Editorial

Një vit në Kuvend/ Cili është bilanci i opozitës parlamentare?

Shkruar nga Liberale
Një vit në Kuvend/ Cili është bilanci i opozitës

Korab Lita

Afro një vit më parë unë dhe shumë prej kolegëve të opozitës parlamentare, deputetë të listës, morëm një vendim të fortë, ndoshta vendimin më të rëndësishmin e jetës tonë:

Të pranonim kundër diktatit të partisë, dhe liderëve të partive opozitare, përfaqësimin e popullit opozitar të djathtë, dhe popullit opozitar në përgjithësi në këtë parlament.

Në atë kohë kjo nuk qe një lëvizje rrogash, nuk qe një lëvizje statusi, nuk qe një lëvizje makinash e aq më pak dietash, por ishte një lëvizje parimore.

Ne shpallëm mision, rivendosjen e rregullave të lojës ndërpartiake dhe sidomos hapjen e sistemit politik brenda Partive.

Të dyja këto qëllime kanë një të përbashkët.

Pas 30 viteve të përmbysjes së komunizmit, në Shqipëri duhet të këtë: garë demokratike brenda partive, gare demokratike ndërpartiake, pra zgjedhje te lira e te ndershme.

Një vit më pas, cili është bilanci?

Një vit më pas çfarë kemi arritur dhe çfarë premton sot gjendja e opozitës parlamentare për interesin publik, për interesin e qytetarëve dhe interesin e demokratëve në përgjithësi?

Unë druaj se asgjë! Sepse veprimet tona, veprimet e shumë prej kolegëve për të përjashtuar ndokënd që nuk është implikuar në të tilla pazare, afera apo komprometime, moskordinimi i grupimeve të reja opozitare në parlament, si dhe taktikat e pareshtura dhe të shumëllojshme për të blerë, shantazhuar, kërcënuar, joshur, apo kompromentuar përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ka bërë që ky funksion të dale jashtë loje.

Nga një vit më parë, çfarë kemi arritur në raport me misionin tone per përfaqësimin e popullit demokrat dhe opozitar.??..

Thuajse aspak, apo thuajse asgjë.

Shumë prej votimeve të ligjeve me frymë etatiste, Centralizuese, aq më tepër kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, siç është paketa antishpifje, kanë pasur aty këtu dhe kuturu pa asnjë kuptim edhe votat e opozitës parlamentare.

Një vit më parë, çfarë kemi arritur ne me misionin e dytë.

A kemi avancuar ne, me reformën elektorale dhe opsionin tonë për hapjen e listave, për konkurueshmëri të drejtë ndër partiake dhe brenda partive politike?

Aspak. Aq sa sot në mënyrë të turpshme në Këshillin Politik ne perceptohemi si palë e qeverisë.

Kemi pranuar që të në katërshen e Këshillit politik të anojmë nga qeveria, ku opozita jo-parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 ka gjysmën tjetër.

Pra Këshilli Politik ka dy palë dhe jo tre pale, siç duhet të kishte realisht.

Në proces është përfshirë edhe opozita jo parlamentare dhe është bërë shumë mirë, sepse ajo përfaqëson vullnetin zyrtar të 25 Qershorit, por pas një viti lind pyetja:

A e kemi kryer ne rolin bazë që ka opozita, pavarësisht nga origjina, pavarësisht nga mënyra e ardhjes në parlament, pavarësisht nga emrat dhe pavarësisht nga lista?

Druaj se jo, ose aspak, madje herë -herë me votime kaotike, me fjalime qesharake me ndërhyrjet e pakuptimta, ne jo vetëm nuk kemi kryer një mision opozitar në interes të publikut, në interes të demokratëve dhe opozitarëve në Shqipëri, por praktikisht i kemi lënë hapësirë të lire këtij parlamenti të funksionojë si një shumicë moniste me të gjitha mbi pushtetet.

Ligje të degraduara janë votuar, ligje idiote dhe pakuptimta kanë kaluar, madje dhe ligje të rrezikshme për gjendjen e demokracisë, per standardet e saj, dhe për më tepër 30 vite më pas janë në zhvillim e sipër siç është paketa ANTI- KÇK.

Pasojë e gjithë këtij dështimi të opozitës parlamentare ne kemi sot një degradim të përgjithshëm të gjendjes demokratike të Shqipërisë, gjendjes së treguesve të administrimit dhe atyre ekonomik.

Së pari, të gjitha raportet ndërkombëtare e nxjerrin pozitën e Shqipërisë në përkeqësim e sipër në të gjithë treguesit e saj, ekonomik, social, kulturor në të gjitha renditjet ndërkombëtare.

Korrupsioni është rritur, Shqipëria ka humbur pikë në të gjitha planet.

Së dyti, Partitë tona politike nga ku erdhëm ende nuk kanë asnjë avancim serioz drejt rivendosjes së garës brenda partiake, për shkak të faktit se presioni dhe misioni jonë si opozitë parlamentare nuk është kryer deri në fund dhe druaj se nuk do të kryhet deri në fund, aq më tepër ku ne kemi humbur veton, kemi humbur kushtëzimin, kemi humbur të qenit palë në lojën trepalëshe, Qeveri- Opozita Jashtë Parlamentare – dhe Opozita parlamentare.

Duke u reduktuar palë me qeverinë ne kemi humbur pothuajse çdo aftësi imponuese.

Këtë fakt, jo me larg se në seancen e kaluar, e konfirmoi edhe vetë Kryeministri, i cili pasi u sigurua që gjeti një rrugë për t\u kthyer te stani i vjeter, na u drejtua shprehimisht.

Për çfarë më duheni ju mua..

Unë druaj që ne si deputete Opozitare dhe përfaqësuesit tanë në Këshillin Politik të reformës zgjedhore do të arrijmë diçka në lidhje me përmirësimin e konkurueshmërisë brenda sistemit.

Së treti, sikur e gjitha kjo të mos mjaftonte, qeveria ka avancuar më tej, sepse një pushtet kur nuk kontrollohet, kur nuk ekuilibrohet ai degradon gjithnjë e më shumë.

Paketa Anti - KÇK, diskutimin e thellë të cilën do ta bëjmë kur të na vijë në Kuvend është manifestim i qartë i degradimit të qeverisjes në populizëm, shkeljeve të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha në defunksionalizimin e organeve të reja të drejtësisë ku:

Prokurori i Përgjithshëm, Kryeprokurori i SPAK janë vartës të Ministrit të Brendshëm në Komitetin qeveritar, ku ne fakt, duhej të ishin ata kontrolluesit e qeverisë

Ku sot në Shqipëri ti duhet të dëshmosh pafajësinë tënde dhe jo organet kompetente duhet të dëshmojnë fajësinë tënde siç është natyra demokratike

Ku prona dhe biznesi mund të sekuestrohen mund të denatyrohen, pastaj nuk dihet se kur, nëse vendimet gjyqësore janë në favor të sekuestruarve dhe ato veçse mund të kompensohen.

Kjo është shfaqje e fundit e një populizmi in-extremis nga nevoja e popullit shqiptar për drejtësi, është etiketa më domethënëse e dështimit e gjendjes demokratike dhe e zhvillimit të Shqipërisë, por ne si opozitë parlamentare kemi rolin tonë të patjetërsueshëm, sepse ne nuk e kryem funksionin tonë, ne dolëm jashtë loje, ne nuk i dhamë dot demokratëve dhe popullit opozitar në tërësi dhe interesit publik një instrument i cili do ta ekuilibronte qeverisjen, do ta kontrollonte dhe do ta denonconte atë dhe mbi të gjitha do të kthente garën politike në vend, do të kthente konkurrencën demokratike, do të kthente shëndoshjen e sistemit tonë politikë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH