Editorial

ANALIZË nga Preç Zogaj: Verdikti popullor që ka parakaluar drejtësinë

Shkruar nga Preç Zogaj
ANALIZË nga Preç Zogaj: Verdikti popullor që ka parakaluar
Preç Zogaj

Në përballjen ende në distancë me drejtësinë Sali Berisha nuk po arrin të ndezë një masë kuptimplotë  mbështetësish me kushtrimet e  tij.  Dhe  as të  mallëngjejë, si dikush që arrin t’i shndërrojë në empati publike aksidentet e fatit, rënien apo  rrezimin nga piedestali.

Duket qartë se miratimi i veprimeve të SPAK,  qëndrimi mënjanë apo keqardhja e heshtur e shumë prej mbeshtetësve janë për ish presidentin dhe ish kryeministrin verdikti publik që ka parakaluar drejtësinë. 

Pse kjo? Mirë kundështarët dhe qytetarët e pa angazhuar e bejnë veshin e shurdhër me thirrjet për derdhje në sheshe e mosbindje civile të Berishës! Po mbështetësit e zakonshëm pse janë të mpirë e të tërhequr si kurrëndonjëherë?

Arsyet janë  shumë dhe të llojllojshme. Por mund të përmblidhen edhe në një fjalë të vetme. Që është vetë fjala arsye. Pra arsyet janë arsyeja. 

Njerëzit kanë pikpamje, sensiblitete, shije, vizione, histori të ndyshme. Ata marrin anë. Ndodh edhe të fanatizohen pas kultit të kryetarit. Por mbetet gjithnjë një emërues i përbashket arsyeje në diversitetin e tyre, madje edhe në armiqësitë e tyre. Në thelb ata nuk janë  kukulla, as dele. Sado  që  të dehurve  dhe  mendjeprishurve nga pushteti  u duken të tillë. E bukura e kesaj historie është se sa  më shumë u duken të tillë, aq më shumë fillojnë t’i humbasin.  Sepse, si gjithçka tjetër, edhe fanatizmi dobësohet e zhduket nga teprimi.

Berisha injoron gjithë kontekstin kohor, kombëtar  e  ndërkombëtar të reformës në drejtësi që po kërkon të ngulisë parimin  “askush mbi ligjin”.  Ai u thotë ndjekësvë të tij se po e heton Rama për hakmarrje politike ngaqë  është tmerruar nga fuqia e Sali Berishës. 

Kemi në historinë tonë një prededent ku fuqia  politike në ekspansion e një force  politike opozitare është bërë shkas për arrestimin dhe  burgosjen e liderit të saj. Është rasti i kryesocialistit Fatos  Nano  në vitin 1992. Vetëm tre muaj pas instalimit në pushtet të Partisë Demokratike me një shumicë dërmuese deputetësh e votash, Partia Socialiste  u rrit me mbi njëzet perqind në zgjedhjet vendore. PD u zvogëlua po aq, një rrezultat që për kohën e shkurtër në të cilin u shënua do të çorodiste çdo “laborator” politologjie  të botës. Në fakt, PS-në e  pati rritur kaq  shumë dhe kaq shpejt qeverisja e PD-së.  Fatos Nano  u burgos pas një viti, por kjo nuk e pengoi PS dhe opozitën të fitonte thellë referendumin kushtetues të vitit 1994.

Ku jemi tani? Sali Berisha ka udhëhequr në zgjedhjet vendore të 15 prillit të këtij viti humbjen me të thellë që ndonjë opozitë ka rregjistruar në  historinë e zgjedhjeve shqiptare. Rënia e tij dhe e Rithemelimit që drejton ka vijuar dhe vijon. E  tregojnë të gjitha sondazhet jo partiake. Sipas sondazhit të  fundit të  Eduard Zaloshnjës  për televizonin “Report TV” (Të përsërisim se Zaloshnja i ka gjetur sistematikisht rrezultatet  e zgjedhjeve në Shqipëri  me një marzh gabimi 2 deri në  3 përqind, çfarë i ka dhënë besueshmërinë që ka sot), në vend të parë në opozitë janë votuesit që nuk janë as me Rithemelimin në vend  të dytë, as me PD-në zyrtare më vend të tretë. Gjë që fotografon një tabllo të fragmentimit  dhe përçarjes opozitare ku nuk ka një shef të saj në kuptimin që të ketë mbeshtetjen apo njohjen si të tillë nga gjithë spektri opozitar. 

Për çfarë  të tmerrohet  Edi Rama në  këto kushte, me këtë humbje, rënie dhe përçarje të pashembullt opozitës? Kush përveç budallenjve e beson këtë?  Nëse huazojnë  fjalën “i tmerruar ”,  Rama ka arsye të ndihet i tillë për një arsye tjetër: “Askush mbi ligjin” po troket përditë në dyert e kabinetit të tij. Le ta stërzmadhojë Berisha sa të mundet si gogol për nevoja propagandistike. Le ta bëjë më të madh se SHBA e BE-në! Logjika elementare nuk e përtyp më këtë.   

T’i kapëpërcejmë arsyet e tjera se përse njerëzit në nuk po derdhen shesheve e rrugëve të Shqipërisë siç i thërret apo i imagjinon ish kryeministri. Të rrimë tek e fundit që është edhe kryesorja:  Njerëzit mezi kanë pritur që drejtësia të guxojë të hetojë e gjykojë zyrtarë dhe ish zyrtarë të sferave të lartë. Ata e kanë  të qartë dëmin që do t’i bënin  demokracisë dhe vetes se tyre nëse do tu bëheshin barrrikadë hetimit, drejtësisë. Ndaj e  kanë zgjidhur  drejt e thjeshtë:  dejtuesit, cilëdo qofshin, ta bëjnë betejën me drejtësine aty ku bëhet kjo betejë: në gjykatë. Drejtësia është me katër shkallë  bashkë me Gjykatën e Strasburgut. Vetë publiku i lirë është një shkallë e pestë, që kërkon ndëshkueshmërinë e fajtorëve dhe mbështet pafajësinë e jo fajtorëve. Në gjykatë. Jo gjetkë. Jo në foltore a sheshe. Nga kjo pikëpamje, “shkalla e pestë” ka folur para katër shkallëve të tjera edhe për Berishën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH