Intervista “bombë” e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia nuk ngriti kurrfarë dallge në pallatet politike të Tiranës. Sakaq ajo po kalon pa jehonë edhe në opinionin e gjerë publik.
Njerëzit prisnin që ish-ministri i trefishtë dhe numri dy i qeverisë socialiste të Edi Ramës të hidhte dritë në prapaskenat e korridës qeveritare për aferat korruptive në hetim apo në radhë; të sillte fakte konkrete, të panjohura, nga ato që i dinë vetëm anëtarët e kupolës qeveritare ku ka bërë pjesë; të denonconte me indicie të verefikueshme skandale që për momentin u kanë shpëtuar radarëve të medias investigative, opozitës, hetimit penal.
Përse të mos u ngrihej mendja njerëzve sa kohë që ish zëvendëskryeministri kishte vendosur të fliste si akuzator nga një vend i sigurtë si Zvicra?
Në daljen e tij, Ahmetaj rikonfirmoi disa akuza të opozitës për aferën e inceneratorëve. Thënë nga dikush që ka qenë brenda qeverisë, ato kanë vlerë. Por në kushtet kur për aferën në fjalë po merren prej kohësh organet drejtësisë dhe thellimi i hetimeve për incerenatorin e Tiranës është në proces, impakti i përsëritjes se akuzave nuk ishte ai që do të kishte qenë nëse ish zëvendëskryeministri do të kishte folur më parë dhe jo nga arratia. Edhe si denoncim brenda llojit apo familjes politike, akuzat e Ahmetaj ishin shumë larg impaktit që ka patur në publik vidiopërgjimi i Ilir Metës nga ish Ministri i partisë së tij, Dritan Prifti, në vitin 2010.
Kryeministri Rama spërkatej aty këtu me fjalë, aludime e dyshime të vogla, të përgjithshme, pa ndonjë akuzë konkrete të drejtpërdrejtë. E vetmja shigjetë e qartë kundër Ramës ishte se kishte bashkëpunuar me Robespierin, domethënë me SPAK-un për hetimin e tij. Por kjo nuk mund të jetë akuzë, përkundrazi. Merret vesh se Ahmetaj ka dashur të thotë se Rama e ka SPAK-un vegël të tij, gjë që e thonë shumë politikanë në hetim apo që presin të hetohen, duke dashur t’i japin ngjyra politike përballjes së tyre me drejtësinë.
Për Erion Veliajn përseritet akuza e gjithë spektrit opozitar se është “pronari de fakto i inceneratorit të Tiranës”. I vetmi fakt që sjell Ahmetaj në mbështetje të akuzës në fjalë është se Erion Velia ka urdhëruar landfillin e Tiranës që x, y, kompani të mos paguajë. A nuk është ky veprim i një pronari faktik? pyet ai. Kaq e thjeshtë!
Shumë kanë pyetur gjatë javës pse nuk kanë reaguar Rama dhe Velia. Ka patur një potpuri përgjigjesh, të tilla se e shpërfillin Ahmetajn duke qenë i arratisur, se nuk duan t’i japim shkak të viktimizohet dhe t’i përdorë përgjigjet në funksion të synimit të tij për të marrë azil politik në Zvicër, se po presin të zërë vend gjëja pa të reagojnë, se nuk duan të përzihen në një çështje në hetim nga SPAK, se janë kapur mat e nuk kanë çfarë të thonë, e tjerë.
Në të vërtetë, duke mos injoruar asnjë prej përgjigjeve të mësipërme, duhet shtuar edhe një tjetër: nuk shihet të ketë akuza konkrete, të tilla që lidhen me administrimin e pushtetit dhe parave publike, të denja për t’u përgenjështruar publikisht, pa e ulur nivelin në muhabete të zakonshme.
Thellë-thellë, nëse ish kryeministri i rebeluar nuk ka asgjë tjetër për të thënë për zotin Rama apo për Velinë, ai, dashje pa dashje, u ka bërë një nder, i ka zbardhur në raport me çfarë thotë për ta opozita dhe media kritike. Ose s’ka parë e kuptuar gjë tjetër vërtetë, ose e ka mbajtur akuzën me qëllim në kufinjtë e diversionit dhe kërkon ndihmë nga Rama. I cili, në pikëpamje të leverdisë korente, fare mirë mund ta porosiste vetë një “sulm” të tillë nga ish-zëvendësi i tij.
Në të vërtetë predhat e Ahmetajt rrihnin mbi SPAK dhe kreu i tij, Dumani, të cilin, në referencë të njërit prej skifterëve me të egër të terrorit gjatë revolucionit francez të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, e quajti Robespierin e antirevolucionit të demokracisë! Në këtë pikë Ahmetaj, siç thuhet për këngën labe, ia pret Berishës që e quan SPAK-un organizatë kriminale, vegël të Ramës.
Është e drejta e çdo të akuzuari të ndërtojë një apologji dhe një strategji të mbrojtjes nga akuzat penale. Normale është që kjo mbrojtje të bëhet në vendin e duhur, në prokurori, në gjykatë. Sidomos nga zyrtarët e ish zyrtarë e lartë që duhet të japin shembullin e respektimit të drejtësisë. Aq më shumë kur e kanë votuar vetë pikërisht për të goditur korrupsionin e lartë. Por le të pranojmë se njerëzit mbrohen edhe nga arratia, prej nga mund të japin dëshmi e të denoncojnë fakte me rëndësi për të vërtetën. Sado që gjykimi i tyre në mungesë nuk mund të shmanget.
Thënë këto, apologjia e Ahmetajt, rrekej të ndryshonte natyrën e hetimit të tij nga SPAK, duke e quajtur hetim të jetës së tij. Në të vërtetë gjithë publiku ka parë se po hetohet hetohet pasuria e ish ministrit, që është një gjë krejt tjetër nga hetimi i palejueshëm i jetës private të personit.
Ishtë e pritshme që Berisha të entuziazmohej si askush tjetër nga intervista e Ahmetajt dhe të “paralajmëronte” Edi Ramën se do ta pësojë rëndë, së bashku me familjen e tij, në qoftë se Arben Ahmetajt i preket një fije floku. Disa muaj më parë e akuzonte se qëndronte prapa arratisjes së numrit dy të qeverisë, tani i vesh një akuzë që Ahmetaj e hedh në ajër pa adresim që ta kapin dhe përdorin të gjithë ustallarët e përsheshit politik dhe mediatik antiSPAK, me qëllim që njerëzit të kuptojnë sa më pak ose aspak nga ajo që po ndodh dhe ndëshkueshmëria ligjore në sferat e larta të paraqitet si gjueti shtrigash.
Në këtë pikë e gjithë kasta e korruptuar plurale solidare e tranzicionit e gjejnë njëri tjetrin në një skuadër kundër SPAK, duke investuar baltosjen dhe dekurajimin e tij, duke nxitur konflikte brenda përbrenda institucionit, duke ëndërruar e kërkuar “korridore” ligjore përmes të cilave mund t’ia përdredhin lozën, siç e themi në gjuhën popullore. Nga kjo pikëpamje, mund të shtohet edhe një përgjigje tjetër në potpurinë e përgjigjeve që janë dhënë se persë nuk kanë reaguar “të akuzuarit” e shumicës në pushtet.
Thellë-thellë, ndërsa janë gjuajtur me pambuk, atyre u vjen për hosh kjo që po bën Ahmetaj. Qëllimi është një për të gjithë: ti shpëtojnë ndëshkimit, të ruajnë të paprekur pasurinë e paligjshme, t’i paralizojnë Shqipërisë shpresën dhe instrumentin kryesor të daljes nga shtypja e pandëshkueshmërisë, si premisa e parë e ndryshimit.
Në këtë betejë “të shenjtë” Ahmetaj shfaqet si një luftëtar i radhës së parë. Ai u qan hallin të dënuarve dhe të hetuarve të tjerë nga grupi i ish zyrtarëve të lartë. Sipas mediave, ai i ka paguar një kompanie lobimi 150 mijë dollarë për ta shtrirë goditjen në burim, në SHBA, atje ku është konceptuar dhe ka marrë e merr mbështetje SPAK dhe drejtësia e re. Punë tjetër do t’i bëjnë punë apo do t’i shkojnë dëm këto para. Mbrojtja i justifikon të gjitha! Sidomos kur është shumë më shumë se thjesht për vete.
Por beteja ka gjithmonë dy palë. SPAK dhe drejtësia e re kanë gjithçka që u duhet jo vetëm për të mos u mposhtur, por dhe për ta mposhtur të keqen. Ata kanë me vete mbështetjen e fuqishme të shumicës dërmuese të shqiptarëve, siç e dëshmojnë edhe sondazhet e ditëve të fundit të Institutit Republikan Amerikan dhe të Report TV. Në respekt të publikut dhe të standardeve të komunikimit, SPAK duhet të konsiderojë daljen me një deklaratë për atë se kush janë pronarët e vërtetë të Inceneratorit të Tiranës në këtë moment. Njëherësh, të reagojë në lidhje me pohimet e Arben Ahmetajt se është kërcënuar me celular deri nga burgu. Mbrojtjen nga kërcënimet anonime e gëzojnë gjithë njerëzit pa përjashtim, edhe kur janë të dënuar përjetë.
Ashtu siç nuk mund të ndërsehet “kap këtë”, “kap atë” nga zhurmuesit e lloj-llojshëm, SPAK do të vijojë të dëshmojë se kudo ka indicie dhe dyshime të bazuara për shkelje penale, nuk ka asnjë tabu dhe asnjë diferencim në hetimin e zyrtarëve të partisë në pushtet, deri në nivelin e Kryeministrit Rama apo kryebashkiakut Velia. Kështu do të bëjë për vete edhe atë pjesë të shqiptarëve që presin më shumë prej tij./Liberale.al/