Editorial

Nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme

Shkruar nga Liberale
Nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme

Klementin Mile

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme pas tërmetit në vendin tonë, në fakt, është iluzion. Sigurisht, nga pikëpamja ligjore, gjendja e jashtëzakonshme është shpallur nga kryeministri. Ai madje ka shpallur edhe kohëzgjatjen e saj, pra rikthimin në normalitet. Me këto akte, kryeministri i vendit po jep idenë e të qenurit sovrani. Por kjo është e pavërtetë.

Karl Shmiti, filozofi dhe juristi i shquar gjerman i shekullit XX, ka thënë se sovran është ai që vendos në raste të jashtëzakonshme. Pra në rastet kur pezullohet edhe vetë kushtetuta dhe ligjet e vendit. Andaj nuk mund t’i referohemi parashikimeve ligjore që i japin kryeministrit të drejtën për të vendosur se çfarë duhet bërë në gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme, kur ndodh, i ndryshon ligjet. Ligjet janë pjellë e saj, jo ajo e tyre.

Shmiti thoshte se sovrani bën tri gjëra: së pari, vendos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme; së dyti, vendos për masat që nevojiten për ta menaxhuar atë; së treti, vendos për daljen prej gjendjes së jashtëzakonshme dhe rikthimin në normalitet.

Këto kritere janë arsyeja e parë pse nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme nuk vjen vetvetiu, për shembull prej aktivitetit natyror, tërmeteve, zjarreve, vullkaneve apo përmbytjeve. Ajo është e tillë vetëm nëse kushtetohet prej sovranit. Nuk ka një numër të caktuar viktimash, një numër të caktuar dëmesh materiale, apo një numër të caktuar të plagosurish që të shërbejë si buton aktivizimi i gjendjes së jashtëzakonshme. Si e tillë, gjendja e jashtëzakonshme është çështje perceptimi njerëzor, i cili, natyrisht, ndryshon nga njëri kontekst në tjetrin.

Duke iu kthyer kritereve të Shmitit për sovranin, kryeministri i vendit, edhe pse dëshiron të shfaqet si i tillë, nuk është sovran pasi, edhe pse ka vendosur për shpalljen dhe përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ai e ka të pamundur të vendosë për menaxhimin e saj. Natyrisht, ai mund të qeverisë si më parë, pra të bëjë kryeministrin. Por të jesh sovran është diçka tjetër.

Sovraniteti është pushtet absolut dhe i pakufizuar. A është në gjendje kryeministri i vendit, në këtë muaj të cilin e cilëson si “të jashtëzakonshëm” që ta ketë këtë pushtet?

Gjendja e jashtëzakonshme nënkupton, ndër të tjera, marrjen në dorë të frenave të shoqërisë nga politika. Kryeministri, si pretendenti për sovran, vjen nga radhët e politikës. Por kjo e fundit e ka të pamundur t’i imponohet me sukses shoqërisë.

Në librin “Komunikimi Ekologjik”, teoricieni gjerman Niklas Luman na tregon pafuqinë e politikës për ta kontrolluar shoqërinë. Politika, si njëri nga sistemet e shoqërisë, mund t’i kontrollojë sistemet e tjera vetëm në atë masë që lejon të kontrollohet edhe vetë prej tyre. Përveç këndvështrimit politik, shoqëria përdor rregullisht edhe këndvështrimin ekonomik, ligjor, shkencor, fetar, edukativ, mediatik dhe familjar.

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme mund të dallohet nga dy shenja: së pari, sovrani duhet të jetë politikan; së dyti, gjuha e pushtetit duhet të dominojë ndaj gjuhëve të tjera të shoqërisë.

Të gjithë jemi dëshmitarë se gjuhët e tjera jo vetëm që i rezistojnë gjuhës së pushtetit por shpesh edhe e dominojnë atë, si për shembull kur gjuha e lajmit mediatik e nervozon kryeministrin me pyetjet që i bën, kur gjuha e së vërtetës së ekspertit i bën të heshtin përfaqësuesit e qeverisë, kur gjuha e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve i detyron qeveritarët ta masin mirë fjalën që thonë, dhe kur gjuha e përgjegjësisë ligjore për ndërtimet skandaloze i bën politikanët të prononcohen me pahir për ndëshkim të fajtorëve.

Për të qenë në gjendje të jashtëzakonshme do të na duhej një sovran që ta shpallte, menaxhonte dhe përfundonte atë. Në mungesë të sovranit nuk mund të ketë as gjendje të jashtëzakonshme. Ka vetëm dëme të mëdha njerëzore dhe materiale të përhapura në disa rajone të vendit. Ka politikanë që bëjnë ture nëpër vend për të përhapur mesazhin e tyre, propagandistik si gjithmonë. Ka analiza ekspertësh në media dhe parashikime profesionistësh dhe amatorësh. Dhe ka ankth për të ardhmen që na pret. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH