Kryesore

Një vizitor në korpusin letrar të Kadaresë

               Publikuar në : 11:32 - 09/09/19 Diana Çuli

Rreth librit “Vizitor në Kullën e letrave”, nga Minella Aleksi.

Diana Çuli

Kur redaksia e botimeve të UET më dërgoi librin “Vizitor në kullën e letrave”, të z. Minella Aleksi për ta lexuar dhe mundësisht për të shkruar një parathënie, pasi e lexova, për mua ishte një befasi.

Jo befasi për mënyrën e të shkruarit, sepse  autori është i pranishëm jo rrallë në shtypin shqiptar, kryesisht për çështje letrare dhe për analiza e mendime kritike letrare për shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë, por për një arsye tjetër: jo shpesh ndodh që një përmbledhje artikujsh të shkruar ndër vite të ketë një koherencë të tillë, një fill që e përshkon fund e krye. Në këtë libër ne gjemë unitet të subjektit që ai ka marrë përsipër të shqyrtojë, rimarrje dhe rishikim të informacionit dora dorës që analizon, koherencë të këtyre informacioneve dhe, ç’është më e rëndësishmja, një konstante të patundur të pikëpamjeve të tij. Në përmbledhjet ndodh që artikujt kanë tema të ndryshme dhe ata tingëllojnë të ndryshëm nga njeri tjetri, e jo vetëm nga përmbajtja, por edhe për shkak të periudhave të ndryshme kohore. Sigurisht, fakti që Aleksi ka paraqitur këtu kryesisht këndvështrimin e tij kritik letrar mbi thelbin e veprës së Kadaresë, e ndihmon për këtë tipar të strukturës dhe qasjes së tij analitike. Nga ana tjetër, pikërisht distancat kohore që ndajnë një shkrim nga një tjetër, një studim nga një tjetër, gjatë të cilave zbulohen fakte të reja, thellime e interpretime më të zgjeruara të veprës së shkrimtarit tonë të madh, Kadaresë, numri i madh i studiuesve të veprës së tij jashtë e brenda Shqipërisë, nuk e bëjnë aspak të lehtë këtë sipërmarrje të tijën për të ndjekur jo vetëm rrugëtimin e pandalur të veprës së Kadaresë dhe brendësinë e pamatë, tejet të pasur e të thellë të mendimit kadareian.

Titulli i librit “Vizitor në kullën e letrave”, përmban në vetvete një metaforë mjaft të gjetur e kuptimplote.  Kulla e letrave e shkrimtarit që ai ndjek prej vitesh është vërtet e tillë: herë-herë të duket e padepërtueshme, herë e paarritshme, herë tejet verbuese për të kuptuar deri në fund thelbin e saj të shumëfishtë. Për këtë arsye Aleksi mendon se fjala vizitor i shkon më shumë ecjes së tij të pandërprerë, kundrimit që i ka bërë kësaj kulle – vepër, por, që, në të vërtetë, me shkrimet e përmbledhura, na jep mundësinë ta shohim nga shumë këndvështrime e të krijojmë një mendim më unik.

Minella Aleksi, në këtë libër, e analizon dhe e vështron veprën e Kadaresë në disa drejtime kryesore. Së pari ai vlerëson dhe peshën e rëndë që ka përfaqësuar dhe përfaqëson kjo vepër në korpusin e letërsisë shqipe dhe konkurrimin e saj dinjitoz në botë. Së dyti, argumenton me mjaft shembuj vazhdimësinë krijuese të  shkrimtarit për denoncimin e diktaturës përmes veprës letrare. “’Dimri i vetmisë së madhe’, shkruan M. Aleksi, është romani i denoncimit të krimeve në diktaturë(…) Në këtë roman të gjithë personazhet si: shtresa e intelektualëve dhe artistëve, shtresa e të rinjve shqiptarë, shtresa e klasës punëtore, udhëheqja e partisë dhe komunistët, nëpunësit e sigurimit famëkeq dhe K.Xoxe, shtresa  e familjeve të dëshmorëve, fshesaxhinjtë e rrugëve, etj. janë trajtuar artistikisht në mënyrën më realiste. D.m.th. tema e shkëputjes dhe sjellja, reagimi i shtresave shoqërore në raport me këtë bërthamë janë zhgualli që e bëjnë romanin një vepër të tërë. Kaq vërtetësisht është pasqyruar ajo periudhë në roman, kaq realë janë dialogët e personazheve, aq sa lexuesi e gjen veten brenda personazheve.”. Autori i shkrimeve e përcakton veprën letrare të Kadaresë si sistem universal antitotalitar, duke përmendur edhe motivacionin e çmimit Asturias të dhënë shkrimtarit: “Një zë universal kundër totalitarizmit”, po edhe shumë raste të tjera të ngjashme nga kritika botërore.

Së treti, Minella Aleksi i është rikthyer dhe ka i hyrë shtigjeve të historisë, duke ndjekur shkrimtarin. Në analizën që u bën eseve të Kadaresë, artikujve shkrimeve dhe veçanërisht përsiatjeve të tij tek “Mosmarrëveshja”, për pavarësinë e Kosovës dhe për ‘shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes neo otomaniste’, autori  thekson se “shkrimtari Kadare jo vetëm që rizgjoi shqiptarët në këtë fillim shekulli, por denoncoi dhe nxorri jashtë loje në mënyrë shkatërrimtare, në dritën e diellit, projektet antishqiptare që synojnë mbajtjen larg nga Europa me qëllim shpërbërjen e Shqipërisë.” Shkrimtari këto qëndrime të Kadaresë i quan “manifeste filozofiko-shoqërore”.

Gjithashtu, Minella Aleksi trajton, herë në formën e një polemike, herë në formë debati e herë si përsiatje, tema të ndjeshme si ç’mitizimi, identiteti i shqiptarëve, problematika të vetë ne shqiptarëve që shpesh mohojmë vetveten dhe na tërheq zvarrë e na zë sytë një mendim i ngulët personal, pa patur të qartë tablonë e madhe e të gjerë jo vetëm të një vepre letrare, por vetë shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj. Nuk lë pa trajtuar edhe ç’vlerësimin e piramidës së vlerave që ndodh rëndom në botën tonë letrare, për shkak të lavdeve të pa merituara dhe të “harresës’’ për ata që e meritojnë ose që përparojnë dhe dallojnë, duke prekur kështu një temë të ndjeshme në rrethet tona krijuese, por që ende nuk po ia dalim të vendosim kritere objektive dhe reale në shumicën e rasteve në vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave të vërteta letrare dhe artistike.

Në një shkrim tjetër mbi veprën e fundit të Kadaresë “Kur sunduesit grinden”, autori shkruan: “Kur e mbaron së lexuari “Sunduesin”, të krijohet përshtypja që shkrimtari ka pasur një projekt, të bëjë testin e kapacitetit të gjuhës që shkruan, të eksperimentojë edhe një herë të fundit, duke e vendosur gjuhën shqipe në “bankën e provës” për testin e përsosjes së saj.”

Në libër ndeshim dhe në analiza të romanit « «Ferri i çarë »  të Visar Zhitit, që Aleksi e përcakton “humanizmi i burgosur”, ku vë në dukje “meditacionin e autorit mbi thelbin e personalitetit te njeriut dhe antihumanizmin totalitarist, pyetjet e shumta që ai ngre mbi domethënien e episodeve që përshkruan e që përbëjnë një mjet stilistik tipik që e shpie arsyetimin e lexuesit drejt deduksioneve të përgjithshme”.

Po ashtu kemi një shkrim me titull “Racionaliteti, talisman i veprës së autorit Spartak Ngjela”, ku, mes të tjerash shkruan: “Lind pyetja: në këto rrethana burgu, çfarë e ka bërë kaq stoik këtë njeri? Përgjigjen e gjen në libër përgjatë leximit…”. E, më tej, pa harruar edhe të flasë për stilin e Ngjelës, ai shkruan: “Stil që dallon ngaqë racionalja klasike gërshetohet me romantizmin tradicional, duke ndikuar te lexuesi emocione të forta”.

Së fundmi, do të shtoja se analizat e thelluara të Minella Aleksit janë të shkruara me një gjuhë që nganjëherë anon nga ajo publicistike, por që e rrëmben lexuesin ta lexojë pa u lodhur dhe me një frymë. Kjo prirje i jep ritëm shkrimtarisë së tij, herë-herë, siç përmendëm edhe polemiste, duke sjellë një kontribut mjaft origjinal në trajtimin e veprës dhe personalitetit të një shkrimtari si Kadareja.

Në çështjet dhe temat që trajton, në përgjithësi e jo vetëm për një vepër të dhënë, Minella Aleksi i referohet shkrimtarëve, filozofëve të botës së shkuar e të sotme, duke krahasuar, mbështetur apo gjykuar, përmes krahasimit, vetë mendimet e tij dhe të të tjerëve nga një mori këndvështrimesh. Kjo e bën veprën e tij dhe më interesante, më solide, më dinamike dhe më të vërtetë./Gazeta Liberale

(Visited 74 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *