Aktualitet

Njohja në Instagram/ 25-vjeçarja e martuar shantazhohet me foto

Shkruar nga Liberale
Njohja në Instagram/ 25-vjeçarja e martuar shantazhohet me foto

Dosja e radhës që krimet kibernetike morën në shqyrtim është ai i një 25-vjeçareje nga Gramshi me inicialet S. L që ndonëse e martuar dhe e shkolluar zuri shoqëri në Instagram me një djalë me inicialet F. M. Bisedat mes të dyve zgjatën një muaj.

U bëmë miq, ndanim të njëjtat qëndrime për Shqipërinë dhe njerëzit. Nuk po flirtonim. Një ditë e lamë për kafe, pasi tim biri po i afrohej ditëlindja dhe F. M. më ftoi për kafe duke më thënë se kishte një dhuratë për tim bir”, kallëzon në polici 25-vjeçarja me banim në kryeqytet. Dy të rinjtë që nuk ishin takuar asnjëherë, por që kishin kimi komunikimi vendosën të takoheshin e të pinin kafe miqësisht në zonën e Astirit.

“Ky person me emrin Fabio, kështu ishte prezantuar në instagram gjatë kafes më tha t’ia jepja pak telefonin që të porosiste një taksi për mua, që të kthehesha në banesë. Ja dhashë. Fabio doli na lokali dhe nuk u kthye më”.

Por pikërisht pas këtij çasti nis ankthi i 25-vjeçares. Mbasi ka pritur dhe telefoni nuk hapej, ajo ka menduar se ishte vjedhur. Por kjo ishte më e pakta që mund t’i ndodhte. Me telefonin e saj në dorë i riu ka pasur mundësi të sigurojë akses në çdo fotografi personale, të sajat dhe bashkëshortit. Që të gjitha fotografi intime.

“Të nesërmen u telefonova nga një numër privat. Më urdhëroi hajde në qendër të Tiranës, do të jap telefonin, por sill 150 mijë lekë”.

Por 25-vjeçarja aty ka kuptuar se sapo kishte nisur horrori. Ndaj për t’i dhënë fund çdo kanosjeje dhe shantazhi që do ti bëhej në orët në vijim, ajo ka ndryshuar rrugë. Nga udhëtimi drejt qendrës, ia ka behur në polici.

“E reja tha se aty kishte fotografi personale intime dhe se parashikonte që pas momentit të takimit të niste gjobëvënia e saj”, shpjegon një oficer policie për gazetën Si. Por ndërkohë policia ka nisur shërbimet policore dhe e ka shtyrë të renë që të paraqitet sipas orarit të caktuar në vendin ku kërkohej. “E reja paraqitet në lokalin në fjalë, merr takim me një person dhe i kërkon telefonin, ashtu sikundër urdhërohej në udhëzime. Personi banakier i identifikuar më pas si shtetasi A.K, i kërkon 150 mijë lekë duke i thënë – që të marrësh telefonin duhet të japësh lekët”, shkruajnë agjentët në mbyllje të aksionit. E reja paguan shumën dhe merr telefonin dhe në çast agjentët e krimeve të ulur si klientë në kafene ndërhyjnë dhe arrestojnë banakierin.

Sipas burimeve të gazetës Si i riu ka treguar se po mbyllte një porosi që ia kishin lënë dhe se nuk kishte informacion se çfarë kishte ndodhur. Edhe denoncuesja tundi kokën dhe tha se banakierin nuk e njihte. A.K deklaron në procesverbal “rreth orës 13 u takova me D. K që më dha telefonin iphone dhe më njoftoi se do vinte ta merrte një vajzë e re, në rast se personi nuk jep 150 mijë lekë mos ja jep telefonin – më urdhëroi D.K rrëfen banakieri.

Burimet bëjnë me dije për gazetën Si se u gjet adresa e të riut të prezantuar si Fabio dhe që ka dhënë një version tjetër për tjetër,  por që nuk bazohet në prova, për sa kohë nga këqyrja e kamerave rrëzohet dëshmia e tij. Ai pretendon se njohu në Instagram një vajzë që ju prezantua si Alma dhe ai tregoi një emër të rremë. “Pasi kemi folur gjatë shkuam në një hotel ku qëndruan për rreth dy orë. Kur dolëm nga hoteli vura re se më mungonin 120 mijë lekë, shtetasja me emrin Alma nuk m’i dha lekët dhe unë dyshoj që m’i vodhi ajo. Atëherë i mora telefonin dhe për këtë arsye u largova. Por të nesërmen ajo më kërkoi t’ia ktheja telefonin dhe se do më paguante”.

Në përfundim të një sërë veprimesh hetimore si këqyrjet e telefonave, komunikimet virtuale dhe të kamerave të sigurisë të dy të rinjtë përfunduan nën arrest për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie, një vepër e njohur rëndom si gjobëvënie.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH