Kryesore

Një roman fantazmagorik mbi Sigurimin e Shtetit

               Publikuar në : 10:15 - 18/01/21 Genciana Abazi-Egro

Genciana Abazi-Egro

Në fillim të viteve ’90, me ndryshimin e regjimit politik, u shtua kërshëria për të njohur historinë. Shqiptarët filluan të lexojnë ethshëm histori dhe ta trajtojnë atë në dimensione dhe në zhanre të ndryshme. Edhe Alfred Peza i është drejtuar historisë. Nëpërmjet romaneve politiko-historikë ai kërkon të eksplorojë historinë e shqiptarëve gjatë shek. 20. Në romanin e tij të parë Sarah ai i ndërton ngjarjen në kontekstin e Shqipërisë së Ahmet Zogut. Ndërsa romani i sapodalë Enveriada ka në fokus Shqipërinë komuniste.

Në të dy këto romane Alfred Peza ka ndjekur të njëjtën strategji. Ai vendos në fokus një ngjarje rozë me gjurmë në jetën publike, me implikime deri në protagonistët kryesorë të kohës. Dhe kjo i krijon atij mundësi që t’i japë një kuptim të vetin ngjarjeve të rëndësishme politike që kanë lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve.

Romani Enveriada, shtysën e merr nga historia tragjike e dashurisë që djali i dytë i Mehmet Shehut pati me një volejbolliste të njohur të Dinamos në vitet ’80, me pasoja që tashmë dihen në fatin politik të vetë kryeministrit. Pavarësisht kësaj, protagonistët kryesorë të romanit nuk janë të dashuruarit, as Mehmet Shehu dhe as Enver Hoxha e Ramiz Alia. Si protagonist kryesor të veprës së tij Alfred Peza ka vendosur kupolën e lartë të Sigurimit të Shtetit, si institucioni kryesor ku mbështetej pushteti dhe projektohej e ardhmja e tij.

Alfred Peza ka një optikë të vetën mbi Shërbimin Sekret të kohës së Enver Hoxhës. Në fokus të tij është marrëdhënia që Shërbimi Sekret ka patur me drejtimin e lartë të vendit, duke u përpjekur të kuptojë mekanizmat e kontrollit dhe të pushtetit në Shqipërinë Komuniste. Kupolën e lartë të Sigurimit të Shtetit autori e ka ndërtuar si një organizëm fantazëm, duke e veçuar atë nga institucioni. Kjo strategji e përzgjedhur nga autori i ka dhënë dorë atij që të shmangë marrëdhënien komplekse që ky institucion ka patur me shtetasit e vet, të cilat në shumë raste kanë mbërritur deri në krime.

Pamundësinë për të zbërthyer strategjitë dhe operimin që ndjekin nivelet më të larta të institucioneve të inteligjencës (kjo për shkak të mosdeklasifikimit të dokumenteve), autori është përpjekur ta mbulojë me anë të fantazisë. Kjo kupolë e lartë e Sigurimit të Shtetit në romanin e Alfred Pezës ka përdorur me efikasitet inteligjencën artificiale në përpunimin e të dhënave, në përzgjedhjen e individëve që do të drejtonin vendin, por edhe në projektimin e të ardhmes, madje dhe më tej, në kontrollin e saj.  Është absurde të mendosh që në vitet ’80, kur Shqipëria jetoi një krizë të rëndë ekonomike, të kishte mundësi që të zhvillonte inteligjencën artificiale, madje të arrinte nivele të larta të përdorimit të saj. Ky imazh që Alfred Peza ka mbi Shërbimin Sekret të Shqipërisë komuniste bie ndesh dhe me filozofinë me të cilën është ndërtuar dhe ka funksionuar Institucioni: Sigurimi i Shtetit ka qenë një institucion që punën dhe veprimin e tij e mbështeste tek njerëzit (informatorët), dhe jo tek teknologjia.

Kjo Kupolë e lartë e Sigurimit të Shtetit në romanin e Alfred Pezës është në simbiozë me Enver Hoxhën. Ajo ishte Kryevepra e tij dhe mjeti kryesor që ai përdorte për të kontrolluar dhe drejtuar vendin. Madje kjo simbiozë ishte aq e fuqishme sa disa herë në roman Alfred Peza e ve në dyshim se kush e ka drejtuar me të vërtetë Shqipërinë, Enver Hoxha apo kupola e Sigurimit të Shtetit.

Në të vërtetë në roman më shumë se sa Enver Hoxha vetë, është prezente Hija e tij. Hija e Enver Hoxhës shfaqet në dy plane: në raportin që diktatori kishte ndërtuar me kupolën drejtuese të Shërbimit Sekret, por dhe në marrëdhëniet që ai kishte ndërtuar me njerëzit. Dhe në këtë kuadër Enver Hoxha është dhënë me atributet e një Mbinjeriu me superinteligjencë, me aftësinë që të bëjë dhe mrekulli, madje dhe me fuqi të përjetshme. Ky është një perceptim që sipas autorit e kanë pasur të gjithë shqiptarët,  pa bërë asnjë diferencim mes tyre dhe pa marrë në konsideratë se jo vetëm të burgosurit politikë dhe të internuarit, por dhe një pjesë të mirë të shqiptarëve që në heshtje e ka refuzuar Enver Hoxhën dhe nuk e ka pranuar regjimin komunist që instaloi ai.

Dhe përgjithësimet në të vërtetë, përbëjnë një ndër strategjitë e njohjes që autori ka ndjekur gjatë romanit, në përpjekjen e tij për t’i dhënë kuptim ngjarjeve politike. Shpesh herë kjo prirje e ka shtyrë atë drejt stereotipeve dhe klisheve sikurse konkluzioni i nxituar për shqiptarët si “një popull historikisht analfabet.” Etja për të njohur historinë, duhet të reflektohet dhe në trajtimin që i bëhet klisheve dhe steorotipeve që shqiptohen edhe sot e kësaj dite. Vetëm kur të mendohet larg këtyre këtyre klisheve dhe stereotipeve, do të mund të mësohet se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në historinë e Shqipërisë dhe me kulturën shqiptare. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back