Kryesore

Nuk paskësh qenë e thënë që Shkodrën ta marrë Partia Socialiste

               Publikuar në : 09:53 - 14/08/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Shkodra ishte meraku më i madh personal i Edi Ramës. As në ëndrrat e tij më të mira nuk mund ta mendonte se partia që ai drejton, Partia Socialiste, do të qeveriste një ditë Shkodrën, bastionin e së djathtës dhe simbolin e antikomunizmit shqiptar. Shkodrën, Partia Socialiste mund ta fitonte vetëm nëse në zgjedhjet lokale nuk do të merrte pjesë Partia Demokratike dhe kështu ndodhi më 30 qershor. Si të thuash, ishte një dëshirë e plotësuar nga konteksti politik i Shqipërisë. Edi Rama, deri para disa ditësh, ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij. Mirëpo, nuk paskësh qenë e thënë që Shkodra, simboli i së djathtës, të qeveriset nga socialistët. Në fakt, është e pamendueshme se si një qytet historikisht i djathtë mund të qeverisej nga një socialist, aq më tepër në një palë zgjedhje pa garë politike. Kjo do të ishte e tepërt për qytetin e Shkodrës dhe qytetarët e saj.

Ëndrra socialiste për momentin ka mbetur në mes, pasi Partia Demokratike ka publikuar dokumente që vërtetojnë dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali. Në një reagim të tij, Edi Rama është shprehur se “deri sa të dalë e vërteta, Valdrin Pjetri nuk ka punë me Partinë Socialiste”. Është ende e paqartë se si do të zhvillohen ngjarjet në Shkodër. Por, me shumë gjasa zgjedhjet do të përsëriten, nëse vërtetohen plotësisht problemet që ka pasur Valdrin Pjetri në të shkuarën në vendin fqinj Itali.

Personalisht nuk e njoh Valdrin Pjetrin dhe nuk kam as më të voglën ide se çfarë personi është apo çfarë kryetari bashkie mund të ishte për Shkodrën. Për hir të së vërtetës, nga larg dukej një djalë i qetë dhe serioz, i cili nuk ta jep përshtypjen si një person që mund të ketë probleme me ligjin. Megjithatë, fakti që Shkodra mund të qeverisej nga Partia Socialiste, kundër vullnetit të pjesës dërrmuese të qytetarëve të saj, ishte një fakt ulëritës dhe i papranueshëm.

Shkodra dhe kryetarja e saj e bashkisë, Voltana Ademi, kanë qenë gjatë muajve të fundit simboli i betejës së opozitës dhe kauzës së saj. Zonja Ademi ishte ndoshta kryetarja e bashkisë që qeverisej nga Partia Demokratike më aktive në mediat shqiptare. Jo vetëm për faktin se Shkodra është një qytet i madh dhe i rëndësishëm i Shqipërisë, por edhe për arsyen se është qyteti simbol i së djathtës dhe vështirë së qytetarët e saj do të pranonin qeverisjen e Shkodrës nga një kryetar i majtë. Jo më kot, Partia Socialiste e di mjaft mirë se konteksti kulturor dhe shoqëror në Shkodër nuk mund të anashkalohet aq lehtë.

Si për ironi të fatit, megjithëse Shkodra po shkonte drejt ngjyrave socialiste, kundër çdo parimi dhe historie të saj, problemet me ligjin të Valdrin Pjetrit e kanë kthyer edhe njëherë qeverisjen e Shkodrës në diskutim. Tanimë hapet një shteg i ri politik për Shkodrën dhe ndoshta edhe për të gjithë Shqipërinë. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë.

E vërteta është se, tani do të duhet të zhvillohet një garë tjetër për qeverisjen e Shkodrës, në të cilën mund të marrin pjesë edhe forca të tjera. Dhe jo vetëm për kryetarin e bashkisë, por për të gjithë këshilltarët bashkiakë. Është absurd politik të mendosh se mund të përsëriten zgjedhjet në Shkodër vetëm për kryetarin e bashkisë dhe jo për organin përfaqësues, që është këshilli bashkiak./Gazeta Liberale

(Visited 309 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *