Aktualitet

“Nuk i kemi zhveshur, as i kemi rrahur”, mbetet në burg biznesmeni shqiptar që "rrëmbeu" 13 emigrantë

Shkruar nga Liberale
“Nuk i kemi zhveshur, as i kemi rrahur”, mbetet në burg

“Nuk i kemi zhveshur, nuk i kemi goditur, kemi pasur frikë se mos na sulmojnë, ndaj i kemi mbyllur në rimorkio”. Kjo ishte linja mbrojtëse që mbajti biznesmeni shqiptar, i cili së bashku me dy grekë të tjerë mbyllën 13 emigrantë në Evros dhe postuan video në rrjetet sociale ku fliste për ta me terma të ashpër nënçmues.

Në deklaratën e tij, një pjesë e së cilës e publikon GrTimes.gr, biznesmeni pretendon se 13 emigrantët i ka pikasur në një distancë 150 metra nga biznesi i tij dhe 50 metra nga një pikë karburanti dhe siç thotë ai, ata po tentonin të vendosnin zjarr ndaj një objekti të ndezshëm.

“Menjëherë kam lajmëruar policinë dhe kam kërkuar ndihmën e personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Sapo i panë të trembëdhjetët, u bënë agresivë dhe disa ia mbathën. Më pas i kërkuam të hidhnin atë që kishin në duar dhe u bërtitëm me ton të fortë “STOP. PO VJEN POLICIA”, thotë ai në një pikë tjetër.

Të tre, sipas të akuzuarve, kishin frikë se mos sulmoheshin, pasi ishin “të shumtë dhe reagues”.

“I mbyllëm brenda në rimorkio dhe pritëm të mbërrinte policia. Në asnjë rast nuk kemi ushtruar dhunë sepse vetëm duke dëgjuar fjalën POLICË, ata janë bindur, ndoshta duke menduar se jemi policë. I indinjuar nga pamja që pashë vetëm pak metra larg shtëpisë dhe familjes sime, madje në momentin kur dhjetëra zjarre në zonën e Aleksandrupolit po digjnin shtëpi dhe prona, shpreha publikisht indinjatën time duke postuar një video ku në asnjë mënyrë nuk më përfaqëson dhe nuk është në përputhje me rrjedhën e jetës sime”, thotë ai, si për "arrestimin" e tyre dhe për videon.

Më pas, siç pretendon ai, dhe derisa ka mbërritur policia, ai nuk ka lëvizur makinën, u ka dhënë ujë të gjithëve dhe ka marrë një video tjetër, ku “tregohet struktura e improvizuar ndezëse, të cilën policia e ka marrë kur ka arrestuar të trembëdhjetët. Kur ka dalë në vendngjarje, policia i ka marrë në të njëjtën gjendje siç i kemi gjetur ne para pesëmbëdhjetë minutash”, shtoi ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH