Natasha Lako
Kam disa arsye për të menduar se shpallja e 'Poetit Laureat' mund të jetë një akt shoqëror i parakohshëm, pavarësisht se pritej te ishte diçka e gëzueshme, përnjëherë e përgjithmonë. Dhe ky gëzim i parë u provua me zgjedhjen e poetit të mirënjohur Rudolf Marku, i pari i këtij misioni.
Po ndodh tashmë si përkundër që kjo provë e mirë, çuditërisht të përmbysë gjithëçka, aq sa po ndodhemi ditë për ditë, mes debateve dhe gërricjeve shqiptare në dilema të pafundme, jo vetëm për këtë mision, por edhe një rruge që me sa duket nuk janë pak që e quajnë të padrejtësive, pavarësisht vullnetit të mirë të 'Shtepisë së Librit', të cilën nuk mund ta quaj thjesht drejtori.
Të parët në shprehjen e pakënaqësive sigurisht janë ata që gjenden jashtë vemendjes së parë që sigurisht e meritojnë. Dhe kjo perseri tregon se vetë poetët janë të papërgatitur ta pranojnë këtë stad që jep edhe titullin 'Poet Laureat', që ka të bëjë me një tërësi vlere letrare të kthyer në prestigj letrar. Ndoshta është më lehtë të gjykohet në garë për vlera artistike vetëm nëpër konkurse letrare, ku gjithënjë e më shumë marrin fuqi 'Shtëpitë Botuese'.
Kjo ndodh në një vend ku duam apo nuk duam, historikisht ka qënë vendi i poetëve, që prej poezisë gojore e deri sot kur shqiptarët janë përhapur në të gjithë anët e globit.
Këtë prestigj kërkon të thotë edhe ekzistenca e 'Poetit Laureat', i cili për një periudhë të caktuar, pothuajse njëson zërin e një bashkësie të madhe; ndërsa poeti i vërtetë, është edhe i tërëkohshëm.
Fatkeqësisht, në shoqërinë shqiptare nuk ekziston kjo bashkësi, aq sa edhe poezia po konsiderohet një lojë boksi.
Nuk ka ndodhur kjo me poetë të brezit tim, të cilët si askush tjetër nga çdo brez, u mësuan vetëm të nderonin njëri tjetrin, për aq sa kishin dhënë, apo kanë dhënë, e disa po vazhdojnë të japin, pa pyetur ndonjëherë për komisionet, cungimet, apo grisjeve të faqeve të librave.
Nuk ka poet që të mos dojë miqësi të mëdha, dhe të mos ushqehet nga poezitë e njëri-tjetrit, por kohët po ndryshojnëg jithënjë e më tepër në favor të komercialitetit, të cilin poezia nuk e njeh.
Sot autoriteti i shtëpive botuese, po ia kalon autoritetit të shkrimtarëve dhe poetëve, aq sa në komisionin a jurisë për përzjedhjen apo shpalljen e 'poetit laureat' të kësaj rradhe, nuk merr pjesë vetem një pronare drejtuese e një 'shtëpie botuese', por edhe një autore që boton po në këtë 'shtëpi', gjë që tregon se sa po ngushtohet rrethi i gjykimit shoqëror, që gjithënjë përjashton vetë poetët.
Sigurisht edhe 'Shtëpia e Librit' jeton midis kësaj kontradikte të zhgjendjeve të mëdha, kur poetët vihen kundër njëri-tjetrit dhe kontestimeve të vazhdueshme për çdo lloj jurie, që duhet të arsyetojë më objektivitet, gati si ex katedra.
Do të ishte lumturi, sikur poezia shqipe të kishte kritikët e vet, që ndjekin jetën e poezisë shqipe të cilët nuk merren me sikuret, "cfarë do të kishte ndodhur në qoftë se Shqipëria të mos kishte pasur këtë pozicion gjeografik", dhe "sikur aksh poet i Rilindjes të mos kishte lindur aso kohe por vetëm sot".
Sistemi ballkanik i ideve të çartura, nuk ka mundësi të shprishë shënjtërinë e poezisë shqipe, një shënjtëri pranë më njerëzores vetë.
Personalisht, për mua, nuk ka rëndësi të madhe se cilët kanë mundësi të zgjidhen për të zgjedhur, për të mos thënë për të seleksionuar, me emra dhjetëshesh apo pesësesh të shpallura, ngandonjëherë të konsideruar vetëm si objekte, njësoj si ministret e "grupeve të gadishmërive" që thonë se i marrin vesh emërimet nga televizori, pra pa i pyetur kush për vullnetin e tyre, apo kur të 'shpallurit publikisht' duken të vendosur në tabela qitjesh, sikur të jenë fajtorë dhe kjo bëhet thjesht nga kritere të vendosur kushedi pse.
Madje hë për hë anëtarët e jurive fitojnë, apo u falet, kush e di si, e nga kush e pse, deri një farë superioriteti policor, pasi sipas kritereve të shpallura, duket se mund t’u jepet kënaqësia ekskluzive dhe mirëbesimi për të rrëmuar nëpër institucione për pastërti figure, diçka edhe më ballkanike se vetë vendosja në tabelë qitje e subjeketeve të kthyer në objekte, edhe kjo.
Askush nuk flet për impaktin që ka sjellë ky poet apo ajo poete në shoqërinë shqiptare, me cfarë e ka pasuruar botën shpirtërore të kësaj shoqërie dhe njëkohesisht qelizën gjuhesore të këtij vendi.
Si kriter me sa duket mbetet më pëlqen apo nuk më pëlqen, e kam inat apo nuk e kam inat, ështe imi apo i atij.
Poeti, ky eksplorues i pafund që e bën botën njerëzore gjithënjë e më të madhe, nuk mund t’i përkasë kësaj bote të vogel që po shfaqet rreth e rrotull botës poetike shqiptare. Ndërkaq katedrat e letërsisë së universiteteve shqiptare, kanë mes tyre studiues të pasionuar me botime serioze deri në Oksford Press, pedagogë letersie në universitete prestigjioze amerikane, njëri prej të cilëve me mirëdashje, po më larg realitetit shqiptar propozoi edhe këtë nominim të nderuar dhe plot përgjegjësi.
Sigurisht është shumë e lodhshme të ndjekësh proçeset letrare të sotme, por më e lodhshme është të ndjekësh historinë e zgjedhjes, shpalljes apo përzgjedhjes, ose caktimit plot përgjegjës,i të një Poeti Laureat në një vend qe nuk është përgatitur për këtë.
Nuk të çon askund një rrugë e hapur thjesht si një imitim që vjen nga shoqëri shumë më të pjekura, qoftë letrarisht, në formën e tyre të organizimit dhe të mbrojtjes së njeri-tjetrit dhe teatrit poetik.
Nuk ka vende bote që poetët të mallkojnë dhe të shajnë njëri-tjetrin. Të tjerët le të bëjnë ç’të duan, sidomos juritë. Poeti vetëm ekziston, madje reziston, prandaj edhe shkruan.
Lereni të vijë më natyrshëm, përzgjedhja e një 'Poeti Laureat', deri sa të arrijë edhe dita që bibliotekat shqiptare të mos i kenë sallat e vdekura.
Në Tiranë ka disa klube të mira letrare. Më ka ndodhur të takoj mësuese të pasionuara që merren me rrethet e letërsisë, por edhe shumë rrethe te mbyllura akademike që jetojnë si për vete, por gjithashtu po në Tiranë mungon qarkullimi i mendimit dhe kritiikës së vërtetë, i cili në të vërtetë nuk ekziston, sado të përpiqen vetë poetët. Ndaj edhe më e vështire bëhet kjo përzgjedhje.
Deri më tani kemi dëgjuar vetëm mendime të hidhura, qoftë rreth organizimit të një jurie, ku sipas deklarimeve të 'Poetit Laureat', si i vetmi antar poet i jurisë, është hequr edhe e drejta e motivimeve në vlerësime. Rudolf Markut, ndonëse në një debat të hidhur, i takon një falenderim, jo vetëm për kryerjen e misionit të tij, por edhe vazhdimin e ketij misioni qoftë në krijimin e këtij lëmshi plot probleme gjithënjë e më të koklavitura.
Personalisht nga gjithë diskutimet e hapura online, apo në shtyp, unë vetëm kam kuptuar se koha e misionit të 'poetit laureat' në Shqipëri nuk ka ardhur ende, pasi letërsia, aq me tepër poezia, nuk është e tillë, si emisionet televizive, të cilave u mjafton të marrin një patentë.
Poezia, ky truall i paprekshëm, me pasurinë më origjinale dhe më delikate të këtij vendi, nuk i meriton këto konflikte shterpë te huazuara prej politikës.
Lëreni për një herë tjetër përzgjedhjen e 'poetit laureat', për të cilin shoqëria shqiptare nuk është pjekur në këto stinë tepër të trazuara, pavarësisht se posedon nga shumë e shumë zëra vargje të mrekullueshëm, gjithënjë e më shumë të një katarsisi të thellë.