Economicus

Numri i ri i Jus&Justicia/ A mundet të ofrohet drejtësi cilësore me gjysmën e numrit të gjykatave

Shkruar nga Liberale

Varja e pelerinave të zeza dhe bojkot të seancave gjyqësore ishin disa nga masat e avokatëve për të kundërshtuar Hartën e re të Gjyqësorit, propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë, që çon në mbylljen e disa gjykatave në rrethe.

Ky diskutim është edhe tema kryesore e revistës së re revistës shkencore Jus&Justicia, pjesë e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Europian të Tiranës.

“Sipas këndvështrimit të avokatëve, harta gjyqësore e propozuar rishtazi do të përkeqësonte situatën e tyre duke qenë se shërbimi i tyre do të përqendrohej në qendra të caktuara urbane. Ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë duket se mbështet draftin”, është e mendimit kryeredaktorja Juelda Lamçe, dekanë e Fakultetit të Drejtësisë në UET.

Procesi gjithëpërfshirës i riorganizimit dhe reformimit të Gjyqësorit si pjesë e një reforme të thellë të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, kulmoi me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në vitin 2016, duke synuar riorganizimin dhe nxitjen e institucioneve të sapokrijuara dhe ekzistuese të drejtësisë me qëllim rritjen e besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Harta e organizuar rishtazi pritet ndër të tjera të çojë në mbylljen e disa gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë, gjykatave administrative të shkallës së parë dhe gjykatave të apelit.

Propozimi është frymëzuar ndër të tjera nga ndikimi i procedurës së verifikimit në numrin e magjistratëve në shërbim,  kundrejt rritjes së ngarkesës së tyre si dhe shpërndarja e tyre në gjykatat ekzistuese në vend, duke synuar lehtësimin e përpjekjeve të tyre në dhënien e drejtësisë. Propozimi ka sjellë reagime të shumta si nga grupe interesi  të sistemit të drejtësisë, ashtu edhe nga publiku lidhur me ndikimin e pritshëm në drejtim të drejtësisë cilësore, efikasitetit, barazisë së aksesit në drejtësi, të hartës së reformuar të drejtësisë.

Nga njëra anë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë konteston hartën e sapokrijuar duke bërë që shumë prej anëtarëve të saj të bojkotojnë seancat gjyqësore, pasi harta e re gjyqësore duket se cenon dhe kufizon rëndë të drejtën për akses në drejtësi, si dhe përmbushjen e së drejtës. për mbrojtjen në procedimet penale, civile dhe administrative të të gjitha niveleve. Deri më tani, propozimet e organeve drejtuese të Dhomës/odave qendrore dhe lokale nuk janë marrë parasysh gjatë takimeve dhe diskutimeve të mbajtura në nivel kombëtar.

“Ajo që duket e rëndësishme është ndikimi i një propozimi të tillë për aktorët dhe përfituesit kryesorë të një reforme të tillë dhe realitetin e ri të pritshëm, përkatësisht qytetarët, për sa i përket aksesit të tyre të reduktuar apo  të rritur në drejtësi”, shkruan dekania Lamçe.

Ajo është e  bindur se propozimi i ri do të kërkojë kërkime të gjera dhe do të kontribuojë për të eksploruar dhe analizuar më tej sfidat e ardhshme për arritjen e ekuilibrit të duhur midis të drejtave themelore të palëve të interesuara dhe zgjidhjeve të propozuara nga organet e sapokrijuara të drejtësisë për një cilësi më të mirë, efikase, por më e rëndësishmja, drejtësi e arritshme për të gjithë.

Sipas pedagogut Besnik Maho, harta e  re e Gjyqësorit ka nevojë për një analizë të të gjithë faktorëve. Në artikullin e tij, ai ngre pyetjen nëse 12 gjykatat që do të mbeten, nga ky proces i reformimit të Gjyqësorit, përfshi dy gjykata administrative të shkallës së parë dhe një gjykatë apelit, do të kishin mundësi reale për të rritur cilësinë e aktivitetit gjyqësor, brenda një procesi të drejtë ligjor.

Kjo hartë e re, shtron zoti Maho, nuk duhet të vërë në rrezik aksesin e palëve dhe grupeve të interesit për një proces të drejtë dhe publikim nga një gjykatë kompetente, të pavarur dhe të paanshme , të caktuar nga ligji.

“Mungesa e burimeve në Gjyqësor, për shkak të vakancave me gjyqtarë dhe prokurorë që po krijohen aktualisht në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë, nuk mund të shërbejë si një justifikim për përqendrimin e gjykatave përmes një harte të re pa analizë të faktorëve të tjerë socialë dhe ekonomike, që ndikojnë në dhënien e një drejtësisë më efikase sesa nga ajo që kemi aktualisht”, shkruan ai.

Harta e re e Gjyqësorit do të sjellë pasoja edhe në zgjidhjet e mosmarrëveshjeve familjare, argumentojnë Juelda Lamçe dhe Arbesa Kurti, në artikullin e tyre, e para si pedagoge e Kodit  të familjes në UET dhe e dyta si avokate, në profesion dhe po ashtu pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë, në UT.

Për shkak të ndryshimeve politike, kulturore e teknologjike, që kanë prekur Shqipërinë prej vitit 1990, themeli i familjes është vënë n sfidë duke ndikuar në rritjen e mosmarrëveshjeve dhe një numër rastesh të paraqitur nga gjykata.

Nga ana tjetër procesi i vetingut në Shqipëri ka çuar në mbingarkesë të rasteve, shumica e të cilave janë procedura civile. “Riorganizimi dhe reduktimi i gjykatave do të ndikojë edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve familjare, sidomos tek ata që janë vulnerabil, në vështirësi ekonomike, individë me paaftësi, duke kufizuar de facto të drejtën e aksesit në gjykatë”, mendojnë dy autoret, të cilat marrin në analizë më të gjerë efektet që do të ketë.

Në një analizë të tranzicionit dhe progresit të Reformës në Drejtësi, pedagogu  i UET Shefqet Muçi, shkruan se sistemi i Drejtësisë i ndërtuar në Shqipëri është eksperimental dhe i pa hasur në asnjë vend, veçanërisht ato demokratike dhe nuk gjen mbështetje nga asnjë vend tjetër që po reformon drejtësinë.

“Si në çdo eksperiment, mund t’ia dalësh ose të dështosh”, thotë autori. Muçi mendon se  vlerësimi profeisonal i gjyqtarëve dhe prokurorëve i është besuar një trupi administrativ pa përovjë, me anëtarë anoniomë për sektorin e drejtësisë siç është rasti i KPK-së.

“Druaj se, me plotësimin e procesit të vetingut, që vijon ende, do të ketë nevojë për një tjetër  reformë në Gjyqësor, të paktën për të reduktuar numrin e strukturave ekzistuese”. Pedagogu përmend  fushatën për ristrukturimin e gjykatave të apelit, që synon të fokusohet në një të vetme në Tiranë,  të cilën e sheh si një “eksperiment” të bërë  më herët dhe që  ka dështuar,  si edhe në reduktimin e numrit të gjykatave të rretheve dhe atyre administrative të shkallës së parë.

Një tjetër artikull që gjen pasyqrim në këtë numër të ri të Jus&Justicia është Dhuna në familje në Shoqëri, punuar nga avokati Saimir Vishaj, kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë dhe pedagogu Besnik Maho. Sipas tyre, edhe ligji i adoptuar më 2006, mbi dhunën në familje, bazuar në traditën e vendeve europiane, ka mangësi dhe lë vend për diskutime.

Të tjerë artikuj në këtë numër përfshijnë  Dilema kushtetuese në kthimin e menjëhershëm të padive  nga Florjan Kalaja, Li Pendens në Kodin Procedural Civil Shqiptar në dritën e legjislacionit europian, punuar nga Renata Kau, Jonida Gjika, Pushteti kombëtar dhe sjellja e elitës politike me autorë  Bledi Lami dhe  Kristaq Xharo, ADR dhe Gjykatat Vendase në Shqipëri  nga Evelina Çela. Në këtë numër vjen një artikull nga Abla Xhaferi mbi Krizën  Lindore dhe Gjeorgjinë  dhe një recencë mbi librin “Përplasja e Madhe” e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, shkruar nga pedagogu Besian Zogaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH