Analizë

Nyja e Ballkanit për Evropën

Shkruar nga Liberale
Nyja e Ballkanit për Evropën

GIULIO TREMOMTI

 Sot, rropama e luftës në Ukrainë sundon heshtjen që mbështjell Ballkanin, por të dyja, ajo rropamë e ajo heshtje, janë njësoj të rëndësishme për Evropën, sot që historia është vënë në ecje me erëra luftërash që fryjnë nga lindja drejt perëndimit.

Ballkani, muri i jashtëm mbrojtës i Evropës, një trapez i gjatë më shumë se njëmijë kilometra e pak më pak i gjërë, një zonë gjeografike e pakalueshme, jo rastësisht Ballkan në turqisht do të thotë mal, e megjithatë vënd kalimesh e përplasjesh, kështu në shekuj fabrikohet historia. Kështu ka qënë edhe 900-ta, një shekull që ka filluar me "luftërat ballkanike", që kanë vazhduar me Sarajevon, e që kanë mbaruar me luftën e Jugosllavisë. Kjo qe një luftë vendore, por vetëm sepse BRSS qe sapo shthurur e Rusia nuk ishte shfaqur ende në qëndrimin e zotërimit. Duhet kujtuar se sidoqoftë ajo e Jugosllavisë ka qënë një rast tronditës i t’ashtuquajturës "të drejtë ndërhyrjeje", e zbatuar nga jashtë në kohët moderne, duke tejkaluar parimet shekullore të Augustës e të Westfalisë ("cuius regio, eius religio") ("e kujt është mbretëria, e atij është edhe besimi fetar").

Për të gjitha këto sot, edhe se në një dukje qetësie, shihet se e ardhmja e Evropës nuk është vetëm Ukraina, është edhe Ballkani, sepse nëse për Ballkanin Evropa është e rëndësishme, edhe Ballkani është i rëndësishëm për Evropën. E rëndësishme për Evropën që sot nuk mund të ndalet në Danub, përndryshe është Danubi ai që hyn çrregullisht n’Evropë.

Brënda Ballkanit numërohen sot shtatë Shtete: Sërbia, Bosnja, Herxegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Shtete që kanë sot të përbashkët vetëm një gjë: interesin për të hyrë në Bashkimin Evropian. Por për të tjerat, që kur nuk mbahet mënd, janë ndërmjet tyre të ndryshëm e shpesh kundërshtarë, për gjeografi dhe ekonomi, për kryqëzime prejardhjesh, gjuhësh e besimesh fetare.

Kryesisht për atë arsye, e jo vetëm për këtë arsye, që sot për të  futur Ballkanin në Bashkimin Evropian është aq e nevojshme sa dhe e vështirë, sepse nëse Ballkani priret të jetë i pështjelluar, Bashkimi Evropian është për hesapin e vet në të kundërt një makinë politike e sofistikuar e tejet e ndërlikuar.

Një shëmbull, për të filluar: nëse Ballkani futet në BE, njëzërësia sot e parashikuar për funksionimin e saj , kalon nga 27 në 34. Kjo nuk është vetëm një e dhënë numërash, sepse kështu ngrihet në shkallën më të lartë rreziku që të shfaqen ndikime të jashtëme – ruse, islamike, kineze – ndikime të tilla sa të paralizojnë proçeset vendim-marrëse në BE. E jo vetëm aq. Edhe sikur të mos mbajmë para sysh dhjetra kilometrat e "rregullave evropiane", që janë tashmë – lloji Bolkenstein – a mund të përfytyrohet seriozisht zotimi i Ballkanit për automobilin elektrik ose për shtëpinë e gjelbër, këto të fundit, por ide të ardhëshme "evropiane"?

Megjithatë historia mëson se të gjitha ndryshueshmëritë mund të kalohen nga Evropa me zgjuarsi e me durim politik. Në Pragë kançelari Scholz ka hapur bashkëbisedimin, në Strasburg presidenti Macron ka hamendësuar t’i shtohet asaj të BE një ingjinjeri e re më e lëvizëshme e më e rrjedhëshme institucionale evropiane, në Trieste presidentja Meloni ka folur për Ballkanin me një vështrim të madh. Të gjitha këto janë në drejtimin e duhur, të duhur për të shmangur që e paarsyeshmja të bëhet e vërtetë  e që e paarsyeshmja të jetë vdekjeprurëse.

/"Corriere della Sera", 28 shkurt 2023 - Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH