Aktualitet

OKB: Numri i viktimave nga vërshimet në Derna arrin në mbi 11 mijë

Shkruar nga Liberale
OKB: Numri i viktimave nga vërshimet në Derna arrin në mbi 11

Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare e Kombeve të Bashkuara tha se vetëm në Derna të Libisë si pasojë e vështrimeve numri i viktimave është rritur në rreth 11.300. Por, këto shifra janë kundërshtuar nga zyrtarët, të cilët kanë thënë se numri është shumë më i vogël.

Kjo agjenci e OKB-së tha se edhe 10.000 persona konsiderohen të zhdukur në Derna, ndërkaq 170 persona të tjerë kanë vdekur nga vërshimet në pjesë të tjera në lindje të Libisë.

“Këto shifra pritet të rriten pasi ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë pa pushuar për të gjetur të mbijetuar”, tha Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare.

“Numri zyrtar [i viktimave] publikohet nga agjenci të autorizuara nga autoritetet libiane”, shtoi ai.

Nga Libia kanë dalë shifra të ndryshme sa i përket numrit të viktimave. Ky shtet është i ndarë, me një administratë që qeverisë në lindje dhe një në perëndim.

Më herët gjatë kësaj jave, kryetari i Dernas tha se në këtë qytet mund të kenë vdekur deri në 20.000 persona. Por, të shtunën qeveria në lindje të shtetit tha se numri zyrtar i viktimave është 3.252.

Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pothuajse 4.000 persona të vrarë nga vërshimet janë identifikuar.

Kujtojmë se një stuhi e fuqishme goditi Libinë më 10 shtator. Stuhia e quajtur Daniel paraprakisht kishte goditur Greqinë, Bullgarinë dhe Turqinë.

Dy diga u shkatërruan në malet mbi portin e Dernas, duke bërë që uji të vërshonte mbi qytetin me rreth 100.000 banorë.

Si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore, disa organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, për shkak të kontaminimit të sistemit të ujit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH