Krye

Notre Dame de Paris, një këngë vaji më 15/04/2019

               Publikuar në : 10:33 - 16/04/19 Liberale

Kryevepra 850-vjeçare gotike u përfshi nga flakët, ndërsa brenda saj po kryheshin punime restauruese, që të mund t’i rezistonte më mirë kohës. “Notre Dame de Paris” është katedralja më e shquar në Europë dhe simbol i padiskutueshëm i Francës

“Notre Dame de Paris”, “Zonja jonë e Parisit”, ka qenë një nga monumentet më jetëgjata dhe simbolike të kryeqytetit francez mes katedraleve më të kremtuara në Europë. Për shumë parisianë, pika 850-vjeçare e referimit është thjesht zemra e qytetit të tyre, dy kullat gotike të saj që ngrihen mbi ndërtesat rrethuese gjatë lumit Senë. Është katedralja e katedraleve franceze, me një nga historitë më të gjata dhe të pasura: siti i dasmave mbretërore, shenjtërimi i Napoleon Bonapartit si perandor dhe lumnimi i Zhan D’Arkës. Është gjithashtu vendi ku publiku kremton jetët e madhështores dhe së mirës.

Ishte në “Notre Dame”, që Henry VI, mbreti i Anglisë, u kurorëzua mbret i Francës më 1431-shin dhe James V, mbret i Skocisë, u martua me Madeleine-ën e Francës më 1537-n. Mesha rekuiemi janë mbajtur aty për presidentët Charles de Gaulle dhe François Mitterrand.

Katedralja u përjetësua në kulturën popullore nga Viktor Hygo në romanin e tij gotik, “Kurrizoja i Notre Dame”-it njohur në shqip si “Katedralja e Parisit”, që më pas u shndërrua në një film Disney. Katedralja e “Notre Dame” u porosit nga mbreti Luigji VII, i cili dëshironte të ishte simbol i pushtetit politik, ekonomik, intelektual dhe kulturor, brenda dhe jashtë vendit. Qyteti po kthehej në qendër pushteti në Francë dhe kishte nevojë për një monument fetar, që të përputhej me statusin e tij të ri.

Një bazilikë mesjetare, që zinte vendin e zgjedhur nga mbreti në skajin lindor të Île de la Cité, një prej dy ishujve në Senë, u rrëzua me themele, për t’i lënë vend ndërtimit të katedrales së re.

I pari gur i asaj që do të ishte një ndërtesë masive, 130 metra e gjatë dhe 48 metra e gjerë, thuhet se u hodh më 1163-shin, në prani të Papës Aleksandër II, por u deshën edhe 200 vjet të tjera që të kompletohej dhe t’u nënshtrohej modifikimeve të shpeshta, në shekujt e mëpasshëm.

Dy kullat, në fasadën perëndimore, 69 metra të larta, u ndërtuan në fillim të shekullit të 13. Kulla në veri është e aksesueshme për vizitorët, përmes një shkallareje prej 387 shkallësh, ndërsa kulla jugore është shtëpi e 10 kambanave të katedrales. Mes kambanave më të famshme, bourdon-i, i emërtuar Emanuel, ka rënë në pjesën më të madhe të ngjarjeve në historinë e Francës, si kurorëzim mbretërish, vizita papnore dhe për të shënjuar fundin e dy luftërave botërore. Ka tingëlluar gjithashtu për të shënjuar shkatërrimin e kullave binjake të Nju Jorkut, më 11 shtator, 2001. Spiralja origjinale, e ndërtuar në të njëjtën kohë me kambanoret, u hoq në shekullin e 18, por më pas u zëvendësua. E përdhosur gjatë Revolucionit Francez, në fillim të shekullit 19, katedralja ishte gjysmë e rrënuar brenda. Kurorëzimi i Napoleonit si perandor, i ndjekur nga suksesi i romanit të Hygoit, e fokusoi vëmendjen te ndërtesa, e cila iu nënshtrua restaurimeve të mëdha në mes të shekullit 19.

Ashtu edhe tavani me dru, që është shkatërruar nga zjarri, frika është edhe për fatin e tri dritareve me xhamat e dekoruar me trëndafila, si edhe shumë artefakteve historive brenda katedrales, si edhe një organo e shekullit 17. Disa relikte të çmuara fetare, të adhuruara nga katolikët, ishin brenda ndërtesës. Në çati kishte disa zgjoje bletësh. Po aq sa një monument historik dhe atraksion turistik, që tërheq 13 milionë vizitorë në vit, “Notre Dame” është zemra e Kishës Katolike në Paris. Ndërsa u përpi nga flakët, pasditen e së hënës, luftuar nga 400 zjarrfikës, ish-kryebashkiaku i Parisit, Bertrand Delanow mezi do t’i mbante emocionet duke thënë se ishte “thellësisht i trishtuar për shkatërrimin e katedrales. Është humbje e pamasë. ‘Notre-Dame de Paris’ duhet të jetojë. Nuk duhet ta dorëzojë veten para kësaj. Është trashëgimi e të gjithë njerëzimit”, do të thoshte ai./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *