1

Një tërheqje e privilegjuar

               Publikuar në : 11:18 - 22/05/21 liberale

Vladimir Myrtezai 

Kurrë nuk e kisha imagjinuar që në një njohje emri Pediona do të ishte një pretekst për të kërkuar: nga vinte, çfarë origjine kishte në përmbajtje e shumë ngasje të tjera që të lidhin me këtë emër të përzier me ekzotizëm e fantashkencë. Kishte vetëm një të dhënë orientuese: ajo vjen nga një krahinë nga ku mund të dëgjosh kombinime e shartime nga më të papriturat – Himara. Në këtë zonë kisha shumë të njohur dhe histori të vjetra. Jeta kish bërë të mundur kryqëzime dhe ecejake me njerëz nga më të çuditshmit.

Në krye të njohjes me të u ndjeva paragjykues, sepse mendoja se do të kisha në përballje një personazh me një histori të përsëritur, një arketip që gjeneron pamje rutinë, cit me folje tipike jugore, gjë që të vak paksa. Megjithatë kisha edhe njëfarë ndjesie se mund të ishte një prerje fatlume dhe inteligjente. Ja që u gabova në nuhatjen e parë e të shpejtuar mbi një vajzë të re, që sapo kish shkelur pllakat thatime të Universitetit të Arteve me ëndrrën e bukur për të kryer një shkollë arti.

Përveç hijeshisë dhe avantazheve të freskisë që ofron me bujari mosha, do të thosha se në goditje të parë ke në dorë (në mënyrën se si vëzhgojmë një prurje) një naivitet të ndërvarur nga këta elemente ndërsyes të saj, me një dallim të ngulët e tërheqës për këtë vrojtim që të krijonte një pengesë në komunikim, pasi shfaqej e heshtur dhe disi përjashtuese. Ishte një lloj pengese e qartë që të servirej në nxit të kuriozitetit, për të kuptuar se pse të vjen përkundër ky lloj ngërçi që nuk të lejonte qasje. Jo se ishte indiferencë, por as lojë e holluar femrash për t’u dukur tërheqëse, as kundër pedal refuzues, por pak nga të gjitha, si një diktim i pakujdesshëm moshe a diçka që kishte të bënte me paqartësinë për të të iluzionuar, siç ndodh rëndom në një hetim të personazhit që afrohet për një udhëtim të vështirë midis psikologut dhe pacientit të sapobehur në divanin e bollshëm të artit.

Fakti që ajo vinte nga Himara e shtonte edhe më shumë paqartësinë time, sepse nuk vinte nga një bazë me traditë për sa i takon shkollës së artit. Zakonisht artet pamore kanë vuajtur historikisht nga një lloj “memecllëku” kur bëhej fjalë për të argumentuar krijimtarinë, pasi supozohej se piktorët e kanë përmbushur komunikimin më të lartë përmes shenjave, ndaj dhe apriori ky soj njerëzish ka gjetur strehë nën këtë mendësi të trashëguar. Si rrjedhojë, edhe në një proces mësimor, piktorët janë qeniet më të “dorëzuara”, pasi ndihet nevoja për t’u marrë në mbrojtje e për të bërë të dukshëm pikërisht këtë përkthim të mundshëm të këtij handikapi të vjetër. Por, aksioni për t’i bërë pjesë të zbulimit të tyre është një udhëtim sa i vështirë e po aq eksitues, pasi ke ndjesinë se po i zhvesh lëkurën një psike të çuditshme udhëtuese, si një risi e dukjes që shprehet me fjalë.

Për shkak të strukturës, përgjithësisht të gjithë subjektet e një atelieri arti i nënshtrohen një udhëtimi provë, në shumë drejtime, në një trekëndësh klasik të kësaj ndërhyrjeje. Hapi i parë është dekontraktimi me të gjithë background-in ose formimin e tyre. Hapi i dytë është riorientimi i ndjesive dhe i prirjeve në një hartë të zgjeruar të shprehjes. Ndërsa i treti është bashkëudhëtimi formues përmes testeve të ndërvarur e të programuar, për të gjetur kështu zërin e tyre të fshehur.

Në këtë hartë të zmadhuar të përvojave gjejmë sublimimin e prirjeve dhe energjive të mobilizuara në një hapësirë kreative e të pastër. Në njëfarë mënyre të gjithë ata që protagonojnë në mësimdhënie janë të interesuar që të kenë në krah personazhe sa më pak të ndotur nga formimi konvencional. Për këtë arsye, ky udhëtim mes atij që përzgjedh dhe talenteve që përfshihen është një udhëtim jetik me ulje-ngritje nga më të papriturat; me zbulesa nga më të çuditshmet. Por, këto zbulime jo gjithherë janë “të parashikuara”, sepse në të shumtë ato kryhen përmes një udhëtimi vrojtues, duke peshuar në kandarin e shijeve dhe gjuhëve shprehëse identitetin dhe karakterin e tyre, që herë është intuitiv e herë si një fluks kulturor me shprehi të ndërvarura.

Në këtë shtrëngesë kuptimesh dhe qasjesh hedh hapat vetëzbulues çdo personazh arti, pjesë e një udhëtimi të vështirë, sepse i duhet të ruhet nga ndikimi pedagogjik/kuratorial që e udhëheq, ama duke qenë i/e hapur ndaj “formulave” jetëgjata që ka provuar historia e artit. Kjo do të thotë të rezistosh në një dialog të hapur e krahasues në një terren që shpesh supozohet si i pashkelur.

“Arti lind aty ku nuk mundet” – është një tjetër këndvështrim mbi kuptimin e qenies si territor i panjohur e mistik, që nuk i dihet asnjëherë nga i gjen shkaqet për të ekzistuar si një vepër arti. Është një qasje asgjësuese për të qenit i hapur dhe për t’i dhënë thellësi e mistikë rendjes së pandalshme të habisë njerëzore në gjueti e sipër; jo si unitet i punës dhe i frymëzimit, por si një tjetër shteg ndërvarjesh e kundërtish që riformulojnë hapësirën e shprehjes: qoftë tekst, qoftë plastikë, qoftë teknikë/teknologji e kohës e kështu me radhë. E gjitha është një komunikim i lartë pasqyrues.

Pikërisht në një platformë të zgjeruar dhe përmes kodeve të komunikimit të dalin përpara formula të çuditshme në sjellje dhe reagim, që kanë të bëjnë me këtë dialog të hapur, duke u afruar në atelier për një bashkëjetesë kulturore.

Pediona udhëton në mënyrë ndërdisiplinore, ku herë shquhet me video nga më të veçantat, herë të tjera zhytet në atdheun e saj të vjetër – pikturën; ndonjëherë gërsheton gjuhën e hapësirës me atë objektit, duke na bërë me dije se nuk ka kohë të ndalojë.

Sheshpushimet e saj në gjuhën e plastikës të kujtojnë pas ekspresionistët, ku në platforma polarizuese gjurmimesh propozojnë një transcendencë të re të shprehjes, që ka të bëjë me një botë krejtësisht ndërkomunikuese, e lirë dhe ndër aktive.

Po ashtu, po të ndalojmë te videot më të mira të saj, hasim diferenca kontradiktore të gjuhës urbane dhe një lloj metafore bërë me ironi për gjithçka që e rrethon teksa kërkon. Ndonjëherë mund të shquajmë edhe impulse të një arti të angazhuar, ku ajo jepet pas ndikimeve te drejtpërdrejta të mjedisit që zgjedh të banojë kulturalisht.

I gjithë ai ngërç akomunikues në fillim mori udhën e një monologu krijues, duke e bërë mjaft tërheqëse shumën e shenjave dhe të ideve me të cilat ishte lidhur tashmë. E pakënaqur gjithnjë me limitet e shkelura në shtigjet e saj, ajo udhëton e shprehet si një kontradiktë e pastër për të njohur veten.

Nëse do keni mundësinë të shikoni portofolin e saj, do hasni referenca me elemente të kulturës bashkëkohore, në mënyrën se si ajo arrin që perceptimin mbi një studim të zgjatur të mos e përdorë si mjeshtëri, por si një materie organike që i flet vetëm asaj.

Tirana është një basen i madh tashmë që në varietetin e saj përfshin lëvizje interesante së bashku me individë që protagonojnë në një fushëbetejë idesh që nuk se përkthehen lehtazi në statuse të gjithfarshme të vet identifikimit të tyre. Dhe jo të gjitha i drejtohen origjinave pasiqë vetë koncepti origjinës si lojë pamore e shpërbën strukturalisht këtë identifikim.

Pediona Dautaj është një nonsens i përngjashëm me thelbin  e një vepre arti bashkëkohor. Ajo ende është një kontrasens natyral i vetë shpjeguar në kuptimin e radhitjes në të tilla hapësira si të papërkthyeshme e në një refuzim në ikje. Është një sindromë që do mund përbënte dhe thelbin e një rikonstruktimi të thërrmuar pamor si një udhëtim refuzues ndaj vetvetes dhe përballje me opinionin publik .Atë mund ta veçojë një pikë e tretë zbuluese si akti  i kuratorit për ta shpjeguar a jo shpjeguar tejkalimin e saj refuzues. Për të zbuluar arratinë e saj si arrogancë e të ndjerit e mbivendosur apo si akt i paranojës së përballjes direkte të saj. Gjithnjë ka një herë të parë.

Vendet ku na bie të shkelim bëhen të vakëta e pa hije nëse nuk ndërhyjnë mendjet e shpirtrat krijues që u japin emër. Artistët pamorë trajtohen shpesh si modelime të një hapësire ekzotike në një përzgjedhje të shpejtë të tipologjive të zonave, por tashmë kuti i matjes ka kthyer faqe dhe ata janë pashmangshmërisht celula idesh. Këtë na e mëson historia.

Ndryshimet në larminë e shprehjeve kanë ezauruar vatra krijimi nga më ekstremet, si dhe platforma e filozofi përfaqësuese nga më të arrirat. Arti është akoma një nga majat më të epërme të qenies, një vlerë për vlerat, dhe si i tillë është ëndrra që ndjell për një udhëtim pa fund.

Pediona Dautaj është një ndër ato artiste të reja që jeton në kaosin e madh të kryeqytetit. Ky soj artistësh shquhet për një gravitet lundrues e të mbivendosur, si një fole e rrethuar me kujtesë ëndërrimtare. Ata janë të përfshirë si nënshtresë e mbijetuar, duke u përpjekur me vërtetësi për një botë që u bën vend modeleve që ata propozojnë. Janë personazhe që bashkudhëtojnë me sakrificë, të rrethuar nga njerëz që ushqejnë ego për konsum dhe konsumin për të ledhatuar egon.

Si hapin e parë në territor mund të kujtojmë ciklin e saj në video mbi identitetin, si një rrëfenjë e personalizuar deri në ëndërrim, ose deri në fëmijëri. Një dashuri e konvertuar hapur e çlirët.

Raportet e artistes me identitetin riformulohen në përjetimet e fshehura përmes ri përjetimit dhe udhëtimit rrëqethës në zgjedhje të identifikuara si magjike, larg skrupujve estetizues. Ajo operon si me bisturi, në thellësi dhe distanca të shkurtuara të hapjes kundrejt rrënjëve. Një qëndrim i thukët e auto ironik, ku vet identifikimi merr ngjyra zhvendosjesh barazuese me atë çfarë e ushqeu dhe e solli në dritë. Ajo dorëzohet dhe objektivizon themele të vjetra të qenies në një lidhje kordon të një realiteti te bërë një me veprën.

Pediona është portreti emancipues kundër rrjedhës, me mundësinë e ngujuar tashmë në një rrugë që nuk i jep të ardhura, sepse është e vështirë të depërtosh në tregun e madh të ideve. Ajo i tregon ndjeshmëritë e saj si të pamundura, por plot botë dhe tendencë.

Pediona shpërngulet thjesht me besimin se do të ndodhë diçka, duke ushqyer një narrativë për të ndryshuar orientimet e stampuara të një organizmi në trans që nuk i shkon fare për shtat.

Gjithsesi, natyra të tilla këmbëngulëse e përballojnë të tashmen me ndjesinë e fortë se ndodhen në atdheun e tyre, me të drejtën për t’u rreshtuar në një përpjekje të vazhdueshme për t’i dhënë emër ëndrrës që i shoqëron.

Profili i saj në një fokus të zvogëluar si kundër çdo gjëje që nuk i hyn në këtë ëndërrim, e dallon atë si një nukël të lirisë, si e brishtë dhe e keqkuptuar, pasi ajo nuk bën kompromise me këtë liri.

Ajo erdhi nga Himara në një botë më të zmadhuar kontradiktash njerëzore. Ende mbijeton duke luftuar, me të gjitha mundësitë që i jep qenia, në mënyrë që jeta e saj të marrë një kuptim për të cilin ia vlen çdo gjë. Një embrion i vibrimit njerëzor, me delirin e bukur të pushtimit, shtuar rrethinave nga ku u mboll për një emër të dukshëm arti. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back