komisionin e ligjeve pas dështimit te komisioni i posaçëm të Reformës Zgjedhore. Madje nga kjo marrëveshje ka një çudi shqiptare. Është shpikur një nën komision që do të merret me Reformën  Zgjedhore dhe me të gjitha ligjet e tjera që kërkojnë 84 vota. E rreziku më i madh është pikërisht ky nënkomision. Edi Rama mund t’i gjejë kollaj 84 vota sa herë të dojë, por miratimi dhe ndërhyrja në ligjet organike me ‘’opozitën e vërtetë’’ do ti legjitmonin më shumë këto ndryshime. Do të dukeshin si ndryshime bi-partizane. Pse jo, në fund të fundit, askush nga sistemi politik 33 vjeçar nuk kërkon as ndryshim politik, dhe aq më tepër vazhdimin e punë së SPAK.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH