Dossier

Një propozim për Naum Veqilharxhin

               Publikuar në : 09:23 - 25/04/19 Liberale

PSE KËRKOJ QË NJË NGA GJIMNAZET E TIRANËS TË MBAJË EMRIN “NAUM BREDHI-VEQILHARXHI”

Fedhon Meksi

Për të mbështetur kërkesën time zgjodha 10 të vërteta nga historia e popullit shqiptar dhe nga jeta e vepra e Naum Bredhi-Veqilharxhit (1797 – 1846).

  1. Pas shkatërrimit të shtetit të Ali pashë Tepelenës, si dhe të ëndrrave që u thurën për një shtet konstitucional shqiptar, dëshpërimi dhe pesimizmi që pasoi u shoqërua me frikë dhe pasiguri. Duke vënë shenjën e barazimit ndërmjet fesë dhe kombësisë, pushtuesit osman vazhdonin t’u mohonin shqiptarëve identitetin e tyre kombëtar. Ata nuk njiheshin zyrtarisht si popull më vete dhe të ndarë e të përçarë në këtë mënyrë, nuk luftonin për çlirimin e atdheut të tyre, por për lirinë e vendeve të tjera, shpesh edhe kundër njëri-tjetrit.
  2. Naum Bredhi-Veqilharxhi (1797 – 1846) shumë herët kuptoi se shqiptarët, të ndarë jo vetëm nga feja, por edhe nga ana territoriale-dialektore në gegë e toskë, rrezikonin të zhdukeshin si komb. Ai u përpoq që t’i bashkonte shqiptarët, duke zhvilluar ato aspekte të kulturës kombëtare që janë të natyrës ekstrafetare. Si rrjedhim, theksin e vuri te gjuha shqipe dhe ekzistenca e kombit shqiptar. Për Naumin gjuha shqipe ishte elementi më i veçantë, më i qenësishëm dhe më funksional i shqiptarëve si kolektivitet kombëtar. Mbi këtë bazë ai ideoi platformën e vet dhe punoi për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ngritur shkollat shqipe. Ishte kjo ndërmarrje e rilindësit Naum Bredhi-Veqilharxhi për gjuhën shqipe, që shënoi një transformim të madh funksional në procesin e njësimit dhe të rilindjes së kombit shqiptar.

Naumi e kishte të qartë se shqiptarët u rezistuan pushtimeve dhe ndikimeve asimiluese të perandorive më të fuqishme të kohërave, duke ruajtur identitetin e tyre si komb, kryesisht falë qëndrueshmërisë së gjuhës së tyre. Ai kishte arritur në përfundimin se shqiptarët, që të dalin në dritën e lirisë, duhet të çlirojnë më parë gjuhën e tyre, ta lëvrojnë atë dhe të mblidhen rreth saj ashtu si rreth flamurit kombëtar.

Por në atë kohë gjuha shqipe nuk shkruhej, as lexohej, as mësohej në shkolla. Gjuha shqipe, që flitej në disa dialekte përgjithësisht të ndërkuptueshme, ishte mjaft e varfër me fjalë të sferës diturore dhe e mbushur me huazime. Te shqiptarët, dygjuhësia ose shumëgjuhësia ishte dukuri e zakonshme, por veçse shqipja që përdorej në jetën e përditshme ngelte gjuha e zemrës. Turqishtja ishte gjuhë e administratës, ndërsa italishtja dhe greqishtja ishin gjuhë të tregtisë. Si iluminist që ishte, i bindur se gjuha shqipe e lëvruar do të nxirrte atdheun nga “gjendja e turpshme e mjerimit”, nisi menjëherë punën për hartimin e alfabetit të veçantë, të abetareve të para dhe të gramatikës së gjuhës shqipe.

Në rrafshin politik, gjuha shqipe e lëvruar do të shërbente si mjet ngjizës i nacionalizmit shqiptar. Naumi, pra, përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar dhe specifikën e tij: mbështetja mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fetë, si nacionalizmat e tjerë ballkanas.

  1. 3. N. Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar.

Në Qarkoren 1846 që u dërgoi bashkëkombësve, Naumi shkruante se “… vetëm kombet që kanë gjuhën e tyre të shkruar mund të hynë në rangun e kombeve të qytetëruara, ndërsa të tjerët do të jenë të dënuar të jenë skllevërit e tyre”.

Çlirimi kulturor për Naum Bredhi-Veqilharxhin, ishte një faktor pa të cilin nuk mund të arrihej çlirimi politik. Në këto kushte, Naumi ishte i pari që ndjeu nevojën e ngutshme të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare edhe për të penguar shkombëtarizimin e vendit. Shkollat që duhet të ngriheshin në Shqipëri, do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike.

  1. Abetaret e Naumit, dorëshkrimet e të cilave i kishte gati që nga viti 1825, pasi u shtypën në Stamboll me donacionet e bamirësit labovit Vangjel Zhapa, të shoqëruara edhe me fermanët e Sulltanit që i siguronte gjithmonë V. Zhapa, u dërguan në Shqipëri dhe u shpërndanë në Korçë, Përmet e Berat nga patrioti përmetar Athanas Paskali, gjyshi i skulptorit të madh Odhise Paskali. Plani i hartuar nga Naumi dhe nga patriotët korçarë, do të vazhdonte me hapjen e shkollave shqipe “për përparimin e arsimit kombëtar në tërë shtrirjen e atdheut tonë”, kurse tekstet mësimore do të shtypeshin në shtypshkronjën e Korçës, që do të ishte dhuratë e qytetarëve të këtij qyteti.

Folkloristi rilindës S. Dine (1844 – 1922) na bën të ditur se në shkollën e fshatit Trebickë, në vitin 1854, si libër mësimi ende përdorej abetarja e Naumit. Kjo dëshmon se abetarja mbeti në përdorim, të paktën për një dhjetëvjeçar, kurse programi madhështor i Naumit dhe i patriotëve korçarë për hapjen e shkollave shqipe në mbarë vendin, u shua bashkë me Naumin.

  1. Idetë e kombësisë Naumi i paraqiti te Letra dërguar J. Calit, që për mendimet, dëshirat dhe optimizmin që ruan, është një nga dokumentet më të ndritshme të patriotizmit shqiptar.

Ndër të huaj, por edhe shqiptarë, ishte i pari Naumi që shkruante: “Kombi shqiptar, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë dhe ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve” dhe vazhdonte se ai do të përpiqej “… që të bënte të shkruhej gjuha e Kombit”.

  1. Për Naumin kombi shqiptar që përbën “një trup homogjen, është esenca”, kurse fetë “janë veçori të fituara më vonë të esencës”. Në këtë mënyrë, Naumi del gjithashtu i pari që evidentoi përparësinë e kombit mbi fetë. Ky raport qëndron në themel të harmonisë fetare si realitet historik, shprehje e homogjenitetit të kahershëm dhe kohezionit të brendshëm kombëtar. Në këtë mënyrë, fenomeni i harmonisë fetare, një fenomen tipik shqiptar, del si tipari kryesor për ruajtjen e njësisë së kombit shqiptar, komb i cili ka ekzistuar de facto, edhe pse nuk njihej nga turqit.
  2. Në prag të lëvizjes kombëtare pritej që fetë, jo vetëm të mos luanin një rol mobilizues, por të përbënin një pengesë serioze për njësimin kombëtar.

Ndërsa Naum Veqilharxhi, njohës dhe studiues i vëmendshëm i kombit shqiptar, qysh në vitin 1846 përsëriste pa u lodhur se kombi shqiptar, i përbërë nga myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë.

Pra, kombi shqiptar është një aliazh dhe historia tregoi se si aliazh, është më i fortë se elementet që e përbëjnë.

Këndej buronte optimizmi i Naumit që dalloi se populli shqiptar kishte krijuar modelin e tij, sipas të cilit besimet fetare praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë.

Kjo është harmonia fetare ose bashkëjetesa shqiptare që falë urtësisë së popullit tonë, përbën një vlerë të veçantë të tij, si një model referimi për popujt e tjerë ballkanikë, si mënyrën e vetme për një të ardhme të përbashkët edhe më të lumtur.

  1. Kryengritje të shumta kishin marrë hov në të gjithë Shqipërinë e viteve ‘40 të shek. XIX. Ato tashmë kishin programin politik në shkallë kombëtare dhe platformën e përpunuar ideologjike që u paraqitën nga Naum Bredhi-Veqilharxhi në Qarkoren e vitit 1846, një vit para Kuvendit të Mesaplikut dhe kryengritjes që e pasoi, me pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimet e tyre fetare.

Duke shkruar për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që kryengritësit kërkuan për herë të parë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.

Duhet të shpjegohet, në radhë të parë, pse pikërisht në mes të viteve ’40, Naumi u hodh në veprimin e tij të guximshëm për çështjen kombëtare? Ai, duket, e ndjeu dhe e çmoi çastin e favorshëm që ishte krijuar në atdhe ku tashmë ishin pjekur kushtet, po forcohej ndërgjegjja kombëtare, lëvizjet kryengritëse kishin arritur deri në qytete, kurse këngëtarët popullorë po i këndonin, më në fund, edhe Shqipërisë ose “gjithë vilajeteve”.

  1. “Ka ardhur koha, shkruante Naumi, të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë”. Porosia për të “marrë shembull kombet e përparuara”, zbulon synimin ku ai ka dëshirë të arrijë atdheu i tij. Në letrën e falënderimit drejtuar Naumit, patriotët korçarë shprehën gjithashtu bindjen se “kombi ynë do të numërohet me kombet e ndriçuara të Europës”.

Kështu pra, si fryt i një malli tepër të zgjatur, shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut shprehën të njëjtin mendim: Shqipëria ka nevojë për “europianizim”. Naum Veqilharxhi i pari, dhe më pas të gjithë rilindësit e tjerë, krijuan Rilindjen Kombëtare Shqiptare, lëvizjen më europianiste në gadishullin e Ballkanit. Ai gjithashtu kishte përcaktuar Europën, si modelin e vetëm për Shqipërinë e lirë e të pavarur.

Ishte viti i largët 1846!

  1. NAUM BREDHI-VEQILHARXHIT I DUHET NJË VEND I DENJË NË ALTARIN E HISTORISË SË KOMBIT SHQIPTAR.
  2. Veqilharxhi përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar me specifikën e tij, mbështetjen në gjuhën amtare. Në këtë mënyrë ai vuri gurin e parë në rilindjen e kombit që do të përfshinte të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar ka tashmë një frymëmarrje të lirë dhe të njësuar, dhe shqiptarët, që i gëzohen gjeografisë së re të shtrirjes së tyre të mohuar, artikulojnë aspiratat e veta për zhvillim, nga shteti amë e më tej, kudo ku për gjuhën shqipe u derdh gjaku i arbrit, e zunë vend themelet e alfabetit simbol.

Naumi nuk arriti të realizonte programin e tij të qartë dhe me synime konkrete. Veçse puna dhe sakrifica e tij supreme u bënë një shembull i gjallë e i ndritur për lëvizjen patriotike shqiptare që ndoqi gjurmët e tij dhe emri i Naumit u bë flamur për patriotët shqiptarë.

Veçse, jeta e Naum Veqilharxhit njihet aq pak, derisa edhe ne shqiptarët e sotëm, nuk mund t’ia përkujtojmë as ditën e vdekjes. Ne nuk mund t’i vendosim as edhe një tufë me lule nga Shqipëria mbi varrin e tij, gjithmonë në qoftë se ka një të tillë.

Shqiptarët e sotëm e njohin përfaqësuesin më të shquar të mendimit politik shqiptar, vetëm si autor i abetareve të para shqipe. Ndërkaq lëvrimi i gjuhës shqipe është vetëm një pjesë e punës që ka bërë kjo figurë e ndritur e historisë sonë. Porositë profetike të Naumit dhe idetë e tij, çuditërisht, nuk janë pasqyruar sa duhet në tekstet e historisë. Duket qartë se për autorët e tyre, Naumi ishte vetëm një idealist, iluminist, racionalist dhe, për fatin e tij të keq, edhe evolucionist. Shprehja e tij se: “Në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por regull gradual” (1846), duket se e mbushi kupën dhe zyrtarët e kohës vendosën të pengonin që të “hynte” në Tiranë emri i tij, për t’u vendosur qoftë në pllakën e një rruge, apo mbi portën e ndonjë shkolle. Sigurisht nuk bëhej fjalë për një bust, që në mes të një lulishteje, të përjetësonte Naumin e madh.

Ka qenë një zgjedhje e pëlqyeshme, që njëri nga gjimnazet e Tiranës të mbajë emrin e Petro Nini Luarasit, dëshmor i gjuhës shqipe. Emrin e Naum Veqilharxhit, siç duket i konsideruar gabimisht si rilindës me përmasa lokale, e mbajnë vetëm shkollat 9-vjeçare në Korçë e Vithkuq, por edhe një rrugë në Prishtinë. Në Tiranë, fare mirë mund të kenë një nga gjimnazet, si edhe një nga rrugët kryesore të kryeqytetit të atdheut emrin e Naum Bredhi-Veqilharxhit, të politikanit largpamës që u tregoi shqiptarëve, 170 vjet më parë, rrugën për në Europë. Pse jo, edhe një vepër skulpturore do të ishte mirë të vendosej për dëshmorin e parë të Rilindjes.

Vetëm në këtë mënyrë do të prehen në paqe edhe patriotët korçarë që ishin të bindur se “emri i Naum Veqilharxhit do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *