Aktualitet

Njeriu i luftës dhe i paqes

Shkruar nga Liberale
Njeriu i luftës dhe i paqes

Prof. Dr. Tonin Gjuraj*

Kosova ka qenë për vite e vite me radhë një prej brengave dhe dhimbjeve tona më të mëdha, dhimbje dhe brenga të cilat, edhe 19 vite pas çlirimit të saj, ruajnë shenjën e tyre të pashlyeshme në memorien tonë. Kjo memorie, për pjesën tonë, Kosovën, është e mbushur me kujën e nënave për të vrarët, është e mbushur me lotët e bashkëshorteve apo motrave për burrat dhe vëllezërit e tyre, është e mbushur me psikamat e çetnikëve dhe ulërimat e viktimave. Kjo memorie e jona është e mbushur me tregimet dhe imazhet e Sylo Vokshit, Ahmet Prizrenit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadrisë, Shaban Polluzhës, Adem Jasharit, etj., njerëz të cilët në momentet më të vështira, nuk patën asnjë drojë të shkojnë në luftë për atë vend.

Memoria jonë është e mbushur dhe me krijimtarinë e thellë të intelektualëve, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Bajram Kelmendi, etj., zemra e të cilëve rrahu fuqimisht për atë vend të robëruar. Memoria jonë është e mbushur edhe me përkushtimin e thellë të politikanëve, të cilët në çastin e errët të uzurpimit të ish Jugosllavisë nga Millosheviç-i dhe të shndërrimit të shqiptarëve dhe Kosovës në një geto, patën kurajë të dalin në krye të atij populli dhe të flasin për lirinë, të luftojnë për të, të bëhen bartës të asaj aspirate shekullore, që kish jetuar duke u dridhur në zemrat e të gjithëve: Pavarësia. Në këtë grup politikanësh dhe patriotësh, si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Nexhat Daci, Bujar Bukoshi, Mahmut Bakalli, Mark Krasniqi, Ekrem Kryeziu etj., në vitin 1999 do të shfaqej edhe një djalë i ri, që quhej Hashim Thaçi. Për herë të parë, ne shqiptarët dëgjuam për të në ditën kur në Rambuje, në vitin 1999, do të zhvillohej konferenca e shumëpritur për paqen në Kosovë. Pikërisht aty nis një rrugëtim i ri, aty nis një epokë e re. Për herë të parë, pas një shekulli, po mbahej një koferencë për Kosovën. Ky rrugëtim i ri do të bëhej nën shenjën e SHBA-ve dhe BE-së, por sidomos të Rugovës, Thaçit, Aganit, Krasniqit dhe sakrificës së popullit të Kosovës.

Universiteti Europian i Tiranës, i cili ka patur gjithnjë një lidhje të patregueshme dhe shumë të fortë me Kosovën, i jep sot titullin “Doctor Honoris Causa” z. Hashim Thaçit, njeriut që do të shndërrohej, që nga ajo konferencë, në një prej drejtuesve kryesorë politikë të luftës për pavarësi dhe, më pas, në një prej drejtuesve të spikatur të qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Thaçi ishte njëri nga ata që ishin në luftë për të bërë paqen, që ishin në luftë për të ndalur një fatkeqësi të përbindshme, që ishin në luftë për ta parë Kosovën të lirë. Me të ishte populli i Kosovës dhe i Shqipërisë. Me të ishte gjithë dhimbja e mbledhur lëmsh në grykë për gati një shekull.

Universiteti Europian i Tiranës i jep këtë titull për kurajën e madhe, maturinë dhe shembullin e madh të atdhedashurisë që ai shfaqi në momente kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë. Universiteti Europian i Tiranës i jep Hashim Thaçit këtë titull edhe për kontributin e madh në liri dhe paqe, në përpjeket e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë e demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke, mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta.

Hashim Thaçi diti të jetë politikan pas luftës, diti të rrijë në opozitë, diti të nderojë kundërshtarët. Hashim Thaçi u bë kryeministër, ishte në krye të përpjekjeve për të shpallur vendin të pavarur. Beteja për pavarësinë në paqe mund të jetë edhe më e vështirë se sa ajo në luftë. Gjatë kohës që ai ishte kryeministër dhe tani që është president i Kosovës, ai ka qenë një promovues i fuqishëm i rrëzimit të barrierave mes Prishtinës dhe Tiranës. Sot, të dy vendet tona jetojnë një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshëm disa vite më parë. Me ndërhyrjen e tij vendimatre, ai nxiti dhe lehtësoi bashkëpunimet dhe shkëmbimet akademike e shkencore, njohjen reciproke të diplomave, duke hapur kështu rrugën për një treg të përbashkët edukimi midis Shqipërisë dhe Kosovës. Thaçi ka promovuar me forcë dialogun me Beogradin, duke e parë atë, si mjetin e vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe çuar përpara integrimin për në BE.

Për të gjitha këto, për kontributin e madh në luftë, për kthjelltësinë dhe kurajën në përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe të demokracisë, për përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, për procesin e dialogut dhe atë të integrimit të Kosovës në botën demokratike, UET i jep presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, titullin “Doctor Honoris Causa”.

Fjala e mbajtur në UET me rastin e dhënies “Doctor Honoris Causa" për presidentin Hashim Thaçi më 15 shkurt 2018. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH