Aktualitet

Një “multitask” si Flutura Dervishi: E lumtur që nuk kam kohë

Shkruar nga Liberale
Një “multitask” si Flutura Dervishi: E lumtur që nuk kam

Kryetarja e Federatës së Arsimit në Elbasan, Flutura Dervishi merr gradën shkencore “Doktor” në UET

Me Fluturën u takuam tek kafja pranë Universitetit Europian të Tiranës, pasi kishte prezantuar punimin e saj shkencor me temë “Ndikimi i të lexuarit në zhvillimin konjitiv, emocional dhe social të nxënësve adoleshentë”.

Nuk është nevoja ta pyesësh se pse ka zgjedhur këtë temë doktorale dhe pse ka zgjedhur pikërisht UET-in, pasi për të dy flet me shumë pasion dhe nuk të lë ta pyesësh fare, por “ta pret shkurt”.

“Unë letërsinë e kam pasion, shkruaja që në fillore, prandaj dhe vendosa të studioja për Gjuhë dhe Letërsi”, thotë ajo duke buzëqeshur, dhe çdokush do ta besonte pasi i ka kushtuar gjithë kohën dhe jetën e saj.

Ndërsa me UET-in fillimet kanë qenë të hershme, kur u paraqit për të fituar vendin e saj të punës si redaktore e jashtme pranë shtëpisë botuese, UET Press.

“Kam redaktuar jo vetëm libra artistikë. Në UET Press redaktoja libra shkencorë, zhaner të cilin nuk e kisha provuar më herët. Ndërkohë që punoja edhe mësuese në periferi të Elbasanit. Mbase kam lënë shumë gjëra pa bërë tek vetja, dhe u fokusova të karriera, falë dhe mbështetjes së familjes sime dhe për këtë jam krenare. Jam person që nuk kam kohë. Ah sa kam dashur të isha një person që s’kishte kohë. Në kohën kur erdha në UET kisha kohë sepse kisha vetëm angazhimin tim si mësuese. Duke dashur të rritem profesionalisht, koha filloi të ngushtohej dhe tashmë kam arritur në kohën kur gjithçka e programoj. Sot jam personi që them nuk kam kohë. Madje as vitet nuk i kuptoj se si më ikin. Mendoj që angazhimi im në disa gjëra njëkohësisht më ka bërë që të eci bashkë me rritjen profesionale”, tregon studiuesja e palodhur, Flutura Dervishi.

Fluturën nuk e gjen asnjëherë në të njëjtin vend, dhe kushedi sa herë e bën rrugën Tiranë-Elbasan, kjo për shkak të angazhimeve të saj si Kryetare e Federatës së Arsimit në Elbasan dhe së fundmi edhe si Nënkryetare e Federatës së Arsimit në gjithë Shqipërinë.

“Mbrojtja e të drejtave të mësuesve. Ajo që ne bëjmë konkretisht është që shkojmë nëpër shkolla dhe përcaktojmë në secilën prej tyre një kryetar tek i cili raportohet çdo problem që mësuesit hasin në vendin e punës, apo kur u është shkelur e drejta e tyre. Kryetari, përgjegjës për secilën shkollë e delegon problemin tek unë që jam Kryetarja e Federatës dhe nëse problemi kërkon zgjidhje nga ministria unë e delegoj deri atje, në rastet kur nuk mund t’i japin një zgjidhje vetë. Është e lodhshme dhe stresante, por është dhe e bukur, pasi kurrë nuk do të kisha njohur kaq shumë mësues nëse do të isha vetëm mësuese. Kurrë nuk do të kisha dëgjuar aq shumë zëra që delegohen”, tregon për të gjithë ata që duan të dinë më tepër rreth punës që ajo bën konkretisht.

Dervishi: Zgjodha UET për doktoraturën, i jep shumë rëndësi kërkimit shkencor

Ishte viti 2011 atëherë kur për Flutura Dervishin lindi nevoja që të gërshetojë pasionin për Gjuhën dhe Letërsinë me Psikologjinë. Atëherë kur vendosi që duke “thyer tabutë” të provincës së Elbasanit ku ajo punonte, të bënte një master profesional e më pas një tjetër, shkencor, duke u fokusuar tek Psikologjia, por pa e harruar të lexuarit.

“Studimet master i kreva në një moshë të madhe dhe për mua ishte edhe një rikthim në auditor, por këtë herë ndryshe pasi kisha objektiva të qarta në atë që doja të bëja. E ku mund të gjeja një vend më të mirë se UET-i, ku gjeta një ambient mjaft mikëpritës. Bëhet fjalë për 2011, kur fillova masterin profesional për Psikologji Shkollore dhe mandej vendosa që të bëja dhe një master shkencor për Psikologji Këshillimi. Kërkova në shumë universitete dhe pashë që UET-i ishte mundësia më e mirë që të arsimohesha. Sigurisht që kam thyer tabu, pasi në atë kohë të gjithë mendonin se, “pse do duhen studimet pasuniversitare” dhe aq më tepër të ndërroje degë. Por unë mendoja që kishte ardhur koha dhe momenti që tregu i punës do të kërkonte dhe një specializim”, thotë Dervishi .

Ndërsa gjithëkush mund të mendonte se sa shumë vullnet do t’i ishte dashur për të mbërritur deri këtu, ambicja e saj nuk ndalet. Fundja, ia ka parë hajrin!

Tashmë e formuar profesionalisht në dy profile të ndryshme, por që kanë kaq shumë lidhje me njëra-tjetrën për të edukuar breza të rinj, ajo vendosi që të ndjekë studimet doktorale.

“Ndikimi i të lexuarit në zhvillimin konjitiv, emocional dhe social të nxënësve adoleshentë”, është një studim i cili në fokus të tij ka jo vetëm nxënësin adoleshent të sistemit shkollor 9-vjeçar, por edhe mësuesit përgjegjës për të lexuarin në abientet e shkollës.

“Studimi im vërteton hipotezën se të lexuarit ndikon në zhvillimin konjutiv, emocional dhe social të nxënësve adoleshentë. Në studim mungesa e një të lexuarit të kuptimshëm shihet si një faktor që çon drejt analfabetizmit funksional. Është mosha ku krijohet personaliteti dhe do një kujdes të veçantë. Ka shumë faktorë që ndikojnë në zhvillimin psikologjik të adoleshentëve, faktorë kulturorë, ekonomikë apo socialë”, tregon ajo duke thënë se në UET gjeti atë që kërkonte, një universitet që i jepte shumë rëndësi kërkimit shkencor.

“Ajo që vura re nga studimi ishte se nxënësit zbërthejnë më lehtë tekstet letrare dhe e kanë më të vështirë që të zbërthejnë ato që janë me grafika. Mirëpo në këto 10 vitet e fundit lënda e Gjuhës Shqipe është e hartuar në atë lloj mënyre që nxënësit të kenë mundësi dhe aftësi të kuptojnë edhe lexime të tjera përveç atyre letrare”, shpjegon tashmë Dr. Flutura Dervishi. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH