Aktualitet

Nxitimi i Metës për të shpallur fitoren në Gjykatën Kushtetuese

Shkruar nga Liberale
Nxitimi i Metës për të shpallur fitoren në Gjykatën

Nga Alfred Peza

Presidenti i Republikës është një njeri në hall, përderisa Parlamenti për herë të parë në historinë e Shqipërisë, ka votuar për shkarkimin e tij. Duke qenë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do thotë fjalën e fundit për këtë çështje, Ilir Meta po sillet publikisht sikur ka arritur një fitore paraprake. Sjellje tipike e fëmijëve që këndojnë me zë të lartë natën në pyll, për ti ekspozuar të tjerëve mungesën e frikës, ndërkohë që ajo sa vjen e u futet në placë.

Sot Kryetari i Shtetit ka bërë një postim në rrjetet sociale, në kulmin e reagimeve që provokoi kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për tiu drejtuar Komisionit të Venecias, në lidhje me procesin zgjedhor të 30 qershorit. Kjo është një çështje krejt tjetër, nga ajo që ka të bëjë me shkarkimin e Presidentit, por Ilir Meta po e përjeton sikur të ishte e njëjta. Jo më kot.

Duke dashur të krijojë iluzionin se Gjykata Kushtetuese po i jep të drejtë, për çdekretimin e datës së zgjedhjeve të 2019, ai po kërkon ta shesi këtë si qëndrim pro tij. Pro vendimeve të tij. Pro Presidentit të Republikës. Për rrjedhojë, edhe pro qëndrimit të tij në detyrën e Kryetarit të Shtetit deri në përfundim të mandatit të plotë, më 24 korrik të vitit 2022.

Këto dy çështje, zgjedhjet e 30 qershorit dhe shkarkimi i Presidentit, nuk janë e njëjta dosje. Nuk janë e njëjta gjë. Nuk janë e njëjta çështje. Por ato janë dy gjëra krejt të ndara e pa asnjë lidhje me njëra tjetrën. Por duke qenë se Komisioni i Venecias është shprehur njëherë më parë për zgjedhjet lokale, kjo kërkesë për herë të dytë, po lexohet si një provë se Gjykata po mban anën e opozitës në këtë histori.

Opinioni i dhënë kohë më parë nga Komisioni i Venecias, është i qartë si drita e diellit, se nuk kishte asnjë arsye kushtetuese që Ilir Meta ti çdekretonte zgjedhjet dhe se bojkoti i opozitës në këto rrethana, ishte i pajustifikuar e se mund të sillte pasoja të pariparueshme për sistemin demokratik. Ndaj procesi u konsiderua legjitim, sikundër edhe të zgjedhurit, në ushtrimin e funksioneve të tyre në pushtetin lokal.

Vetë Gjykata Kushtetuese është detyruar të bëjë një sqarim publik sot, në lidhje me arsyet që e kanë detyruar, të kërkojë opinion të ri Komisionit të Venecias. Ajo është vlerësuar si një çështje unike ndaj për gjykimin e saj me themel, u janë nevoitur sqarime të tjera, në mënyrë që vendimarrja finale të jetë sa më saktë dhe pa ekuivoke për të ardhmen. Por Ilir Meta këtë e ka lexuar si një vendim pro tij.

Presidenti shkruan në facebook, se pas çdekretimit prej tij të zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk do ketë më “kurrë më votime moniste në Shqipëri!” Në fakt është e kundërta. Për shkak të këtij akti të pashembullt, asnjë opozitë, parti e grupim politik, nuk do guxojë më kurrë ti bojkotojë zgjedhjet. Sepse përndryshe, do e pësojnë si PD dhe LSI, që prej më shumë se dy vjetësh nuk gëzojnë asnjë lloj pushteti në Shqipëri.

Ilir Meta nga njëra anë thotë se ka qenë kundër djegies së mandateve të deputetëve të opozitës, e nga ana tjetër thotë se është pro bojkotit të zgjedhjeve prej saj. Këtu qëndron kontradikta themelore në qëndimet e tij. Sepse në demokraci, ose do të jesh një lider pro sistem, ose do të jesh një politikan antisistem. Ndaj, edhe President i Republikës sonë, duhet ta ndajë mendjen.

Nëse je pro sistemit dhe për luftën politike brenda tij, je kundër djegies së mandateve të deputetëve dhe kundër rrugës së bojkotit të zgjedhjeve. Vetëm nëse je politikan antisistem, je edhe pro daljes nga Parlamenti, edhe pro mosfutjes së opozitës në zgjedhjet. Të thuash si Ilir Meta, që je edhe kundër djegies së mandateve edhe pro bojkotit, është një hipokrizi e madhe politike.

Megjithatë, asgjë nuk e shpëton dot Ilir Metën, nga përgjegjësia për shkeljet e rënda kushtetuese që ka bërë jo vetëm me zgjedhjet lokale të 2019 por edhe gjatë procesit për zgjedhjet parlamentare të 2021 dhe përgjatë ushtrimit të detyrës së Kryetarit të Shtetit.

Ilir Meta nuk mund të shesi sot si fitore, një çështje tjetër të Gjykatës Kushtetuese, betejën me të cilën ai e ka humbur njëherë në Komisionin e Venecias. Kjo lojë “kukafshehti”, nuk e shpëton dot, nga çështja e shkarkimit si Presidenti i Republikës!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH