Aktualitet

No Deal! 

               Publikuar në : 10:08 - 13/06/19 Liberale

Kryeministri i qëndron 30 qershorit,  kreu  i opozitës largimit të tij dhe në mes presidenti që ka nisur konsultat me partitë politike për caktimin e një date të re për zgjedhjet lokale. Pse kjo përpjekje e Metës, kur e di se palët nuk lëshojnë pè në qëndrimet e tyre dhe cili është hapi i radhës që ka parashikuar ai.

Suadela Balliu

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në një datë mëvonshme, në një afat të arsyeshëm, brenda frymës së Kushtetutës.  Kështu deklaroi presidenti Meta pasditen e së martës, një ditë pas firmosjes së shfuqizimit të 30 qershorit me anë të një dekreti, por pa caktuar aty një të re.

Megjithëse i vuri vulën se zgjedhje pa dekretin e tij nuk ka dhe nuk do të ketë, presidenti la të hapur shtegun e dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës, përfshirë edhe datën e re.

Siç edhe e lajmëroi, ditën e djeshme Meta nisi konsultimet me përfaqësuesit e partive të  Grupimit të Qendrës së Djathtë për caktimin e një date të mundshme të zgjedhjeve.

Në takimin që zgjati rreth dyzet minuta, i pari në radhë në serinë e konsultave me aktorët politikë, aleatët e vegjël të Partisë Demokratike e gjykuan si një hap të vogël, por në drejtimin e duhur.

Kreu i LZhK-së, Dashamir Shehi foli për mundësinë e një marrëveshje të madhe politike. Megjithëse pak ditë më herët në një tubim me qytetarë, krerët e partive të vogla opozitare hodhën idenë e një shtyrjeje të zgjedhjeve me gjashtë muaj, pas takimit me presidentin ku siç zbuluan nuk ishte folur për një datë fikse, thanë se kjo me gjasë do të vijë pas dialogut të të mëdhave.

“Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve nuk mund të jetë një dëshirë,  do të dalë vetvetiu nga marrëveshja politike. Nëse data është shtyrje për të fituar kohë, kjo nuk i mjafton opozitës për të vazhduar betejën”, do të shprehej Shehi. Por, sipas aleatëve të PD-së, të cilët para takimit në presidencë patën një ndalesë në selinë blu për t’u konsultuar fillimisht me kreun e saj Basha, nëse PS do të vijojë me pretendimin e datës 30 qershor, atëherë opozita do të bëhet gati për beteja të tjera, “në rrethana të tjerë, që nuk do të ishim mirë për Shqipërinë”.

Ftesës së presidentit iu përgjigj edhe kreu i partisë Demokracia Sociale aleate e PS-së, Paskal Milo, i cili hyri në konsultë fill pas përfaqësuesve të grupimit të qendrës së djathtë. Milo shprehu gatishmërinë për t’u takuar edhe me aktorë të Partisë Socialiste dhe të partive të tjerë, për të trajtuar krizën politike. “Duam që Shqipëria të ketë stabilitet politik, duam që Shqipëria të shmangë çdo lloj përplasje politike, apo edhe sociale, që do të ishte një fatkeqësi tjetër për vendin”, do të shprehej Milo, duke qartësuar pozicionin e tij aleat me PS-në, që nuk e pengonte të shprehte  pikëpamjet e tij.

Refuzimi i Ramës

Rreth konsultave të presidentit, ku sot pritet të takohet me krerët e PD dhe LSI, nga Partia Socialiste u tha se nuk kishin marrë një ftesë zyrtare. Por edhe nëse do të kishte, kreu i saj, kryeministri Edi Rama do ta përforconte edhe njëherë qëndrimin e tij nga Divjaka, ku vazhdon i patrazuar turin e tij elektoral për zgjedhjet lokale.

“Që zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor,  kjo nuk diskutohet. Që në 30 qershor ai plaku do të mësoje se çfarë është mësuar të bëjë me socialistët,. Është kohë e shkuar dhe e kaluar. Pas 30 qershorit do të jemi në një Shqipëri tjetër që ose politikanët do t’iu nënshtrohen ligjeve  dhe rregullave ose për ta nuk do të ketë më vend, sepse nuk do t’u shkojë më askush nga pas sepse molotovët do t’i përdorin për të hedhur veten në erë. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Preisdentit të Republikës, për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek Parlamenti dhe për sa kohë që Parlamenti ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet”, deklaroi Rama në fjalën e tij.”, deklaroi Rama duke kujtuar se në seancën e sotme  plenare të  Parlamentit do të diskutohet mocioni me debat, për shkarkimin e presidentit Meta, duke hedhur insinuata rreth një qëllimi të fshehtë të këtij të fundit, përmes dekretit, i cili

është botuar në fletoren zyrtare dhe ka hyrë në  fuqi.

Heshtja e Bashës

Edhe pse e përshëndeti vendimin e presidentit për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, për të cilat ishte zotuar t’i pamundësonte, edhe pse u takua me aleatët para takimit të tyre në Presidencë, nuk dihet nëse vetë Basha do të jetë i pranishëm sot në konsultë me Metën.

Nëse akti i presidentit ishte ulja e palëve në dialog dhe arritja e një marrëveshjeje me bazë të gjerë, që do t’i jepte jetë një dekreti të ri me datë të mëvonshme zgjedhjesh, kreu i opozitës deklaroi dy ditë më parë në takimin e Këshillit Kombëtar se nuk ka hequr dorë nga kërkesat për largimin e Ramës. Tek kokëfortësia e palëve në pretendimet e tyre – maxhoranca për 30 qershorin dhe opozita për të larguar kryeministrin – presidenti Meta tha se kishte gjetur konsensusin për të shmangur një proces zgjedhjesh një partiak që u mohonin shqiptarëve pluralitetin dhe preknin një nga parimet bazë të kushtetutës. Edhe pasi presidenti siguroi se do të kishte një datë të re, palët vijojnë të jenë kokëforta edhe pse një armëpushim i vogël u shënua dje me urimin që Rama i bëri Bashës për ditëlindjen e tij të 45-të, që përkoi në ditën e 28 vjetorit të themelimit të PS-së.

Në vizionin e tij, Basha i ka shpërfillur  thuajse fare zgjedhjet lokale, duke parë nga qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, iu tha Basha demokratëve për të davaritur çdo dyshim rreth një marrëveshjeje të ngjashme me atë të 2017-s. Edhe pse  do të thoshte se aksioni opozitar ia doli të frenonte procesin fals të zgjedhjeve të 30 qershorit, kreu i PD-së ka mobilizuar demokratët për të qenë gati në rast se maxhoranca do të vijojë me skenarin e 30 qershorit, duke krijuar Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.  “Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fals, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës”.

Me kërkesat  maksimale nga të dy kahet, me maxhorancën që e gjykon dekretin e presidentit si akt të pavlefshëm, duke  vijuar me 30 qershorin  dhe procedurat për shkarkimin e tij nga detyra, tryeza që mëton të arrijë Meta, në kushtet aktuale duket e pamundur.

Përpjekja e presidentit për caktimin e një date të re zgjedhjesh që në pamje të parë u përkthye si një ndreqje e dekretit, mund të ketë rezonojë edhe përtej zgjedhjeve lokale.  Kryebashkiakëve  aktualë u përfundon mandati më 10 gusht dhe afati i fundit i kryerjes së zgjedhjeve për pranverën është e diela e 30 qershorit, nëse palët do të bien dakord mund të ketë ndryshime në kodin zgjedhor dhe zgjedhjet të kryhen në vjeshtë. Por socialistët janë të prerë me 30 qershorin dhe argumentojnë se pas 11 gushtit, krerët e pushtetit vendor nuk munden ta ushtrojnë më detyrën. Duke qenë se  Kushtetuta nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor, në kushtet aktuale ku dekreti i presidentit ka hyrë në fuqi, mund të rregullohej vetëm me ndryshimet që do të miratoheshin mes palëve.

Por kreu i opozitës e sheh të pamundur të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme me kushtet aktuale. “As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht”, është shprehur Basha, duke e hedhur poshtë mundësinë për një marrëveshje që do të caktonte të paktën një datë zgjedhjesh me pjesëmarrje të të gjitha partive, pa largimin e Ramës si kryeministër.

Duke i ditur fort mirë qëndrimet e secilit lider politik, përpjekja e presidentit për të krijuar klimë të një dialogu të mundshëm, duket e destinuar të dështojë, aq më tepër ku shfuqizimi i datës pa u konsultuar me palët vetëm sa i ka ashpërsuar tonet dhe qëndrimet nga maxhoranca. Në një kohë, ku kjo e fundit po kërkon një shteg në Gjykatën Administrative, për të cilësuar të pavlefshëm aktin e presidentit e për të mbajtur në fuqi sipas afateve kushtetuese 30 qershorin, caktimi i një date të re, duket i pasigurt. Edhe pse presidenti dy ditë më parë thoshte se pa e caktuar ai datën, me kompetencat e dhënë prej Kushtetutës, nuk do të kishte zgjedhje, maxhoranca duket e angazhuar për t’i mundësuar ato më 30 qershor, ndërsa edhe KQZ e ka shpërfillur dekretin e presidentit dhe ka vijuar me procesin zgjedhor.

Edhe pas serisë së konsultave me partitë parlamentare dhe jashtëparlamentare, presidenti rrezikon ta gjejë veten njësoj si ditën kur paraqiti para shqiptarëve argumentet që e çuan në zhdekretimin e datës së zgjedhjeve. Megjithë vullnetin e tij për t’i ulur bashkë në bisedime, megjithë ofertën e tij për të sakrifikuar detyrën e presidentit, asnjëra nga palët nuk u dorëzua. E gjithë kjo të bën të mendosh se cilat do të jenë hapat e radhës nga presidenti, i cili në hapësirën politike është i vetmi që po lëviz gurët, ndërsa dy palët qëndrojnë të ngurta. Deri tani, gjithçka pa rezultat./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *