Kryesore

Nuk duhet të habiteni me memorialin turk në Tiranë

               Publikuar në : 10:27 - 12/08/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Tirana, në këto 100 vite ka parë shumë memoriale të ndryshëm për fashistë, komunistë, zogistë, stalinistë, titistë, dhe kanë kaluar shumë lehtë në harresë.

Memoriali në nder të të rënëve në tentativën e grushtit të shtetit në Turqi ka nxitur debate të mëdha në opinionin publik. Mirëpo, ky memorial, me sa duket, është marrë më seriozisht sesa duhet. Megjithëse është konsideruar nga shumëkush si një servilizëm ndaj një vendi të rëndësishëm dhe një lideri të fortë dhe me ndikim në Ballkan si Erdogan, e rëndësishme është që nuk tregon aspak orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë. Vendosja e memorialit është thjesht një qokë ndaj një lideri të rëndësishëm që i duhet ndonjë politikani në Shqipëri për interesa të vogla dhe momentale. Fakti që të dyja palët politike e pranuan, tregon më së miri se Tirana zyrtare, kur bëhet fjalë për qoka të tilla, mendon po njësoj.

Ky memorial nuk tregon aspak linjën e politikës së jashtme të Shqipërisë, për dy arsye kryesore: e para, sepse Shqipëria nuk prodhon një politikë të jashtme, të paktën deri në këto nivele. Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e diktuar nga vende të tjera. Dhe deri më tani, Perëndimi e ka mbajtur Shqipërinë me hir ose me pahir drejt tij. Sigurisht për interesa të tij. Po të ishte në dorë të politikës sonë, të paktën të asaj të viteve të fundit, sot do të ishim rreshtuar drejt boshtit të lindjes pa dyshim.

Liderët shqiptarë karakterizohen nga tentativa të qarta autoritariste dhe orientalizmi mund të ishte habitati politik perfekt i tyre. Por, historia dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, si dhe interesat e Perëndimit në vendin tonë, ka bërë të mundur që ende të konsiderohemi vend përkrahës i tij. Madje, duke ceduar dhe sovranitetin tonë në favor të institucioneve euroatlantike. E dyta, populli shqiptar është një popull qartësisht mbështetës i Perëndimit dhe politikës së tij. Megjithëse kohët e fundit ka një tendencë deri më tani jo shqetësuese për të hedhur sytë sidomos nga Turqia, për shkak të raporteve fetare të dy vendeve.

Prandaj, memoriali turk në Tiranë shumë shpejt do të harrohet, sepse s’ka asnjë vlerë kulturore apo politike. Edhe për faktin se politika shqiptare nuk ka një ideologji apo kulturë të përcaktuar në politikën e saj të jashtme. Nuk ka asnjë besim të vërtetë apo parime mbi të cilën e bazon orientimin e saj. Këto akte janë thjesht akte pragmatiste të politikanëve të caktuar për të marrë mbështetjen e një dore të madhe dhe të ngrohtë në kohë të vështira. Ndërsa, për popullin shqiptar dhe për atë copë vendi ku është vendosur memoriali, s’ka asnjë rëndësi kulturore, politike apo historike. Edhe për faktin se shumë prej shqiptarëve as nuk e kanë idenë se për çfarë bëhet fjalë. Aq më tepër për një vend si Turqia, ku tentativat për grushte shteti nuk janë aq të rralla.

I vetmi fakt që duhet të na shqetësojë në të gjithë këtë histori, është ndoshta adhurimi që kanë shumë politikanë shqiptarë, përfshi këtu edhe Kryeministrin tonë, për tipologjinë e liderëve si Erdogan, shumë të pushtetshëm dhe për një kohë të gjatë në qeverisje. Ëndrrat me diktator, janë ëndrra që politika shqiptare shikon më shumë. Por, këto ëndrra nuk do të realizohen asnjëherë. Më kot e ka kushdo që shpreson. Tashmë Shqipëria është në një proces të pakthyeshëm perëndimor. Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë orientalë, shumë prej politikanëve të saj, nga qasja që kanë me pushtetin, po./Gazeta Liberale

(Visited 180 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *