Kryesore

Një përpjekje për ta vënë bukurinë në vendin që meriton!

               Publikuar në : 10:33 - 21/09/20 liberale

Arbër Ahmetaj

Personazhet e Petrit Palushit te romani i tij, “Këpucët e Kaltrinës”, janë të rinj të shqetësuar. Ata gjejnë një Bibël, të cilën nuk e lexojnë dot lirshëm. Bibla sjell, simbolikisht, pamundësinë e tyre për t’ia besuar një pjesë të dramës dhe peshës së rëndë të jetës një fuqie hyjnore, një qenieje të mbinatyrshme, të cilës ata as nuk mund t’i luten, as nuk mund t’ia besojnë të fshehtat e tyre përvëluese. Por në një copëz letre ata zbulojnë se dikush lutet për ta. Kjo grimcë misticizmi, që mbetet thjesht një detaj në roman, në fakt përbën thelbin e romanit. Ata besojnë dhe e ndjekin deri në fund ëndrrën e tyre. Të gjejnë dytësen e një tape liqeni, një shtrojë plastike këpuce, një mbeturinë e çmuar, e sjellë si dhuratë nga liqeni që përmbysi qytetin, rrënjët dhe të shkuarën e tyre. Në kërkim të saj, personazhet e bashkë me ta edhe lexuesi, ndjekin me gjithë zemër shpresën e Dardanit për të gjetur gjysmën e humbur të vetes së tij. Duke kërkuar tapën tjetër, ai kërkon plotësimin e vetvetes me realizimin e një ëndrre për të fituar dashurinë e Kaltrinës. Gjysma tjetër! Ja ku ndodhemi para një ngërçi të vjetër filozofik, por edhe para një çështje praktike të mbijetesës. Aluzionet e sjella në roman na çojnë jo vetëm drejt Kaltrinës, si gjysma tjetër e Dardanit, por edhe tek gjysma tjetër e atdheut, mbetur tutje, në kufijtë fundorë të liqenit. Uji dhe liqeni, thellësia që ngjall frikë, brigjet misterioze që zhyten e zbulohen, peshkatarët, thatësirat, prurjet e egra dhe mbeturinat e një bote tjetër përbëjnë gati një personazh, në mos më mirë, skenën ujore ku luhet drama. Një skenë e lëngët, e rrëshqitshme, e paformë, e pashpresë.

Dhe qyteti me rruginat dhe Gjashtëkatëshin, me duartrokitës, me njerëz të robtuar. Por edhe me gjimnazistë, me të rinj që ëndërrojnë. Kjo flakë shprese nuk është shuar as nga ujana e liqenit, as nga shkretina e erërave të qytetit të vogël në rrëzë të Gjallicës. Lexuesi i jepet shansi të entuziazmohet, të ngihet me shpresë, të kërkojë e të besojë se një ditë, ajo tapë-shtrojë këpuce do të gjendet, në mos për asgjë tjetër, thjesht që Kaltrina të duket bukur, të duket më e bukur në mbrëmjen e maturës. Ky kult, bukuria, hijeshia fizike njerëzore, i shpeshtë në psiqikën e shqiptarit, i rrallë për fat të keq në tekstet letrare, mbruhet në këtë roman me një kujdes e dashuri të posaçme.

Petrit Palushi, i afrohet, edhe pse me ndruajtje, një miti të vjetër ndër ne, vendosjes së bukurisë së gruas në piedestalin që meriton. Blerja e rrobave të nuses, sa më të bukura e sa më të shtrenjta ka qenë shqetësimi i përjetshëm i familjeve shqiptare, të alpeve e të fushës. Dardani, i romanit dhe i kohës së ngrirë në të cilën zhvillohen ngjarjet, nuk i shmanget dot kësaj thirrje të lashtë; këtu gjendet edhe sekreti i durimit, i sakrificave që bën ai në kërkim të tapës tjetër. E dashura e tij duhet të jetë e bukur, jo në ditën e dasmës, por në mbrëmjen e maturës. Ky është një shqetësim universal i moshës rinore, i adoleshentëve në të gjitha qoshet e planetit, anipse në fillim të shekullit të 21, dhuratat mund të kenë natyrë më të sofistikuar, si bone për ndonjë sallon bukurie apo depilimi, kostume, fustane parfume apo stoli me emra markash të njohura.

Mes zymtisë e varfërisë, personazhet e Palushit bëjnë humor, numërojnë gozhdat me të cilat mbërtheheshin fletë-rrufetë, maskarada lejfeniste e revolucionit kulturor kinez, shitur në Shqipëri me çmimin më të shtrenjtë për dinjitetin e qytetareve shqiptarë. Pafajësia dhe lirshmëria e tyre të kujton nga një herë Tom Soyer-in e Mark Twain-it, aq sa ke dëshirë të rikthehesh në atë kohë pafajësie, si një ekskursion i pamundshëm në të shkuarën tonë.

Romani është si film që sjell imazhe nga një botë e ngrirë. Ëndrrat, lutjet, emocionet, dashuritë dhe frikërat e atyre adoleshentëve kanë fuqi përgjithësuese. Romani rrjedh i prajtë, si ujnat e liqenit, por fsheh në gji e na befason me misteret e karaktereve, me dramat dhe dhimbjet e përditshmërisë së tyre. Ironia e përdorur me masë, vë gjithsesi në spikamë, një mospërputhje të thelle mes asaj që reklamohet si arritje dhe një realiteti poshtnues, përtokës për njeriun, e sidomos për të rinjtë. Asnjë bashkëkohas europian i personazheve të këtij romani, nuk ka qenë aq i rrëzuar përtokë, aq i poshtruar nga varfëria, mungesat ekzistenciale, frikërat nga përgjimi dhe rrënimi prej punëve skllavëruese e joproduktive. Gjithsesi personazhet e tij, arrijnë të ëndërrojnë, të flasin për qytete të mëdha, për kryevepra botërore të letërsisë, të ngadhnjejnë duke ruajtur shpresën dhe fuqinë për të dashuruar. Realist e onirik njëherësh, me gjuhë shumë të pasur, romani lexohet me shumë endje e lehtësi, dëshmi e mjeshtrisë së rrëfimit romanesk tek Petrit Palushi.

Në fund të fundit, një shkrim dashamirës për librin, nuk ka për synim t’i bëjë kritikë të thellë estetike e strukturaliste romanit, synimi i këtij shkrimi është me nxitë dashamirësit e letërsisë së mirë, mos me i kalue përskaj këtij libri pa ia hedhur një sy. /Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back