Analizë

ANALIZË nga Ermela Kripa: Shkaqet dhe efektet e rënies së euros

Shkruar nga Aranit Muraçi

ANALIZË nga Ermela Kripa: Shkaqet dhe efektet e rënies së euros

ANALIZË nga dekania e Fakultetit Ekonomik në UET, Ermela Kripa, mbi zhvlerësimin historik të monedhës së përbashkët europiane, në prag të sezonit turistik

Ditët e para të prillit kanë shënuar nivelin më të ulët të këmbimit në treg për monedhën e përbashkët europiane, Euro. Kjo është rënia më e madhe që nga mbyllja e sezonit turistik prej vitit të kaluar.

Bazuar te të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë monedha evropiane është zhvlerësuar me gati 10% në krahasim me një vit më parë. Euro aktualisht po këmbehet 11 lekë më pak, krahasuar me vitin e kaluar, kur një euro këmbehej me 112 lekë. Ose e thënë ndryshe, në ditët e para të muajit prill të këtij viti euro këmbehej me 102.5 kundrejt lekut. Edhe me fillimin e këtij viti vërehet një zhvlerësim i mëtejshëm i euros me gati 3% krahasuar me këmbimin e euros në ditët e para të prillit të këtij viti. Ky mbetet një ndër nivelet më të ulëta të regjistruara në vendin tonë, për 2024-ën.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo rënie lidhet ngushtë me ndërhyrjet e Bankës Qendrore si dhe nivelin e lartë në qarkullim të euros prej turizmit gjithë-vjetor.
Sipas dekanes së Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Ermela Kripa, zhvlerësimi i euros në periudha të ndryshme të vitit, ka ndodhur për disa faktorë.
- “Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në zhvlerësimin e euros është fluksi gjithnjë e në rritje i valutës informale në treg, e cila rrit ndjeshëm ofertën e euros”- shpjegon ajo.
“Gjithashtu, një ndikim të rëndësishëm në zhvleresimin e euros, sidomos vitin e fundit ka pasur edhe rritja e numrit të turistëve të huaj. Tani ka turizëm çdo muaj të vitit jo vetëm në verë e dimër, prandaj mund të themi që nuk kemi të bëjmë me vetëm një ndikim sezonal të turizmit në zhvlerësimin e euros”- shprehet dekania e Ekonomikut në UET.

Ajo shton për “Liberale.al” se në këtë situatë, eksportet do të jenë më të kushtueshme, ndërsa importet nga eurozona do të kushtojnë më pak.
Më tej, në analizën e saj mbi situatën e krijuar me zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros në treg dhe forcimin e lekut, znj. Ermela Kripa i tha “Liberale.al” se “zhvleresimi i euros ka një ndikim negativ për individët të cilët paguhen në euro apo ato familje që jetojnë me remitanca. Gjithashtu, eksportuesit janë ndër subjektet të cilët po preken më së shumti nga zhvlerësimi i euros, duke shtuar këtu edhe shtimin e kostove për mungesën e fuqisë punëtore.”

“Por, zhvlerësimi euros ka edhe disa efekte pozitive për ekonominë shqiptare”, - thekson në analizën e saj, znj. Kripa. - “Së pari, ajo ndikon në nivelin e borxhit publik, pasi forcimi i lekut bën që të ulen kostot e shërbimeve të borxhit në valutë. Gjithashtu, një tjetër kategori që përfiton nga zhvlerësimi i euros janë importuesit të cilët po i blejnë produktet e tyre gjithnjë e më lirë.“

Forcimi i Lekut po mbështet rënien e inflacionit, që në muajin mars zbriti në 2.3%, niveli më i ulët që prej vitit 2021. Banka e Shqipërisë në raportin e saj vjetor shpjegon se zhvlerësimi i euros nga të gjithë analizat vjen vetëm bazuar mbi rritjen e vëllimit tregtar dhe përmirësimit të disa faktorëve të ekonomisë, siç janë rritja e investimeve të huaja, remitancave dhe prurjeve nga turizmi.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH