Editorial

Nuk ka Rilindje Urbane kur qytetet dhe fshatrat po shuhen!

Shkruar nga Liberale
Nuk ka Rilindje Urbane kur qytetet dhe fshatrat po shuhen!

Shpendi Gashi

Ardhja në pushtet e socialistëve e ngriti në piedestal procesin e urbanizimit, të quajtur ndryshe si Rilindja Urbane. Në tërësi ishte i konceptuar si një projekt i cili do shtrihej në 70 qytete dhe do fillonte me transformimin e qëndrave të qyteteve. Pra shihet tendenca se çdo stad zhvillimor fillon nga qendra e më pas përhapet në formën e ‘’valëve’’, duke zgjeruar edhe sipërfaqen e vetë qytetit. Një pikëpamje e përafërt me rrathët e Romës, Parisit apo Londrës. Në Tiranë filloi ndarja e territorit me zona të renditura me numra si: zona 1, zona 2 e kështu me radhë. Pritet që ndarja të ndodhë edhe në rrethet e tjera kryesore të Republikës.

Në këtë stad ku jemi nuk mund të thuhet se qeveria e ka plotësuar premtimin e rilindjes urbane. Mjafton të shohësh produktin final dhe e kupton që fasadat apo sheshet edhe pse mund të jenë tërheqëse vizualisht për syrin, nuk garantojnë në thelb rilindjen e qytetit. Rilindja urbane nuk mund të quhet e tillë, në momentin që gjallëria e qyteteve ka rënë. Rinia është pakësuar, numri i pensionistëve është rritur, klima për biznes nuk është e favorshme e ndërkohë shumë biznese të vogla gjenden pranë falimentimit. Kjo është pasqyra e bilancit real, të pafryrë nga shifrat apo sondazhet.

Fshati nga ana tjetër është lënë në harresë totale. Ndriçimi dhe furnizimi me ujë edhe sot e kësaj dite janë çështje kryesore të ditës. Tokat janë thjesht të ndara nga njëra tjetra, për të treguar se cilin pronar e kanë. Infrastruktura është primitive dhe teknologjia është shumë më e prapambetur se vendet e rajonit.

Bujqësia, për hir të së vërtetës është përpjekur të vitalizohet me anë të programeve të BERZH apo AZHBR, por në mënyrë absolute nuk munden të mbulojnë nevojat dhe financimet e të gjithë kërkesave, duke përllogaritur që edhe abuzimi i disa eksponentëve militantë me këto fonde luan një rol jo pak të vogël.

Duhet pranuar se në vitet e pluralizmit, qeveria e marrë më shumë me pjesën e urbanizimit në rang kombëtar është ajo e Ramës. Pati ndërhyrje në çdo qendër qyteti dhe lyerje të fasadave. Një rregullim të rrugëve dhe konceptit të qytetit, risi këto të cilët nuk është se sollën një rilindje thelbësore, e pasqyruar në rritje ekonomike, investimesh apo cilësie jete. Kësisoj reforma nuk ishte e plotë dhe rrejdhimisht e dështuar për së paku disa arsye.

Si fillim, e kaluara si kryebashkiak dhe deklarimi se nuk ishte një politikan klasik, i rriti pritshmëritë tek elektorati duke u bazuar tek rekordet e së kaluarës. I famshmi rregullim i lumit Lana, lyerja e pallateve me ngjyra, inspektimi i punëve në terren në çdo orar ishin kurrikulum bindës. Me ardhjen si Kreu i vendit, Edi Rama luajti po kartën e rregullimit urbanistik, tanimë jo vetëm në Tiranë, porse të shtrirë në gjithë qëndrat e tjera urbane. Zbukurimi i pallateve, lyerja e fasadave, ndërtimi i shesheve kryesore, shkrirja e ngjyrave sipas shijes personale mund të sjellin vërtetë një rilindje të pamjes së qytetit, por jo domosdoshmërisht një rilindje ekonomike. Pos Tiranës që ka marrë formën e Metropol-it, në qytetet e tjera nuk mund të flitet për rritje ekonomike, vetëm për regres, defiçit dhe mbyllje masive të biznesit. Standardi i jetesës është në kurbë rënëse.

Së dyti, është marrëdhënia me fshatin, e cila në terma realë pasqyron faktin se fshatrat janë duke u boshatisur dhe tokat janë lënë djerrë.. Shpopullimi është fenomeni që përshkruan sot fshatin shqiptar. Kjo sjell edhe mungesën e fuqisë punëtore, e cila është në emigrim me mendjen për të mos u kthyer më. Ka ngelur vetëm mosha e tretë, pensionistët të cilët i bashkëngjiten heshtjes së fshatit. Edhe ata pak të rinj që kanë ngelur, marrin shumë pak subvencione ose aspak, në bazë të konjukturave me institucionet përkatëse. Për sa i përket garantimit të shitjes në treg të produkteve, në rastin më të mirë çmimet kanë qenë totalisht të paleverdisshme dhe në rastin më të keq kanë ngelur në kaudrin teorik të premtimit elektoral. Jeta rurale është në mëshirë të natyrës dhe krahëve të atyre që punojnë. Herë problem është mbiprodhimi, herë përmbytjet të cilat shkatërrojnë prodhimet. Në të dyja rastet roli i shtetit është aty thjesht për të taksuar, por jo që të menaxhojë taksimin në favor të qytetarit. Plan për rigjallërimin e jetës nuk ka, strategji për rritje ekonomike, çështja e tokave është ngërç më vete. Nuk ka asnjë taktikë për të balancuar demografikisht popullsinë. Në kushtet e sotme as nuk mund të bëhet fjalë për Rilindjen Rurale, porse disa investimeve të papërfillshme që përdoren si reklamë propagandistike në fushatë. Në kërkim të mandatit të tretë, Edi Rama e përmend fshatin, por vetëm ata turistikë, si dhe ndonjë fshat i cili lehtësisht mund të marketohet përpara kamerave.

Së treti, pamja e të gjithë qyteteve po bëhet e njëjtë. Njëjtë si në monizëm ku ngjyra gri mbizotëronte, parafabrikatet ishin shenjë dalluese e arkitekturës urbane dhe rrugët e njëllojta, në ditët e sotme çdo qëndër qyteti apo pedonale është e përafërt me tjetrën. Bëhen të njëjtat investime dhe nuk është bërë asgjë në përmirësimin e gjendjes, pos për të shenjuar‘’dorën’’ rregulluese. Është punuar më shumë për dukjen sesa për përmbajtjen, duke çuar kështu përpara tezën e humbjes së identitetin mes qyteteve.

Nëse të ndodh që të jesh në gjumë tërë kohës rrugës për në Tepelenë, kur të zgjohesh mund të mendosh që je edhe në Gramsh. Gjithashtu në të dyja vendet do vëresh boshllëk dhe varfëri. Përmirësim jo!

Së fundmi, por jo nga rëndësia është ndërtimi pa kriter si dhe abuzimi me fondet. Ndoshta ëshë e vetmja qeveri e cila ëshë akuzuar në mënyrën më të vazhdueshme për abuzimet me fondet publike dhe njëkohësisht çdo akuze i përkonte një skandal. Mjafton të marrim shembullin këtu në Tiranë e rastit të parkut publik në zonën e ish-Nishrakut, të cilit i doli pronari dhe po ndërtohet një kompleks gjigand me çmime stratoferike për të ardhurat e një shqiptari.

Gjatë të ashtuquajturës Rilindjes Urbane, qytetari privohet nga përdorimi i pronës publike e cila me shpejtësi të madhe privatizohet e kthehet në një qiellgërvishtës.

Kanalizimet janë të dala jashtë funksionit. Gjatë periudhës së rreshjeve  përmbyten qytetet  dhe rrugët janë thuajse të paaksesueshme. Shumë biznese dhe shtëpi dëmtohen, subvencionet nuk jepen ose vonohen shumë.

Me rrugët është abuzuar në mënyrë të frikshme, shumë pak janë shtruar të reja apo rikonstruktuar ekzistueset, por në bilancet financiare të qeverisë është pretenduar se kilometri i rrugës është ngritur edhe në 20 milionë euro/km.

Janë pikërisht këto disa nga arsyet se pse Rilindja Urbane dhe më pas ajo Rurale mund të thuhet me plot gojën se ka dështuar, pavarësisht përsiatjeve fillestare me rregullimin estetik.

Nëse etapat e urbanizimit nuk rrjedhin lirshëm, si pasojë dështon totalisht koncepti.

Rilindja Urbane si duket ka ngelur një ëndërr e kooperativistit që donte ta shndërronte fshatin në qytet.

Në 2021-shin qyteti përsëri po vuan nga fenomenet e përhershme si papunësia, trafiku, zhurma, ndotja, cilësia më e ulët e jetës, shtrenjtësia./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH