Aktualitet

Nuk ka më ujë për të larë duart

               Publikuar në : 08:50 - 14/08/19 Suadela Balliu

Pas dokumenteve të publikuara nga PD-ja për dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali, Kryeministri është distancuar, duke e cilësuar përgjegjësinë individuale.

Por, pas rasteve të përsëritura me kryebashkiakë, ministra e deputetë socialistë, kreu i qeverisë dhe i socialistëve ka përgjegjësinë morale dhe politike përballë elektoratit për zgjedhjet e njerëzve me të kaluar të dyshimtë

Suadela Balliu

 Valdrin Pjetri mund të jetë kryebashkiaku më jetëshkurtër në historinë e pushtetit vendor, duke mos arritur me gjasë as konstituimin në Bashkinë e Shkodrës, e cila do të jetë edhe për ca kohë e vetmja fortesë e Partisë Demokratike. Siç bëri të ditur dje Kryeministri Rama, derisa e vërteta e së kaluarës së Pjetrit të zbardhet, rruga e tij me atë të PS-së, ndahet këtu; në mes të akuzave të opozitës për një tjetër zgjedhje të kryesocialistit me rekorde kriminale. Pas deklaratës së Ramës, fituesi i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit mund të shohë edhe fundin e karrierës së tij politike.

Pas 11 ditëve akuza nga selia blu, Kryeministri do të reagonte vetëm dje, kur PD-ja publikoi dokumente që vërtetonin pretendimet e tyre se Valdrin Pjetri kishte qenë i dënuar në Itali me 18 muaj burg për trafik droge.

Në mesazhin e tij në “Twitter”, Kryeministri kujdesej të theksonte natyrën individuale të përgjegjësisë, duke distancuar veten dhe Partinë Socialiste nga kushdo që ngre pas vetes pikëpyetje mbi pastërtinë e figurës.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!”, do të shprehej Kryeministri, i cili vetëm pak ditë më parë, gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, e caktoi Pjetrin koordinator të Qarkut të Shkodrës, detyrë që më herët e kishte mbajtur deputeti dhe ish-ministri Ditmir Bushati.

Kryeministri Rama do të shprehej i habitur me veprimin e Pjetrit për të fshehur rekordet e tij me ligjin. Por derisa e vërteta të dalë në rrugë zyrtare nga Prokuroria, shefi i qeverisë dhe kreu i PS-së, e ka devijuar rrugën e tij, duke e lënë Pjetrin të vetëm përballë përgjegjësisë.

Rama është treguar kategorik, duke thënë se nuk do të tolerojë askënd dhe as do të mbajë barrën vetjake të askujt, në raport me ligjin. “Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!”, ka bërë të ditur ai. Kjo mund të ishte edhe dorëzimi më i shpejtë që Rama u ka bërë të tijve, të lakuar për përfshirje në krim të organizuar, trafik ndërkombëtar droge apo korrupsion, por nuk është hera e parë që thekson përgjegjësinë individuale të kujtdo të dyshuar apo të hetuar.

Precedentët

Pasi do ta mbronte për një farë kohe ministrin e tij kampion, i cili mundi të hyjë në Lazaratin e kanabisit, pasi Tahiri dha dorëheqjen, Rama do të shprehej prerë se nuk bënte avokatin e askujt që shkelte në dërrasë të kalbur dhe se ish-ministri i Brendshëm do të duhej të përgjigjej përpara drejtësisë.

Të njëjtën formë ndoqi edhe në rastin e akuzave ndaj Vangjush Dakos, i përfshirë në hetimet e dosjes “339”. Së pari, zgjodhi të mos e kandidonte më për Bashkinë e Durrësit, vendim të cilin e argumentoi si zgjedhje e vetë kryebashkiakut për tri mandate. Por edhe pse gjatë fushatës elektorale ia njohu meritat në punën 12-vjeçare për qytetin, por edhe si një prej socialistëve që i vetëm kishte mundur demokratët në pushtet, Rama do të shprehej se tanimë Dako ishte qytetar i lirë dhe duhet të mbante përgjegjësinë e tij.

Megjithëse Kryeministri u shfaq i befasuar sesi Valdrin Pjetri e kishte fshehur të vërtetën dhe nxitoi të distancohej prej tij, kishte plot përvoja nga e shkuara jo edhe aq e largët me deputetë që fshehën të vërtetat nga formularët e dekriminalizimit, tre vjet më parë.

Ish-deputeti Mark Frroku e quante veten “kurban i dekriminalizimit”, ku pasi u dënua dhe u lirua para kohe nga gjykata, do të jepte dorëheqjen si deputet, para se Parlamenti të votonte të shumëdebatuarin Ligj për Dekriminalizimin. Fshehje të dënimeve nga gjykatat shqiptare dhe italiane, në formularin e dekriminalizimit kishte bërë edhe deputeti i PS-së, Armando Prenga, ndërsa Arben Ndoka dha dorëheqjen si deputet i PS-së pas akuzave të PD-së për përfshirje në ngjarje kriminale në Itali.

Një tjetër socialist i akuzuar nga opozita ishte edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, të cilit Rama i besoi edhe kandidaturën e dytë më 30 qershor. Vetë Bushi, në formularët e vetëdeklarimit, kishte pranuar se ishte ndaluar dy herë në Itali, me akuzat për prostitucion dhe trafik droge, çështje të mbyllura për mungesë provash. Prokuroria shqiptare, megjithatë do ta certifikonte si të pastër figurën e Bushit, i cili ka marrë mandatin e dytë në Bashkinë e Krujës.

Pjetri, duke ditur se kishin kaluar katër vite nga fshirja e rekordeve, për dënimin e marrë më 2003-shin nga Gjykata e Firences, ka menduar të mos e përfshijë në formularin e vetëdeklarimit se ishte arrestuar me akuzën për shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope dhe se para gjykatës italiane, kishte pranuar fajësinë. Megjithëse gjykata kishte pezulluar dënimin me burg, për shkak të pranimit të fajësisë nga ana e Pjetrit, ai është dëbuar nga shteti italian po atë vit, siç ka bërë me dije sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Jo vetëm i pavëmendshëm, por sipas PD-së, Rama nuk ka qenë aq i painformuar sa ç’tregoi në mesazhin e tij në Twitter ditën e djeshme.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, do të shprehej se Partia Demokratike i kishte siguruar dokumentet në mënyrë të paligjshme, por Bardhi ka saktësuar në daljen e tij për mediat, se edhe Kryeministri Rama ishte informuar në po të njëjtën ditë me PD-në nga burime diplomatike.

Këtë PD-ja e përforcon edhe me lëvizjet e Valdrin Pjetrit për të siguruar certifikatat nga autoritetet gjyqësore italiane në mes të korrikut, kur denoncimet publike nga opozita nisën në ditët e para të gushtit.

E megjithëse, sipas Gazmend Bardhit, Kryeministri ishte në dijeni të dënimit të Pjetrit nga gjykata italiane, më 23 korrik do ta emëronte drejtues politik të PS-së për Qarkun e Shkodrës.

Ndërsa pritet që fjalën e fundit ta thotë Prokuroria, “Zëri i Amerikës” ka konfirmuar autenticitetin e dokumenteve të siguruara nga Partia Demokratike.

Për shkak të vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Firences, që e ka dënuar Pjetrin me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë, ai nuk mundet ta ushtrojë funksionin e kryetarit të bashkisë.

Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e narkotikëve” dhe “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së”. Ndalimi për kandidim, po sipas këtij ligji, zgjat gjatë gjithë jetës.

“Megjithëse përfshihet në një nga pikat më të forta të ligjit të dekriminalizimit, këmbëngulja e Valdrin Pjetrit për t’i shkuar mashtrimit të tij deri në fund, provon se ai ka mbrojtje në nivelin më të lartë të pushtetit. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai kumbari i Valdrin Pjetrit, me kandidimin e të cilit poshtëron qytetarët e Shkodrës”, është shprehur Bardhi gjatë deklaratës për mediat, ditën e djeshme, ndërsa ka kërkuar nga prokuroria nisjen e procedimit penal për Valdrin Pjetrin, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën katër raste, të krimit të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.

I përballur prej ditësh me akuzat nga Partia Demokratike, të cilat i ka mohuar me ngulm, po dje Pjetri do të dilte me një reagim në rrjetet sociale.

Ai këmbëngul me dokumentet zyrtare të marra nga autoritetet italiane, të cilat munden të vërtetojnë se ai nuk është i dënuar nga shteti fqinj aktualisht.

“Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit, si dhe para pak ditësh me dokumente zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD-së. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, shkruante Pjetri.

Akuzat për të vijnë në kohën kur kryesocialisti do të kërkonte nga drejtuesit politikë propozime për administratorë e drejtorë bashkish, me profile njerëzish të edukuar dhe jo injorantë e batakçinj.

E ardhmja e Shkodrës

Pritja e përgjigjes zyrtare nga organet kompetente, bën edhe shtyrjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak, që ishte parashikuar së bashku me betimin e kryebashkiakut për datën 21 gusht. Në rast se akuzat e PD-së do të rezultojnë të vërteta, atëherë Shkodra pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas ish-deputetit të PD-së, Romeo Gurakuqi, së bashku me zgjedhjet për kryebashkiak duhet të përshijnë edhe ato për Këshillin e ri Bashkiak. Sipas tij, në Shkodër morën pjesë vetëm 7 për qind e elektoratit, duke i quajtur zgjedhje moniste me skuadra paramilitare elektorale dhe me kandidatë që u janë shmangur detyrimeve ligjore të deklarimit paraprak të saktë të pastërtisë së figurës.

Pas deklaratës së Kryeministrit Rama, do të reagonte sërish sekretari i përgjithshëm i PD-së, duke thënë se “Lojës me larje duarsh i erdhi fundi”.

Duke përmendur një sërë emrash kryebashkiakësh dhe deputetësh të PS-së, si Elvis Rroshi, Arben Ndoka, Mark Frroku, Armando Prenga dhe Artur Bushi, të cilët më herë fshehën të kaluarën në formularët e dekriminalizimit, Gazmend Bardhi do të thoshte se “Valdrin Pjetrin e emëroi Edi Rama, nuk u bë vetë as drejtor hipoteke, as prefekt, as kandidat për kryetar bashkie. Lojës me larje duarsh i ka ardhur fundi! Edi Rama është damkosur si Kryeministri që promovoi krimin në Parlament, qeveri dhe bashki”.

Ndërsa Kryeministri, si një prej ithtarëve më të mëdhenj të saj, thotë se Reforma në Drejtësi nuk diskutohet dhe se nuk do të ishte i gatshëm për asnjë marrëveshje politike për të shpëtuar politikanë të caktuar, ku është shprehur se Presidentit Meta, i cili e ka etiketuar si Ramaformë, i ka hyrë frika nga drejtësia, rasti i Pjetrit vjen fill pas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që për motive të përfshirjes në korrupsion madhor, e shpall ish-kryebashkiakun e Durrësit person “non grata”.

Vetë Kryeministri është shprehur se nuk ka aspak frikë nga Reforma në Drejtësi, sepse nuk ka bërë asgjë për t’iu frikur.

“Unë jam mbrojtësi më i flaktë i punës së kujtdo, unë i vë gjoksin kur vjen puna te puna apo për të mbrojtur nga akuzat e padrejta. Në momentin që ka diçka që lidhet me drejtësinë, nëse është ‘Ok’ është i mirëseardhur, nëse nuk është ‘Ok’, lamtumirë. Është shumë e thjeshtë”, shprehej në qershor Kryeministri Rama. Por, megjithëse llogaria para ligjit dhe drejtësisë është individuale, Kryeministrit i duhet të japë llogari para elektoratit për 61 kryebashkiakët socialistë, për ministrat e kabinetit të tij dhe për deputetët e maxhorancës që ulen në Parlament. Edhe përgjegjësia politike, mund të jetë individuale, e që peshon e gjitha në supet e Ramës për zgjedhjet e tij nga 2013-a, por sidomos pas 2015-s, kur ligji i dekriminalizimit u miratua në Parlament.

Deklarata

PD: Rama e ka ditur më parë për Pjetrin

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ka publikuar dje dokumentet autentike që vërtetojnë për ndalimin në Itali të Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut të Shkodrës, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Gjatë një deklarate për mediat, Bardhi shpjegoi të gjithë kronologjinë e ngjarjes deri në dëbimin e Pjetrit nga Italia, më 4 shkurt 2003.

“Në këto 6 vite të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, te trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave.

Me vetëdije, me informacion të plotë për të kaluarën kriminale si trafikant droge, Edi Rama e emëroi Valdrin Pjetrin më 24 korrik 2019 si drejtues politik të Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër.

Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 janar 2003 në Firence.

Më datë 28 janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal italian.

Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë, për veprën penale ‘shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope’, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 shkurt 2003, Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian.

Të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.

Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:

1. a) ‘Prodhimin, shitjen dhe trafikimin e narkotikëve’.

2. b) Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar i BE-së, siç është Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale. Për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit (neni 4), ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.

Megjithëse përfshihet në një nga pikat më të forta të ligjit të dekriminalizimit, këmbëngulja e Valdrin Pjetrit për t’i shkuar mashtrimit të tij deri në fund, provon se ai ka mbrojtje në nivelin më të lartë të pushtetit. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai kumbari i Valdrin Pjetrit, me kandidimin e të cilit poshtëron qytetarët e Shkodrës. Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë nisjen e menjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Valdrin Pjetri, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën 4 raste, të krimit të falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit. Edi Rama dhe kukullat e tij në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast. Por ato nuk do të arrijnë kurrë t’i imponojnë Shkodrës dhe qytetarëve të saj të nderuar, një kryetar bashkie, pjesë të krimit të organizuar dhe një trafikant të dënuar droge.”

Reagimi

Rama: Pjetri, përgjegjësi individuale

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS-në dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!

I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.

E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS-ja!”

Mars 2016

Aktet nënligjore të ligjit për dekriminalizimin u miratuan në Kuvend pas arritjes së konsensusit mes opozitës dhe maxhorancës. Pas votimit, deputetët e opozitës braktisin Parlamentin

Qershor 2019

Në zgjedhjet lokale, PS-ja kandidon në Shkodër prefektin Valdrin Pjetri, i cili shpallet fitues pas votimeve të 30 qershorit. E para fitore për socialistët në 30 vite

Korrik 2019

Në pritje të konstituimit si kryebashkiak, kryetari i PS-së e cakton Valdrin Pjetrin drejtues politik të Qarkut Shkodër, për ta përmirësuar partinë në atë qark, ku kishte qenë prefekt./Gazeta Liberale

 

 

(Visited 81 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *