Nga Ernesto Galli della Loggia
Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të përgjigjes me armë mësymjes ruse,
ukrainasit të mos kishin lëvizur asnjë gisht e t’i kishin lënë ushtrisë së Putinit të
pushtonte qetësisht Kievin, duke përcaktuar natyrisht rënien e, madje edhe zënien e
Zelenskit? Është kjo pyetja që duhet t’i bëhet atyre që vazhdojnë të shprehin dyshime mbi
mundësinë dhe kuptimin e qëndresës së atij Vëndi mësyesve. Që duhet t’u bëjmë atyre që
me një përçmim kryelartë kanë folur madje për “mistiçizëm të qëndresës”, nga i cili
qënkeshin të infektuar ukrainasit e marrë.
Mbi përgjigjen e pyetjes së bërë në fillim është vështirë të ketë dyshime. Të mos
bëhej qëndresë do të thonte thjesht fitore të plotë të Putinit brënda 48 orësh e pra fati I
Ukrainës në dorë të tij. N’atë pikë, me shumë gjasë, nuk do të pasonin as sanksionet nga
ana e Perëndimit (ose do të kishin qënë sanksione të rreme, si ata mbas Krimesë). Ndërsa
qëndresa me armë e popullit ukrainas ka qënë e gjërë dhe e guximëshme.
Ajo ka patur pasojën për të përcaktuar dështimin e planir rus (është vërtetë gjë kaq e parëndësishme?),
por është duke hedhur parakushtin e një dështimi politik tejet të ahpër të vetë Putinit, me
dobësimin e fuqishëm pasues të drejtimit të tij, e në pritmëri vetë rënien e tij.
Ka qënë qëndresa e armatosur e popullit ukrainas, së bashku me vetë qënien e saj
arsyeja që i ka treguar botës si dështimin e shërbimeve të fshehta, mbi njoftimet e të
cilëve Kremlini vendosi rreth katër muaj më parë mësymjen, duke besuar se bëhej fjalë
për një shëtitje, ashtu si mungesat materiale (deri edhe ato të racioneve ushqimorë),
pështjellimi organizativ e strategjik, rendimenti i pakët veprues dhe mungesa e frymës
luftarake të organizmit ushtarak rus.
E dijmë të gjithë që qëndresa ukrainase nuk mund të fitojë, nuk mund të fitojë
ushtarakisht. Por politikisht ajo ka stërfituar. Që sot ajo e ka vënë Putinin me shpatulla
për muri, në kushte pra të mos ketë alternativë: ose të bisedojë me atë që donte t’a
shkatërronte (por nëse don të përmbyllë traktativat duhet të heqë dorë nga projekti
fillestar ose të lëshojë pe mbi këtë apo atë pikë), ose të shkojë përpara me luftën. E të
fitojë po, më së fundi, por pikërisht në sajë të pranisë së qëndresës, do të jetë i detyruar t’a
kthejë Ukrainën në një det rrënojash të banuar nga një popull që e urren.
Por në një vend të kthyer në një det rrënojash e të vdekurish a do t’arrijë të gjejë një Kuisling që do të
pranonte e të ishte në gjëndje të qeveriste n’emër të tij? E sa ushtarë do t’i duheshin,
mbas një t’ashtuquajtur fitoreje për të zotëruar një territor sa dy herë Franca? Sa ushtarë
duhet të llogarisë të humbasë çdo natë, viktima të mundëshme të një prite mbas çdo dere
e çdo qosheje të rrugës? E atëherë pyesim: e gjithë kjo – kjo katastrofë e vërtetë politike –
a nuk është frut i faktit që ka qënë një qëndresë e armatosur? I faktit që ukrainasit kanë
rrokur armët, kanë kërkuar armë për të luftuar, e që Perëndimi u a ka dhënë? Krejt tjetër
kushteve të suksesit “haptas i pamundur” me të cilën kanë mbushur gojën shumë në këto
ditë.
Që nga fillimi, në fakt nga shumë anë këtu n’Itali (veçanërisht këtu n’Itali më duket),
ngrihen zëra mbi kotësinë e madje pamoralshmëninë e qëndresës, mbi pavendshmërinë
absolute të furnizimit me armë, mbi “absurditetin” e luftës, të çfarëdo lufte si e tillë që
prodhon vetëm vdekje e shkatërrime. Zëra që synojnë të na bindin se përballë mundësisë
së një lufte çdo konsideratë tjetër duhet të kalojë në një plan të dytë përballë nevojës së
paqës: këtu, menjëherë, me çdo kusht, e pra të bëjmë traktativa, traktativa, traktativa,
gjithmonë, me këdo e në çfarëdo mënyre.
Mbas gjithë kësaj është shumë më tepër se sa një marrje të thjeshtë qëndrimi
politik. Ndihet një shndërrim i thellë i panoramës kulturore të Vëndit tonë, veçanërisht të
klasave të saj të larta. Ndihet harresa tashmë tejet e përhapur e së shkuarës, fshirja e
historisë si element strukturor i përvojës dhe i mendësisë. Ndihet harresa e karakterit
tragjikisht dramatik që mund të ketë historia.
Harresa e ashpërsisë përcaktuese, të padiskutueshme të vlerave politike të përbashkëta
(pavarësia kombëtare, vetëvendosja, sovraniteti) nga të cilat shpesh popujt e qeveritë thirren. Në Italinë bashkëkohore,
anasjelltas, është e përhapur një mendësi që, në alternativë të historisë, shkon gjithënjë e
më shumë duke u frymëzuar jo nga vlerat politike të mësipërme, por nga të drejtat vetiake,
të para si thelbi i një etike të hamendësuar paqësuese universale.
Një mendësi në të cilën, siç kuptohet, nuk ka vënd për luftën e për gjithshka që ësht në të e arsyeshme dhe e
paarsyeshme e morale. Në të cilën përmasat e luftës, të mekanizmave e të ndjenjave fatale
që e përcaktojnë, të përmasës së guximit të njerëzve e të dëshirave të popujve, elementi i
heroizmit e i poshtërsisë, të gjitha duken si thelbe qëndrimesh të kaherëshme për t’u
yshtur. Në këtë mënyrë gjithshka përfundon për t’u vënë në të njëjtin rrafsh:
njëzetvjeçarët ukrainas që përgatiten të luftojnë tankset ruse të Putinit që i ka dëguar në
Kiev, ata që lëshojnë raketat e ata që i bien mbi kokë. Kështu, nën gjëmimin e armëve që
përballen në fushat e Lindjes, harresa e historisë është kthyer në një harresë të mirëfilltë
e të thjeshtë të realitetit. Dhe në të njëjtën mënyrë, pa vetë ankorimin në realitet, etika
është kthyer fatalisht në moralizëm: hipokrit si të gjithë moralizmat.
Një pavërtetësi moraliste ku mbretëron arsyetësia e akullt e mospranimit të forcës, kundërshtia për të
ndihmuar të dobëtin dhe të sulmuarin, sepse kështu u dhunuaka detyrimi sipëror i
“paqes” e i “traktativës”. Më së fundi, – në mënyrë paradoksale por jo shumë – kultura që
mëton të flasë në emër të viktimave, të qëndërsisë së tyre absolute, kthehet në fakt në
aleate të tiranisë që prodhon vetë viktimat.
Nuk kam ndërmënd të turbulloj sigurinë e bekuar të kritikëve të “mistikës së
qëndresës”, kaq të shqetësuar për të shmangur pasojat e kobëshme që ajo sjell. Ndoshta
do të bënin mirë të kujtonin se liria e tyre e sotme pët të menduar e për të shkruajtur atë
që dëshirojnë, nuk ka rrjedhur nga asnjë “traktativë”, nga asnjë përkujdesje përtë vdekur
e të plagosur.
Liria e tyre është paguar edhe me gjakun e mijra fëmijëve gjermanë të
masakruar nga bombarduesit aleatë, është paguar edhe me dhimbjet e mijra grave
gjermane të përdhunuara nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Sepse historia është e bërë
edhe prej këtyre gjërave të tmerrshme: jo nga lloqet e atij që flet për të gjetur kënaqësi
nga ndjenjat e tij të mira.
“Corriere della Sera” Përktheu Eugjen Merlika