Globi

Njerëzit në Iran brohorasin "vdekje Raisit", protesta për mungesën e ujit

Shkruar nga Liberale
Njerëzit në Iran brohorasin "vdekje Raisit", protesta

Qindra persona protestuan mungesën e ujit në provincën qendrore iraniane të Chaharmahal dhe Bakhtiari, duke brohoritur "vdekje Raisit", referuar presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi.

Sipas videove të publikuara në mediat sociale më 16 gusht, qindra protestues u mblodhën përpara ndërtesës administrative të Chaharmahal and Bakhtiari në kryeqytetin rajonal, Shahrekord, për shkak të krizës së mungesës së ujit që zgjat prej 10 ditësh, me banorët që burimin e vetëm të ujit të përditshëm e marrin përmes kamionëve.

Forcat e sigurisë iraniane janë parë në mesin e protestuesve, por deri më tani nuk është raportuar për dhunë.

Ndërsa shumica e Iranit ka vuajtur nga mungesa e ujit për vite, kriza e fundit në Chaharmahal dhe Bakhtiari u intensifikua kur burimi i Kohrang-ut u hoq nga qarku i furnizimit me ujë të pijshëm.

Ahmadreza Mohammadi, kreu i ujësjellës-kanalizimeve në Chaharmahal dhe Bakhtiari, njoftoi se burimi ishte jashtë funksionit për shkak të "turbullimit të ujit të burimit Kohrang" si pasojë e një përmbytjeje të kohëve të fundit.

Më 14 gusht, Etezad Moghimi, drejtor i përgjithshëm i zyrës së menaxhimit të krizave në Ministrinë e Energjisë, premtoi se brenda ditës do të funksiononin të gjitha impiantet e trajtimit të ujit dhe do të zgjidhej problemi i furnizimit me ujë.

Banorët e krahinës janë ankuar në rrjetet sociale se situata nuk është përmirësuar pavarësisht premtimit. Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm thatësirat dhe përmbytjet në Iran dhe se intensiteti dhe shpeshtësia e tyre kërcënojnë sigurinë ushqimore.

Dhjetra protesta janë mbajtur në të gjithë Iranin muajt e fundit për shkak të përkeqësimit të kushteve të jetesës në vend, i cili është goditur rëndë nga sanksionet e SHBA-së të vendosura për programin bërthamor të Teheranit./rel/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH