Kryesore

Një përsiatje psikologjike rreth mëshirës “artistike”!

               Publikuar në : 11:49 - 26/07/21 Behar Jacaj

Behar Jacaj

“Për të marrë licensën europiane të psikoterapisë – na tregonte në fakultet një pedagoge- ndër të tjera, duhet të kesh të vulosura edhe katërqind orë terapie, jo si terapist, por si klient.” Asokohe më pati bërë shumë përshtypje logjika e këtij kriteri. Dikush që mjet pune ka vetëm veten, me patjetër duhet të shkelë dhe të njohë çdo skaj të saj.

Meqënëse edhe shkrimtarët, të vetmin mjet pune kanë veten e tyre, kur bisedoj me miq që na bashkon pasioni dhe diskutimet për letërsinë, shpesh them se po të kisha ndonjë farë pushteti në dorë, do ta bëja të detyrueshme që çdo autor, para se të botojë një libër t’i ketë të paktën njëqind orë psikoterapi, si klient. Miqtë e mi, duke qeshur më përgjigjen; “lavdi Zotit që nuk ke pushtet”.  Jam i vetëdijshëm se mendimi im është utopik, por gjithashtu bindem çdo ditë për nevojën urgjente që kanë disa (shumica) autorë shqiptarë që të punojnë me vetënjohjen.  Për të kuptuar rëndësinë që ka ajo tek autori dhe për pasojë edhe tek ndërtimi i një vepre të mirë, mjafton të kujtojmë që  shkrimtarët e mëdhenj ishin njohës të jashtëzakonshëm të psikoanalizës.

Kam parasysh Kunderën që tek Lehtësia e papërballueshme e qënies, bën një shpjegim të mrekullueshëm sesi formohet ndjenja e fajit, aq sa çdo psikoterapist do ta kishte zili. Eugene Ionesco tek Vetmitari, përveç të tjerave, bën një përshkrim të imtësishëm dhe të pagabueshëm të gjendjes së ankthit. Ernesto Sabato, tek Mbi heronjtë dhe varret, me anë të personazhit të tij, Fernando Vidal Olmos thotë:”kush e njohu veten deri në fund dhe nuk ndjeu neveri për të?!”Jo vetëm kaq. Gjithë trajtimi që u bën personazheve, të lë të kuptosh se Sabato kishte një raport të ngushtë me psikoanalizën. Për rrjedhojë, edhe me vetënjohjen. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Michel Houellebecq, për Philip Roth, madje edhe për Isaac Bashevis Singer, i cili me argumentet që sillte për të kundërshtuar procesin e psikoterapisë, linte të kuptohej se ishte njohës i mirë i saj. Lista mund të zgjatej pafund, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky.

Me të drejtë, ju mund të pyesni se çfarë dreqin duhet një hyrje kaq e zgjatur dhe e mërzitshme që nuk merret vesh ku do të  na çojë, në psikologji apo në letërsi?
E nisa me psikologjinë sepse besoj që vetëm disa zhbirime psikologjike mund të na ndihmojnë të kuptojmë nga buron gjithë ajo tepri mëshire, viktimizimi, dhembshurie që derdhet në botimet bashkëkohore të  letërsisë shqipe.  Ju mund të mos jeni dakord, dhe ndoshta të thoni se ky është vetëm një perceptim i imi. Keni plotësisht të drejtë, megjithatë unë mund të bëja një listë të gjatë dhe të detajuar me “vepra” ku autorët mëshirojnë personazhet, predikojnë, viktimizohen në emër të personazhit e në emer të tronditjes, dhe që nuk lënë skenar mëshire pa përdorur. Në këtë listë qëndrojnë këmbëkryq edhe libra që mbireklamohen, madje edhe nga ata që marrin çmime. Dhe nuk po flas vetëm për çmime  dhe autorë periferikë.

Tri janë mënyrat që autori mund ta bëjë lexuesin për vete; duke e bërë të qajë, duke e bërë të qeshë dhe duke e provokuar (duke i provokuar neveri, indinjatë, zemërim, etj).
Libra humori (nuk e kam fjalën për libra me anekdota) kemi shumë – shumë pak, thuajse fare!
Libra provokues, fatkeqësisht, ne akoma quajmë librat erotikë dhe librat e ndonjë “gazetari” që provokon për hir të provokimit, pa shumë argumente dhe me qëllimin e vetëm për të kthyer kah vetja vëmendjen mediatike.
Pjesa që mbetet janë të gjithë libra që nuk lënë makabritet,(të përligjur e të papërligjur) pa kryer mbi personazhet.
Është e kuptueshme se humori dhe provokimi kërkojnë shumë zgjuarsi, mjeshtëri dhe mbi të gjitha shumë guxim, ndërsa melodramaciteti nuk i kërkon shumë autorit, mjafton që ai të ulet dhe të shkruajë. Përveç kësaj, unë këtu shikoj edhe një shkak tjetër që lidhet me hyrjen e zgjatur dhe të mërzitshme të këtij shkrimi.

Në panelet psikologjike, sa herë diskutohet për kulturën shqiptare të prindërimit, nuk anashkalohet kurrë ndjenja e fajit që prindërit u instalojnë fëmijëve me anë të viktimizimit (çdo gjë po e bëjmë për ty), me anë të krahasimit me të tjerët etj. Duket sikur prindërit duan të marrin lavdinë me anë të viktimizimit. Sesi kjo ndjenjë faji arrin të penetrojë dhe të lëshojë rrënjë në letërsi, mjafton të shikojmë glorifimin me të cilin autorët përshkuajnë prindërit ose gjyshërit e tyre, dhembshurinë dhe përkujdesin me të cilin trajtojnë personazhet e vobekta, lypsarët për shembull, ose mjafton të kujtojnë sa  e madhe është moria e pleqve që vendosen në qendër të tregimeve dhe romaneve. Pse është kaq e dëmshme mëshira në letërsi?! Sepse vret dinjitetin. Dinjitetin e personazhit. Nëse përdoret pa kriter, vret dinjitetin e veprës. Dhe nëse përdoret në çdo vepër, vret dinjitetin e autorit. Sepse ku ka mëshirë, viktimizim, patjetër dikush duhet të jetë i mjerë.

Ndoshta, pikërisht këtë nënkuptonte Andre Gide kur thoshte:”Shpesh nga ndjenjat më të mira buron letërsia e keqe. Zbrisni në fund të posit, që të shikoni yjet”.
Përsa u përket ndjenjave të mira: sipas të gjitha feve mëshira është ndjenjë hyjnore e themelore, por ama në letërsi është një bimë e keqe që duhet shfarosur, duhet shkulur me rrënjë.  Që të shkulet nga vepra, duhet fillimisht të shkulet nga autori.
Besoj është e kuptueshme se kur përmend fjalën pus, Gide nënkupton pusin psiqik, atë që shtjelluam në hyrje të këij shkrimi. Për atë që Sabato thoshte, “kush e njohu plotësisht dhe nuk ndjeu neveri?!”.

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back