Kryesore

Njeriu i mirë Dritëro! 

               Publikuar në : 09:04 - 17/10/20 liberale

Në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, lexuesi shqiptar mori të përmbledhura në një libër, të gjitha intervistat e Dritëro Agollit dhënë në vite në organe të ndryshme të shtypit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo përmbledhje është edhe sot dëshmi autentike e përmasës së tij si njeri i letrave, mendimit dhe figurë publike me peshë në zhvillimet e kohës që jetoi, për të na lënë trashëgiminë e vyer të njeriut që diti ta “peshojë” FJALËN …

 Henri Çili

Këtë vit Dritëro Agolli mbush 80 vjeç dhe takimi me studentët e pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, me rastin e akordimit nga Senati i UET të titullit “Doctor Honoris Causa”, është një rikujtim se Dritëroi është mes nesh po ai: i kthjellëti, i thelli, i paprituri, hokatari, i natyrshmi, njeriu i vizioneve letrare dhe atyre shoqërore. Është po ai që studentët, nipër të tij si brez, rrinë e dëgjojnë me endje, të rriturit që shohin tek ai intelektualin dhe figurën e madhe që ka gjithnjë diçka të re dhe të mençur për të thënë.

Nga largësia e tetë dekadave jetë në “krye të vendit”, Dritëro Agolli, ka shumëçka që mund të thuhet për jetën dhe veprën e tij, për veprimtarinë e tij publike, në shërbim të artit dhe kulturës, në shërbim të shoqërisë dhe popullit të vet. Ka një vepër letrare të plotë, ka një rol të dorës së parë në shumë momente të zhvillimit të historisë të Shqipërisë në këto 50 vjetët e fundit. Talenti, imagjinata, largpamësia dhe humanizmi janë tipare të padyshimta të jetës dhe veprës së tij. Ajo që do të bëhej simboli i jetës së tij, është titulli i një novele të hershme të tij, “Njeriu i mirë”.

Njeriu i mirë Dritëro Agolli i ka kapërcyer kufijtë e kohëve dhe pengesat e saj duke dalë gjithnjë jashtë kornizave dhe duke parë te ngjarjet, te fenomenet, te njerëzit pikërisht atë humanen, në krahasim me imperativët e kohës, imperativë që çfarëdo kohe i ka, në diktaturë a në demokraci, në shtrëngesë apo në liri.

Te “njeriu i mirë” Dritëro Agolli mishërohet një lidhje e rafinuar me të thjeshtën dhe universalen, me natyrën dhe njerëzit, një refuzim sistematik i varakut të kohës që gënjen shumëkënd në një kohë dhe kontekst të caktuar.

Me vepër të madhe nga pas, Dritëro Agolli nuk e ka patur të lehtë të qëndrojë “njeri i mirë” në të gjitha dekadat nëpër të cilat ka kaluar jeta e tij. Me atë pozitë shoqërore e politike, aq më të vështirë e ka patur për të qenë e për të mbetur “njeriu i mirë’. Por ai ia ka dalë; ia ka dalë të ketë në opinionin publik një pranim të gjerë dhe gati konsensual, sepse dashuria për njerëzit dhe Shqipërinë e ka udhëhequr jetën e tij, sepse largpamësia ka qenë talenti i tij, sepse universalja ka qenë dhuntia e tij, përkundrejt të përditshmes, konvencionales.

Agolli, “njeriu i mirë”, ia doli të ishte pedagogu dhe kolegu i shumë gazetarëve të viteve ‘70-‘80, duke nxitur tek ata frymën kritike, kundër skematizmit dhe mediokritetit dhe, shtuar kësaj, të mbështesë personalisht shumë talente të reja. Dritëroi, veç kësaj, e ndikoi fort fjalën e shkruar shqipe me stilin e tij origjinal, me verbin e tij të fuqishëm, me guximin për të shpërthyer mërzinë apo dëshpërimin e kohës së vet.

“Njeriu i mirë”, ka lëshuar, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhjetëra “fletë – talenti”, për poetë, artistë e shkrimtarë të rinj, që biografia, Komiteti apo mesatarja nuk i lejonte të shkonin në shkollë të lartë, duke i dhënë një të ardhme të pashkëmbyeshme shumë e shumë njerëzve. Pa folur këtu për Dritëroin, “njeriun e mirë”, që priste e përcillte këdo duke ndihur për çfarëdolloj halli e qejfi çdokënd që ia behte në derën e Lidhjes apo në shkallën e pallatit të tij.

“Njeriu i mirë” Dritëro Agolli, me dhimbjen e sinqertë të pendimit për një epokë të errët të Shqipërisë nën komunizëm, edhe pse ishte në zemër të sistemit, nuk hezitoi të ndahej me të, fort e qartë, duke i dhënë një shtysë të fortë dhe vendimtare, emancipimit të së majtës shqiptarë, emancipim pa të cilin demokracia shqiptare do të qe rrezikuar me kohë. Me fjalimin e tij në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës në qershor 1991, Agolli hap një epokë tjetër. Befason kur më 1992, edhe pse deputet i opozitës, voton presidentin e parë demokrat të Shqipërisë, Sali Berishën. Sikurse nuk heziton, pak vite më vonë, të godasë në shtyp apo me poezinë e angazhuar presidentin Berisha gjatë shkarjes autoritariste të tij si në vargjet “në vendin tim, në vendin tënd, një i çmendur po na çmend”. Duke kapërcyer gjithnjë kufijtë e duke qenë i papritur, i bëhet sërish krah reformimit të së majtës, duke mbështetur kryetarin e opozitës në burg, Fatos Nanon, më 1996, sikurse dy vjet më vonë e godet rëndë “nanoizmin” e instaluar në pushtet, që ka marrë tashmë formën e asaj që Dritëroi tani e stigmatizon si “shkërdhatokraci’.

Gjithnjë i papritur, gjithnjë jo konvencional deri tani në fund, kur një telefonatë urimi për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, habit në të njëjtën mënyrë shumëkënd. “Epo unë urova kryetarin e Bashkisë së qytetit tim, ku jam qytetar nderi, jo Jakomonin”- thotë me të qeshur, kur gjesti i ka merituar komente në shtyp.

Duke nderuar Dritëro Agollin, njeriun e mirë dhe të madh të një Shqipërie, që ka gjithnjë e më shumë njerëz të vegjël dhe të këqij, mjediset universitare shqiptare takojnë e lidhin brezat, bashkojnë traditën dhe i japin sadopak vend modest vlerave të shoqërisë sonë, krijimi i të cilave është aq i mundimshëm.

Kurse në planin personal, në ditën që takoj Dritëro Agollin me pelerinën dhe shallin e “Doctor Honoris Causa”, ndiej mirënjohje për të dhe për atë komunikim të mrekullueshëm që kam patur me Dritëroin si reporter i gazetës ‘Koha Jonë’ që nga viti 1995; nga bashkëpunimi në revistën ‘Spektër’ me rubrikën e tij në faqen e fundit “Arka e djallit”. E vijuam më tej këtë bashkëpunim me të: me përgatitjen e një botimi me intervista të të gjithë jetës së tij, botim i Universitetit Europian të Tiranës, si mirënjohja jonë modeste për datëlindjen e 80-të të tij.

 

MAPO, 20 gusht 2011

Çdo ditë e më tepër drejt mitit

Ç’është, ose ç’presupozon lindja e një njeriu?

D.Agolli: Natyra ndaj çdo qenieje të gjallë vë vetëm një detyrë: rigjenerimin, përtëritjen e gjeneratave. Edhe ndaj kësaj qenieje të gjallë që quhet njeri, natyra kërkon vetëm një gjë: rigjenerimin. Kur lindet një njeri prindërit çlirohen nga një detyrë e madhe e natyrës. Nuk ka rëndësi për natyrën se nga cili vend ishte femra që u bashkua me mashkullin, ishte nga Shqipëria apo nga Zanzibari, mjafton që kjo lindi. As ka rëndësi për natyrën se këtë njeri e la kjo femër në vendin që lindi, apo e mori me vete, fjala vjen në Zanzibar. Rëndësi ka që ajo e kreu detyrën ndaj natyrës. Pra, lindja e njeriut është një akt i madh konkludiv, një nukleo detyrash dhe premtimesh ndaj gjithësisë; është një nukleo (nucleo) i thesarit të natyrës, që vjen për të dhënë premtimin: “Unë do të ripërtërij, unë, kjo nukleo, do të shtoj një gjeneratë për t’ia pasuruar thesarin natyrës”. Ky është kuptimi i parë i lindjes së njeriut, kuptimi biologjik i barabartë me të gjitha qeniet e gjalla. Ndërsa kuptimi shoqëror dhe njerëzor i kësaj lindjeje është i shumëfishtë, është një akt dhe një nukleo që i përmbledh të gjitha: kërkesën e madhe të natyrës, kërkesat e shoqërisë. Njeriu lind që të trashëgojë ato që kanë lënë paraardhësit, lind për t’u bërë zot i këtyre trashëgimeve, lind për t’i pasuruar ato dhe ajo që është më e madhja, lind për të transformuar. Bërtitja e tij që sapo bie nga mitra e nënës së vet është një bërtitje që përmban shumë klithma dhe janë klithma kolosale, megjithëse nuk i kuptojmë. Kafshët e porsalindura, e porsarëna nga mitra, nuk bërtasin. Një viç i porsalindur nuk bërtet, siç bërtet njeriu i porsalindur. Me këto britma ai shpreh protestën dhe kontestimin e pandërgjegjshëm spontan dhe të pakuptueshëm. Këto britma thonë: “Unë linda. E dëgjuat që linda? Unë linda të transformoj. Mua kjo botë e krijuar deri tani nuk më kënaq, prandaj po bërtas! Unë erdha të transformoj. Unë kundërshtoj. Ju dua përmes kundërshtimit”.

Lindja e njeriut presupozon, pra, zotërimin e vlerave të trashëgimisë dhe transformimin e tyre. Njeriu lind që të bëhet zot i gjithçkaje, duke kundërshtuar dhe duke transformuar gjithçka.

– Po maturia e tij?

D.Agolli: Maturia, ose e shqipëruar, pjekuria e njeriut, është grumbullimi fije për fije i përvojës së të jetuarit dhe kthimi i këtij grumbullimi përvoje në nukleo dijesh, në nukleo intelektuale. Maturia vjen, kur fillon t’i vesh pikëpyetje vetes: përse jetova? Po më tutje çfarë do të bëj? Çfarë individi jam? Në çfarë raporti jam unë me individë të tjerë? A kam personalitet? Pse ka ai tjetri më shumë personalitet se unë? A po arrij ta njoh vetveten? Domethënë, shkalla e parë drejt maturisë është vetëdija e fillimit të njohjes së vetvetes. Shkalla e dytë drejt maturisë është njohja e mekanizmës gjigande të shoqërisë me institucionet e saj dhe me gjithë ingranazhet shtypëse, që tjetërsojnë njeriun. Është fillimi i vënies së pikëpyetjeve dhe fillimi i dyshimeve: A janë të vërteta këto që thonë autoritetet sociale e politike? A mund të ketë përsosmëri jeta dhe shoqëria? Çfarë i mungon kësaj bote? Si duhet përsosur? Dhe shkalla e tretë që e shpie drejt plotësimit pjekurinë është vënia në dyshim e dijeve dhe diturive të vetvetes me shprehjen lapidare: “Unë di një gjë, që nuk di asgjë”. Këtë e thotë i dituri që ka arritur maturinë. I kufizuari në mendime apo budallai nuk mund të thotë kurrë: “Unë di një gjë që nuk di asgjë”. I kufizuari në mendime apo budallai thotë: “Unë i di të gjitha”. Sa budallenj ka tani nëpër gazeta apo partira që thonë: “Ne i dimë të gjitha, ju që keni folur në këto pesëdhjetë vjet, pushoni!”

Po maturia nuk vjen tek të gjithë njerëzit njëlloj dhe në një moshë. Kjo varet nga qarqet ku ka jetuar njeriu dhe nga zotësitë vetjake intelektuale, nga aftësitë biologjike të trurit etj. Maturinë e pengojnë paragjykimet, kanunet, ligjet dhe zakonet provinciale. Dhe mbi të gjitha e pengon psikologjia e “status quo-së” së moralit të fisit dhe të shoqërisë, frika për të thyer normat e moralit ekzistues. Kush thyen normat e moralit të shoqërisë ekzistuese shpreh guximin e tij për të shkuar drejt maturisë. Maturia është aftësia për të bërë sintezë.

– Vdekja, ç’do të thotë, mos vallë një fund?

D.Agolli: Leon Tolstoi ka thënë afërsisht: vdekjen ne e konceptojmë filozofikisht, se po ta konceptonim praktikisht do të çmendeshim. Kjo thënie e Tolstoit është e vërtetë. Asnjëri nga ne nuk mendon se do të vdesë vetë. Vdekjen ngaherë e shohim tek të tjerët. Në fakt vdekjen njeriu nuk e takon kurrë, pasi kur vjen ajo, njeriu nuk është. Njeriu vetëm dëgjon kërcënimet e vdekjes, por atë nuk e sheh. Filozofët thonë se vdekja është një proces i jetës. Të gjithë vdesin, të gjithë lindin. Vdekja nuk është fund për natyrën. Qeniet që vdesin kthehen në material për të lindur jetë të tjera. Për poetët vdekja është hiç, është fund. Për mua vdekja është një fenomen i zakonshëm për të lindur jeta. Vdekja ushqen jetën dhe jeta ushqen vdekjen. Jeta dhe vdekja flenë në të njëjtin jastëk, puna është se cila nga këto zgjohet më shpejt.

Nuk është e vërtetë që vdekja është fund. Vdekja është edhe fund, edhe fillim. Por vdekja është fisnike kur vjen vetë. Kur e sjellin të tjerët, kur e sjell njeriu me thikën, plumbin, dinamitin dhe bombën, ajo është barbare, është e tjetërsuar, nuk është ajo e madhja dhe e natyrshmja. Është vdekje e kultivuar nga njeriu, është bastarde, artificiale. Çdo gjë bastarde është e shëmtuar. Vdekja me dhunë nuk është vdekje, pasi nuk është demokratike. Vdekja e natyrshme është më demokratikja nga çdo gjë, pasi nuk pyet as për të pasur, as për të varfër, as për presidentë, as për hamej. Para saj janë të barabartë të gjithë. Mua kjo barazi më pëlqen. Uollt Uitmani i ka ngritur një himn të tërë demokracisë së vdekjes.

AKS, 13 – 14 maj 1995,

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back