1

Një memoir për ‘gjeneratën Z’ të shqiptarëve

               Publikuar në : 09:40 - 14/11/20 liberale

Profesori i Diplomacisë në Universitetin Europian të Tiranës, Fatos Tarifa vjen sot në gazetën “Dita” me një shkrim për librin e Mustafa Nanos “Hinterlandi i kuq” i cili është botim i UETPress.

“Nuk e kisha lexuar Hinterlandin e kuq të Mustafa Nanos kur u botua nga UET Press më 2013 dhe
më vjen keq që e kam humbur për shumë kohë mundësinë që të lexoja një libër si ky. E lexova pak kohë më parë në këtë version të ri, të zgjeruar, që ju, lexues të nderuar, e mbani në duar dhe, e para gjë që dua të them është se kisha kohë pa lexuar një libër autobiografik të mirë si ky”, shkruan Tarifa.

“Hinterlandi i kuq” është rrëfimi i Mustafa Nanos për vendin, në të cilin u lind dhe u rrit, njohu shokët dhe banorët, detajet dhe ngjarjet, pa të cilat ndoshta do të ishte një qënie e cungët, e paplotë.

Shkimi i Fatos Tarifës i botuar në gazetën “Dita”:

Nuk e kisha lexuar Hinterlandin e kuq të Mustafa Nanos kur u botua nga UET Press më 2013 dhe
më vjen keq që e kam humbur për shumë kohë mundësinë që të lexoja një libër si ky. E lexova pak kohë më parë në këtë version të ri, të zgjeruar, që ju, lexues të nderuar, e mbani në duar dhe, e para gjë që dua të them është se kisha kohë pa lexuar një libër autobiografik të mirë si ky. Edhe pse, vetëm disa muaj më parë, unë botova një libër “të ngjashëm” ―Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë, ky libër i Mustafa Nanos është një gjë krejt tjetër saqë, tani, post factum, jam i sigurt se do ta kisha shkruar ndryshe librin tim nëse do të kisha lexuar më parë Hinterlandin e Nanos. Edhe pse të dy këta libra përmbajnë kujtime dhe refleksione për një kohë të shkuar―e cila, në fakt, ka dimensionet e një epoke historike―përvojat jetësore të autorëve të tyre, të pasqyruara e të interpretuara në këta dy vëllime, janë shumë të
ndryshme. Mua më duhet të pranoj, sidoqoftë, se ky libër autobiografik i Mustafa Nanos ka një fokus më panoramik, është më intensiv në përmbajtje, më analitik. Dhe, pa dyshim, shumë tërheqës. Pavarësisht kontekstit krejt të ndryshëm nacional, kulturor e historik që i jep përmbajtje dhe kuptim shoqëror rrëfimit të Mustafa Nanos në këtë vëllim, unë, pa asnjë hezitim, do e rendisja atë ndër librat më të mirë autobiografikë që kam lexuar për fëmijërinë dhe rininë e tyre nga shkrimtarë të tillë, si William Butler Yeats, Vladimir Nabokov, Czesław Miłosz, Graham Greene, Maxim Gorky, Mary McCarthy, Alan Silitoe e ndonjë tjetër. Njëlloj si këta autorë të shquar, Nano ka mundur të na japë një vepër autobiografike thellësisht reflektuese, e cila, në një kuptim real  të fjalës, është edhe pjesë e autobiografisë
intelektuale të tij. Për habinë time, madje, me Hinterlandin e kuq Mustafa Nano, si shkrimtar, më ka surprizuar po aq sa edhe më ka pëlqyer si gazetar gjatë këtyre njëzet viteve të fundit
* * *
Duke jetuar jashtë Shqipërisë thuajse  gjatë tërë dekadës së viteve 1990, unë nuk arrita ta njoh Mustafa Nanon kur ky u shfaq si gazetar në fund të asaj dekade. Por, m’u dha rasti ta takoj e të njihem me të në vitin 2002, në Washington, D.C., kur ai dhe një grup gazetarësh të tjerë nga Tirana vizituan kryeqytetin amerikan. Nuk e fsheh, Nano ishte për mua atëherë një emër i panjohur në gazetarinë dhe në publiçistikën shqiptare dhe u desh të kalojë pak kohë që të kuptoja, duke lexuar nga larg artikujt e tij, se ai ishte—dhe mbetet—ndër gazetarët më të mirë dhe një ndër intelektualët më mendjehapur të këtij vendi. Nga ky libër mësova edhe një fakt interesant, atë se, Mustafai do të kishte sot të njëjtin emër
si unë, Fatos, siç kishte dashur ta quante nëna e tij, nëse nuk do të kishte qënë këmbëngulja e gjyshes së vet për t’i dhënë foshnjes emrin e gjyshit të tij. Hinterlandi i kuq dhe romani i tij Një javë në Manastir, botuar së fundmi po nga UET Press, më kanë bindur se ai është, gjithashtu, një shkrimtar i pazakontë,
shumë i talentuar në stil, sqimëtar në subjektet që zgjedh për të shkruar dhe inovator në përshkrimin dhe trajtimin e tyre. Për më tepër, nga gjithçka që kam lexuar deri më sot nga Mustafa Nano, kam kuptuar se ai është ndër të paktën gazetarë dhe shkrimtarë shqiptarë që lexojnë vazhdimisht dhe, për këtë arsye, kanë interesa të shumta dhe një diapazon të gjerë kulturor. Nuk është pa vend të theksoj se, aftësitë dhe talenti i Nanos si gazetar dhe si shkrimtar konkurrohen vetëm nga aftësitë e tij si një moderator krijues në programet televizivë tepër atraktivë për publikun e lexuar shqiptar, që ai ka drejtuar deri më sot.
* * *
Ribotimi i autobiografisë së Mustafa Nanos Hinterlandi i kuq më jep rastin ta veçoj këtë libër si një ndër krijimet më interesante dhe më me vlerë të tij. Libri ekzaminon, nga një perspektivë retrospektive, kushtet dhe rrethanat jetësore të shoqërisë shqiptare përmes eksperiancave personale të autorit, portreteve të individëve të tjerë dhe përshkrimit të ngjarjeve të veçanta në një prej qyteteve provincialë
të Shqipërisë—në Çorovodë―në periudhën e fundit të atij regjimi që e kemi njohur si “socializëm shtetëror”, ose si “diktakturë e proletariatit”, gjatë së cilës autori dhe brezi i tij u rritën dhe u socializuan.

Përveç Tiranës dhe disa qyteteve të tjerë të rëndësishëm, Çorovoda në atë kohë nuk
dallonte shumë nga pjesa tjetër urbane e Shqipërisë dhe, ipso facto, përshkrimi nanoist i këtij qyteti, me të gjitha ngjyrat dhe detajet e jetës në të, ofron një miniaturë të tablosë së shoqërisë shqiptare dhe të fateve të individit në atë kohë. Nano me të drejtë vë në dukje se, në terma urbanë, demografikë e socio-kulturorë, Çorovoda, ashtu si të gjithë qytetet e Shqipërisë, u ngrit “mbi bazën e logjikës së dominimit ideologjik, burokratik e militar të territorit”. Ky është një vëzhgim dhe një përfundim sociologjik i saktë. Pavarësisht profesionit të tij si inxhinier, përvoja e pasur jetësore dhe gazetaria duket se e kanë bërë Mustafa Nanon një vëzhgues të mprehtë dhe një analist të mençur të dukurive shoqërore,
çka edhe shpjegon lehtësinë me të cilën ai ndërthur perspektivat mikro dhe makrosociale në analizën e këtyre dukurive.
* * *
Kujtimet impresioniste të Nanos në këtë libër mbi fëmijërinë dhe rininë e tij në Çorovodë i ofrohen lexuesit si një pasqyrë e qartë e eksperiencave njerëzore të brezit të vet. Në to gjejmë ndjesitë e përjetura,
ëndrrat dhe shpresat e fëmijëve e të adoleshentëve të lindur e të rritur në periferinë e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, madje në një periferi të thellë, malore të saj, që për të zbritur me autobus në fushë, në Lushnje, edhe kjo, në atë kohë, një zonë periferike e vendit (por më pak periferike
sesa Çorovoda, pasi në Lushnje arrinin valët e televizionit Italian RAI), të duhej të
humbisje një ditë të tërë. Por, në këtë libër gjejmë edhe përshkrime tejet realiste të situatave jetësore nga më të ndryshmet për njerëz dhe familje, të cilët, regjimi i kohës i kishte “deklasuar”, i kishte shpallur, si të thuash, non grata në vendin dhe në shoqërinë e tyre, për njerëz të thjeshtë, punëtorë e të varfër, për njerëz njëlloj të varfër, siç ishin në atë kohë pjesa dërrmuese e shqiptarëve, por edhe për një shtresë të mesme, kryesisht nëpunësish dhe drejtuesisht të organeve lokale të Partisë së Punës (portretizuar në figurën e Sekretarit të Parë të rrethit dhe të sekretarit të komitetit të partisë, që ishte fqinj me famljen e tij) dhe të pushtetit ekzekutiv.


* * *
Çfarë Nano përshkruan në lidhje me Çorovodën në një kontekst makrosocial në këtë vëllim autobiografik të tij shëmbëllente në atë kohë si në pasqyrë realitetin e Shqipërisë, e cila, thotë Nano, ishte një “botë e ndryshme”. Pavarësisht veçorive kulturore e gjeografike që kishin qytetet e vegjël të vendit dhe pavarësisht proksimitetit të tyre me Tiranën, ata, thuajse të gjithë, kishin një fizionomi të ngjashme. Tepelena, Gjirokastra, Saranda, Erseka, Pogradeci, Rrësheni, Kukësi e Bajram Curri ishin edhe ata, në një kuptim real të fjalës, si Çorovoda. Njerëzit kishin kudo të njëjtat mundësi e kushte jetese dhe të njëjtën cilësi e mënyrë jetese. Sipas grupomoshës së tyre, banorët e qyteteve të vegjël visheshin dhe silleshin kudo njëlloj. Veshjet i blinin gjithnjë të gatshme, të qepura në ndërmarrje shtetërore, derisa të rinjtë filluan t’i qepnin ato në rrobaqepës privatë. Fshahurazi. Njëlloj siç përpiqeshin të lexonin ndonjë libër “të verdhë”, ose të shihnin ndonjë film pornografik kudo ku kapeshin sinjalet e televionëve të huaj. Shkollat ofronin pak a shumë të njëjtën cilësi arsimi. Mësuesit kishin kudo të njëjtin rol dhe gëzonin të njëtin respekt. Punëtorët e ndërmarrjeve industriale, ata të shërbimeve dhe nëpunësit e shtetit kishin të njëjtin nivel jetese dhe të njëjtin status shoqëror. Sekretarët e partisë dhe “nomenklatura” lokale ishin thuajse kudo të njëjtë në sytë e qytetarëve. “Biografia” e familjes kishte kudo të njëjtën rendësi dhe “të deklasuarit” ishin njëlloj “të rrezikshëm”. Kudo kishte një pallat pionierësh,
një bibliotekë për qytetin dhe në orkestrën e çdo pallati kulture kishte një Sara(h) Malindi që luante në violinë. Përshkrimi i saj në librin e Nanos nuk e di pse më solli ndërmend Malènën (Monica Bellucci-n) në filmin me të njëjtin titull të Giuseppe Tornatore-s. Çdo qytet i Shqipërisë kishte një Malèna të vetin dhe admirues të shumtë të saj, jo thjesht një Renato Amoroso (interpretuar në atë dramedy romantike
nga Giuseppe Sulfaro), si djali siçilian në atë film, por shumë të tillë, të cilët Nano i personifikon me Nard Koritën.

* * *
Historia e fëmijërisë dhe e rinisë së Mustafa Nanos, siç e lexoj unë në këtë përshkrim autobiografik të tij, është odisea e një djali të ri në kërkim të vetvetes, një përpjekje për të zbuluar thelbin primordial të qenies së vet dhe vendin e vet në shoqërinë shqiptare. Por, kjo autobiografi pasqyron njëkohësisht edhe historinë e një lufte të vazhdueshme brenda autorit mes dëshirës për t’i kuptuar plotësisht rrethanat shoqërore në të cilat është rritur dhe ka qenë i detyruar të jetonte në një sistem politik e shoqëror represiv, nga njëra anë, dhe nevojës për të shkruar për to dhe për t’i ndarë eksperiencat e veta personale me njerëz të tjerë, nga ana tjetër. Me fjalë të tjera, ky libër është një evokim elegant dhe i pasur i eksperiencave të tij dhe i kohës për të cilën Mustafa Nano shkruan dhe, nëse i lexojmë ato nga këndvështrimi i sotëm, mund të vemë re se këto eksperienca ndihmojnë për të kuptuar zhvillimin intelektual të vetë autorit dhe tërë krijimtarinë intelektuale të tij. Si për çdo fëmijë që u lind dhe u
rrit në kushtet e “tiranisë komuniste”, fëmijëria dhe adoleshenca e autorit të këtij libri nuk kanë qenë indulegjente, as idilike. Ato mbajnë vulën e kufizimeve të gjithanshme dhe të mjerimit të asaj kohe, por, Mustafa Nano që njohim sot, si një intelektual publik dhe si një ndër gazetarët dhe shkrimtarët më iteresantë të kohës sonë, na ka dhënë shembullin e një njeriu që ka ditur të ngrihet mbi vështirësitë e kushteve të jetesës së tij për të qenë realist në vlerësimin e ngjarjeve e të situatave të një epoke të perënduar në vendin tonë, por, edhe më qartë, të një epoke që e prisnim të vinte, por që nuk kemi ditur dhe nuk kemi mundur ende ta krijojmë. Në këtë kuptim, Hinterlandi i kuq është një memoir shumë interesant që flet për një kohë tashmë historike, por edhe për dukuri që, fatkeqësisht i gjejmë edhe në ditët tona. Ky fakt, besoj unë, shpjegon zhgënjimet e vetë autorit, si një ndër pjesëmarrësit e parë aktivë të lëvizjes opozitare për rrëzimin e sistemit të socializmit shtetëror prej asaj çfarë ndodhi më
pas në Shqipëri.
* * *
Ky tekst tepër i pasur me përshkrime individësh dhe situatash reale përmban një informacion sociologjik shumë të pasur për këdo që e ka përjetuar atë kohë si një eksperiencë jetësore personale e shoqërore, por, sidomos, për ata breza shqiptarësh të lindur mes viteve 1980 dhe 1996 (të ashtuquajtur millennials), që sot janë 24-40 vjeç), dhe ata më të rinjtë, që në kulturën pop dhe në zhargonin e sotëm quhen Generation Z (brezi i lindur pas vitit 1997). Në mungesë të studimeve të mirëfillta sociologjike për periudhën e socializmit shtetëror dhe për dekadën e viteve 1980, e cila shënoi fillimin e rënies së atij sistemi shtypës (të cilin, siç Mustafa Nano thotë me të drejtë, “nuk e rrëzuan, por dha shpirt vetë”), pëshkrimet dhe refleksionet e tij për qytetin ku lindi dhe në të cilin jetoi rininë e vet përbëjnë një dëshmi kulturore me vlerë të veçantë njohëse dhe edukuese për të rinjtë e sotëm.

Ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve të brezit tim dhe ata që janë bashkëmoshatarë me autorin e këtij libri i kanë provuar si eksperienca jetësore të drejtpërdrejta shumë nga ato dukuri që përshkruhen në
Hinterlandin e kuq, ky libër përmban një informacion shumë të pasur për të rinjtë e sotëm për një sërë dukurish që janë pak, ose aspak të njohura për ta. Nëse duan që t’i njohin e t’i kuptojnë më mirë kushtet
dhe rrethanat në të cilat u rritën dhe jetuan prindërit e tyre, ky libër është shumë i dobishëm, madje i domosdoshëm për t’u lexuar prej tyre. Me këtë libër, Mustafa Nano u flet sinqerisht dhe me mjaft realizëm dy brezave të shqiptarëve―brezit të tij dhe brezit të të rinjve të sotëm. Sa nga të rinjtë e sotëm, fjala vjen, e dinë se çfarë ishin MAPO-t në socializëm? Ky akronim, që për ta sot nuk bën asnjëkuptim, ka qenë për dekada me radhë një “institucion” i rëndësishëm në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe, ndërsa në Tiranë, MAPO-t ishin thuajse objekte toponimikë në hartën e kryeqytetit
(MAPO e Madhe, MAPO e Tiranës së Re, MAPO e Rrugës së Durrësit etj), në qytetet e vegjël, siç Çorovoda, të cilin kaq mjeshtërisht e përshkruan Nano, MAPO-ja ishte qendra ontologjike e jetës
urbane. Po kështu, adoleshentëve dhe të rinjve të sotëm, për të cilët virgjëria paramartesore e ka humbur, ose po e humbet simbolizmin dhe karakterin mitik të saj, për të cilën është shkruar kaq shumë në letërsinë jungiane, mund t’u interesojë të dinë se ç’ndodhte me libidon e moshatarëve të tyre në kushtet e shoqërisë së asaj kohe, kur Partia kishte një monopol dhe kontroll absolut mbi mendjen, mbi ndjenjat dhe mbi sjelljen e individit. “Thithkat e Ornella Muti-t” ishin, mesa duket, gjëja më eksituese për libidon e djemve skraparllinj, imagjinata dhe qenia erotike e të cilëve ngacmoheshin aso kohe
nga një varieté erotike në televizionin jugosllav si “Electric Blue”. Dhe kjo ndodhte në një shoqëri dhe në një kohë kur virgjëria e femrës përfaqësonte jo vetëm një ideal mashkullor, të shndërruar prej shekujsh në një nga normat bazë të moralit, por ishte një besim gjerësisht i përhapur edhe te vetë
vajzat, të cilat, pasivitetin seksual të tyre e projektonin si pritshmëri dhe e kërkonin me fanatizëm edhe te vajzat e tjera. Edhe pse, siç shkruan autori i librit, “vajzat ishin në qiellin e shtatë sa herë që ndiheshin
të rrethuara nga vëmendja mashkullore”, virgjëria ishte për to një vlerë sublime.
* * *
Hinderlandi i kuq është një libër autobiografik i shkruar me mjaft realizëm dhe i pasur me sentimente të sinqerta. Ai nuk është aspak i rënduar me data dhe emra të panevojshëm, që do e bënin të bezdisshëm për lexuesin. Mjeshtëria dhe mënyra ekonomike e të rrëfyerit, kureshtja dhe
interesimi, që autori pa shumë përpjekje i mban gjallë jo vetëm përmes narrativës së tij, por edhe përmes çdo fjalie, si dhe episodet e përshkruar në një mënyrë mjaft të gjetur―dhe me një gjuhë shumë realiste― e bëjnë këtë një libër të vërtetë, ndërsa rrëfimi i autorit është kaq i rrjedhshëm, i shtruar e tërheqës, sa të rrëmben e të bën të mos e heqësh librin nga dora. Një libër i shkëlqyer nga njëri prej autorëve të mi tashmë më të preferuar. /Dita

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back