Editorial

SHËNIM i Liberale: Kjo kombëtare premton të na çojë në botëror

Shkruar nga Liberale

SHËNIM i Liberale: Kjo kombëtare premton të na çojë

Duke parë se si e shtypi Italinë, frika se Spanja do të na bënte keq ishte e madhe. Kush ka parë fitoret e saj  tenistike e ka një ide sa të pamëshirshëm janë kur të vënë poshtë. Gëzojnë, fluturojnë, qeshnin edhe për golin e dhjetë. Hëm si fëmijë, hëm si kanibalë. Mos u rënsh në duar!

Kombëtarja jonë u përball me ta me një dinjitet më të madh se kombëtarja italiane. U pa që në fillim se do ta vuante presionin, por lojtarëve tanë nuk u dridheshin këmbët. Përkundrazi, imponuan nëpër fragmente të lojës një ndeshje të hapur deri në fund, e shtynë dhe e mbyllën Spanjën disa herë në gjashtëmbëdhjetëshen e tyre, e zvogëluan, e  shkurorëzuan si favorite pa rivalë. Kuq e zinjtë iu afruan barazimit më shumë se spanjollët golit të dytë. Furia e kuqe në epilogun e ndeshjes ishte skuadra jonë.

Spanja hodhi në fushë ekipin e dytë? Nuk ka ekip të dytë në kompeticione kësisoj. Ka një kombëtare me dyfishin e lojtarëve që zbresin në fushë.

Shqipëria humbi me kokën lart me një rezultat të ngushtë. Përtej kësaj humbjeje, tifozeria dhe sportdashësit shqiptarë në të katër anët e globit panë të ngrihet sipari i një ëndrre të re, më të madhe: të marrjes pjesë për herë të parë në një botëror të futbollit, siç është ai që do të zhvillohet pas dy viteve në SHBA.

Një ëndërr-mundësi, që na e bënë të prekshme dhe realiste paraqitjet dinjitoze të Kombëtares në këtë europian kundër skuadrave të lavdishme, potencialet  e pashfaqura ende të lojtarëve më të talentuar për shkak të moshës së tyre të re dhe eksperiencës akoma modeste ne kompeticione të nivelit të lartë.   

Mosha vjen vetë, eksperienca fitohet. Mitaj, zbulimi i madh i këtij europiani, vetëm do të rritet; Broja, vetëm 21 vjeçar, do të rifitojë kreshpërimin e startit prej ylli, pas  dëmtimeve që e kanë lënë jashtë fushe gjatë dy viteve të kaluara; Asllani, regjisori  i talentuar vetëm 22 vjeçar, do  të  jetë një emër më i madh i futbollit kombëtar e ndërkombëtar;  Hoxha do të marrë jo vetëm minutat e munguara që na privuan nga fitorja me Kroacinë dhe do na kishin çuar në barazim me Spanjën, por  më shumë se kaq, minutat e titullarit të jashtëzakonshëm në anën e djathtë të sulmit; Muçi, Asani, Daku…të gjithë kanë potenciale për t’u rritur; lojtarët me përvojë të madhe si Gjimshiti apo Strakosha, shtyllat e mbrojtjes, janë në moshë për të shkëlqyer në nivele më të larta në  kualifikueset për në botëror.

Lojtarët janë. Stafi teknik me Silvinjon në krye është. Tifozeria si asnjëherë tjetër.

Përse të mos ëndërrojmë e besojmë?

Gazeta Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH