Aktualitet

Nuk shleu dot kredinë për serat, vetëvritet 48-vjeçari në Roskovec

Shkruar nga Liberale
Nuk shleu dot kredinë për serat, vetëvritet 48-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Suk 1 të Roskovecit, ku 48-vjeçari, Florenc Cjapi i ka dhënë fund jetës. Burimet tregojnë se Cjapi ka qenë brenda në banesë ndërsa është vetëqëlluar me armë zjarri.

Dyshimet e para flasin për një vetëvrasje për shkak të borxheve që viktima kishte. Policia sqaroi se 48-vjeçari ka qenë në kushte depresioni dhe ngarkesë të rëndë psikologjike në momentin kur ka kryer aktin vetëflijues.

Edhe familjarët e tij kanë pranuar për policinë se 48-vjeçari kishte disa kohë me gjendje të ngarkuar psikologjike si pasojë e dështimit të prodhimit në serat që kishte investuar në tokat afër shtëpisë së tij.

Ai jetonte me gruan dhe ishte kthyer nga Italia ku kishte punuar atje prej disa vitesh. Pas rikthimit ata kishin vendosur të merren me bujqësi dhe konkretisht në kultivimin e serave.

Për këtë Florenc Cjapi dyshohet se ka marrë një kredi të cilën e ka pasur të pamundur ta shlyej, në kushtet kur prodhimi në serat e mbjella nuk e ka justifikuar investimin e madh të bërë prej tij.

Këtë lajm e konfirmojnë banorët e fshatit Suk ndërsa ende nuk ka pasur një reagim publik nga bashkëshortja e viktimës. Banorët kanë treguar se viktima njihet si një njeri punëtor dhe ruante marrëdhënie të mira me komunitetin e zonës.

Ata pohojnë po ashtu se kanë qenë në dijeni që i kurohej prej disa muajsh nga depresioni dhe kushtet ekonomike i ishin rënduar. Kjo situatë e ka gjetur të papërgatitur Cjapin pritshmëritë e të cilit kanë qenë të mëdha për shkak edhe të investimeve dhe punës së madhe që ka bërë me serat.

“Ata janë njerëz shumë të mirë, por u mbytën në borxhe. Mesa dimë Florenci prej disa kohësh kurohej nga depresioni. Këtë vit prodhimet që ai kishte prodhuar në sera janë shitur nën kosto, duke ia shtuar edhe më shumë borxhet, të blinte ilaçe apo të shlyente kredinë që kish marrë. Na ka ardhur shumë keq se ishte djalë shumë i sjellshëm dhe i mirë”, thotë një banor.

Ndërsa një tjetër thotë se atë e kanë ndihmuar të afërmit për ta marrë atë kredi sepse vetë nuk kishte mundësi.

“Sot dëgjuam të bërtiturat e të shoqes. Ata serat i kishin të mbjella. Njëra serë u dështoi dhe e shkulën. Di që ai ka marrë kredi, por jo me lekët e tij se nuk kishte, nuk di se kush e ndihmoi. ishte njeri i sjellshëm. Fëmijët i kanë në emigrim,” kanë thënë fqinjët për mediat./Panorama

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH