Kryesore

Një lutje për shpëtimin e shpirtit

               Publikuar në : 10:14 - 05/04/21 liberale

Alma Jaku

I  përkas besimit të krishterë, edhe pse nuk jam nga ata njerëzit e përulur që nxitojnë të shkojnë në kishë dhe sidomos, nuk jam  nga ata politikanët ateistë që nxitojnë të zënë vendet e para në faltore, sidomos për Pashkë, Krishtlindje a Bajram, për të fituar pikë tek elektorati i vet.

Më vjen keq të pohoj  se jam njè grua që nuk i respekton vazhdimisht ritualet fetare – reminishencë e një kohe të vrazhdë ateiste – e megjithatë, përpiqem që në ditët më të shenjta të jem besimtare tradicionale.

Më kujtohet e ndjera gjyshja ime, që më thosh se sa më e varfër të jesh, aq më afër je me Krijuesin. Dhe, varfëria nuk do të pengojë t’u bësh ca rroba te reja fëmijëve të tu. Ajo vetë na qepte gjatë Pashkëve rroba të reja, duke improvizuar gjithfarë teknikash, të cilat do ia kishin zili dhe Couture-t e famshëm modernë!

Këtë radhë m’u kujtua, sidomos amaneti i saj për të ngjyer vezët e Pashkëve.
Me mendjen te kjo porosi e gjyshes sime, kaloj në rrugën e tregut. Jashtë portës së pazarit, është ulur në bordurët e trotuarit, mes gjithë asaj zhurme shurdhuese të kalimtarëve e të makinave, një fëmijë rreth moshës 10 vjeçare.

– Bojë për ngjyrosje vezësh –  thërret me gjithë zërin e vet prej fëmije. Në prehër, ashtu siç duhej të mbante çantën e librave të shkollës, mban një shportë kashte të mbushur me qese boje.

Gjithmonë i kam dashur fëmijët që përpiqen të ndihmojnë familjen, dhe për këtë arsye ndalem të blej pikërisht tek ai.  Është një fëmijë plot energji, me sy të kaltër, flokë të verdhë me forma. Flet si një burrë i vogël malësor, plot siguri në vete: “Urdhno zonjë, kjo është boja më e mirë në treg, i kthen vezët në vepra arti!  Duhet t’i ziesh, pastaj hedh ngjyrën, në fund,  kuptove? Ee?”. Dhe është kaq i kujdesur, që të sigurohet se unë e kam kuptuar se si duhet bërë ngjyrosja e vezëve.

E vështroj me dashamirësi, me gaz të përmbajtur për shpjegimin e tij plot zell ! Është i bindur se po shet bojën më të mirë që ka shpikur njerëzimi!
– Sa kushton një pako? – e pyes me të qeshur.
– 500! – ma kthen. Beftë, kujtohet për diçka e më sheh ngultaz i qeshur në fytyrë dhe më thotë – O, ti je mama e Drinit! E di që jam shok me Drinin, djalin tënd?  Merri me 250, janë të mira, sak, për Zotin.
Mezi mbaj të qeshurën. Drini im është 8 vjeç dhe unë po marr një privilegj, pikërisht sepse jam nëna e tij.

– Meqenëse je shoku i Drinit,  do të blej veç një pako, dhe me çmimin që dua unë, jo ti!

Ai përpëlit sytë e gjegjet: “Sa të duash ti moj burrneshë, s’do prishemi në Pazar; një edhe mund ta fal.”
Unë qesh dhe i them se dua ta blej 2000 lekë. Përnjeherë sytë i marrin dritë e qesh i lumtur. – Jo, jo, mami i Drinit, çfarë vlen shoqëria ime me Drinin pastaj! – Pastaj, papritur shton, – Mami i Drinit!  Ç’ka thotë Partia?

Shtangem nga e papritura. Është pyetja më rutinore dhe më e lodhshmja këto kohë, sepse është kohë fushate. Por është një pyetje që ia dëgjon të rriturve, jo fëmijëve. Dhe sidomos, nuk do ta prisja nga një fëmijë që është shok me fëmijët e mi. E pyes se nga e di ai që merrem me politikë. ”Ehu, unë di shumë gjëra, po do fitojmë, ta dish!”, më thotë me një ton të sigurt.

Tani unë nuk qesh më. Më dhemb në shpirt që po bëj një bisedë të tillë me shitësin e bojës së vezëve, një fëmijë 10 vjeçar, shoku i tim biri.

E imagjinoj të veshur me rroba të reja, tek luan në një park fëmijësh plot vrull e gazshend, të pafajshëm dhe fëminor, larg pazarit, larg politikës. Larg zhargonit të të rriturve. Jashtë marrëzisë së përgjithshme! Por ai ma pret fillin e mendimeve e më thotë: “Unë e di se me cilën parti je; e sheh që unë di shumë gjëra?” Tani jam gati të qaj nga dhimbja. Këtij djali i është vjedhur fëmijëria, është burrëruar para kohe. Siguron të ardhura për familjen, merr pjesë në takime elektorale, por nuk ka rroba të reja për Pashkë! Pas supeve të mia, ai thërret sërisht: “Hajdeee bojë vezësh!”

Këmbët më çojnë instiktivisht drejt Kishës. Hyj brenda dhe pëshpëris nën zë një lutje për Shpëtimin e Shpirtit! Për shpëtimin e shpirtrave të ne të rriturve! /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back