Leteratura

Një rrëfim për tregimet e rinisë 

               Publikuar në : 10:51 - 10/06/19 V Liberale

E gjithë jeta është një tregim. Dino Buzzati, një prej tregimtarëve më të mirë të shekullit XX, shprehej kështu teksa përpiqej të shpjegonte këtë gjini. Alion Çaçi, ish-finalist për çmimin “Kadare” 2018, vjen për herë të parë për lexuesin me një libër me tregime. “Tregime të rinisë” quhet libri, i cili sapo ka dalë në librari nga “Pegi”. Janë 10 tregime, ku përmes intensitetit të veprimit dhe mendimeve përfshihemi në histori e ngjarje që shpesh na duket sikur janë tonat. Çaçi vjen më poshtë në një bisedë të shkurtër për “Leteraturën” mbi këtë libër.

Një pjesë e ngjarjeve në këto tregime zhvillohen në Amerikë, një vend ku ju keni jetuar për gati 12 vjet. Duket se një pjesë e rrëfimeve janë shkëputur nga realiteti juaj, për t’u kthyer në letërsi. Sa e lehtë është të kalosh personazhe reale në një tjetër jetë, siç është ajo letrarja … Si për shembull te tregimi “Kafeneja” apo “Darka” …

 Plot miq, të cilëve u kam thënë idetë e tregimeve që kam dashur të publikoj, më kanë pyetur sesi do i përballja unë në jetën reale personazhet që marrin pjesë në tregime, pasi libri të jetë botuar. Me thënë të drejtën, më janë dukur ata shumë më të shqetësuar sesa unë, i zoti i punës. Mirëpo, në radhë të parë unë nuk e kam pranuar kurrë që tregimet janë histori të vërteta. Janë të bazuar në ngjarje të vërteta, kjo po. Por unë s’kam shkruar raportim gazetaresk. Është një vepër letrare, që si çdo vepër letrare, është e tejmbushur me përfytyrime të autorit. Nuk kam pasur për qëllim të nxjerr askënd personazh negativ, përveç personazhit kryesor të tregimeve, në disa raste. Por, e përsëris, që tregimet përmbajnë shumë trillim. Andaj, kushdo që e gjen veten në to, është thjesht rastësi.

Për një autor të ri, në një kohë kur letërsia dhe tregu i librit shqip është i mbushur me autorë të huaj, cila është rruga që ju kërkoni të bëni?

 Është e vërtetë që letërsia shqiptare është e rrezikuar, por jo e vdekur. Ky është libri im i parë dhe nuk më takon të tregohem arrogant, por duhet ta them se ekziston shumë letërsi paçavure vërdallë. Ka të ashtuquajtur shkrimtarë, të cilët abuzojnë me bukurinë e gegërishtes dhe të tjerë që abuzojnë me dobësinë e njeriut për të rënë pre e romancave limonadë. Shkrimtari nuk është inxhinier apo jurist. Shkrimtari ka detyrime morale ndaj publikut. Nuk mund t’i japë llokum te goja atë që publiku do të lexojë. Është detyra jonë të jemi disi më të mirëmenduar në gjërat që shkruajmë. Nuk po them që shkrimi duhet të jetë filozofik, por të paktën temat dhe historitë të të nxjerrin diku me vlerë.

Megjithatë, sigurisht që botimi është ide e mirë. Çdo gjë ka cikël. Për momentin jemi pjesë e ciklit të pushtimit teknologjik. Para kësaj epoke, lexohej shumë më shumë. Por do të kalojë ky 20-vje­çar dhe njerëzit do i rikthehen leximit, për t’iu larguar atij përsëri pas 40 vjetësh. E kështu me radhë. Ose të paktën kështu shpresoj …

Cili mendon se duhet t’i lexojë “Tregimet e rinisë”?

 Në radhë të parë nuk mendoj se është një libër për të moshuar e për pleq. Jo se s’duhet ta lexojnë, por sepse ngjarjet zhvillohen nga të rinj të brezit tim. Pra, ndodhin gjëra shumë larg realitetit të të moshuarve, pleqve të sotëm.

Por mendoj se ky libër është shumë i përshtatshëm për njerëzit që punojnë dhe pretendojnë se e kanë arritur apo po e arrijnë çdo gjë vetë. Jo, nuk është një libër tipik motivues. Nuk i siguroj se do të motivohen duke e lexuar, por do e gjejnë veten. Gjithashtu, në dy tregime ngjarjet i tregoj nga pikëpamja e femrës, duke u përpjekur të hyj në botën e tyre. Me këtë rast, ky libër është i mirë për të gjitha femrat. Madje të shoh a i kam rënë në të apo jo (Qesh). Është libër për këdo që e sheh të ardhmen e tij jashtë Shqipërisë, këtë s’mund ta mohoj fatkeqësisht. Aktualiteti ynë i hidhur është se vendi po rrënohet dhe të gjithë duan të ikin, pavarësisht se çfarë do të bëjnë atje ku do të shkojnë. Këtë temë e kam trajtuar shumë. Besoj se kaq mjafton …/Gazeta Liberale

(Visited 32 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *