Letërsi

Një libër që na mësoi talljen, ose panairi kotësive shqiptare

Shkruar nga Liberale

-Romani i Dritëro Agollit “Shkëlqimi dhë rënia e shokut Zylo”-

Preç Zogaj

Njeriu mëson në jetë të përqeshë, të tallë, të ironizojë e satirizojë tipa dhe dukuri të ndryshme të kohës së tij, apo vetë kohën e tij. Askush nuk mund të thotë “kur” dhe “ si”. Të mësuarit e humorit nuk datohet, siç mund të datohet, fjala vjen, të mësuarit e bashkësive në matematike apo e tabelës së Mendelejevit në kimi.

Këto reagime ideoemocinale speciale zhvillohen bashkë me njeriun, gjatë gjithë jetës së tij. Por ka gjithnjë, për këdo, referenca apo “pika orjentimi” që tregojnë një periudhë, një rrethanë, një njëri , një pjesë teatrale, një film apo një libër që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të paharrueshme për të mësuar kodet e hyrjes në komedinë e jetës. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit është pa dyshim një referencë e tillë, një pikë e tillë orjentimi në kohë për lexuesit e viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, por edhe për lexuesit e mëvonshëm të këtij romani të rrallë në panteonin e prozës shqipe. Kur brezi im letrar, eklektik në formimin që po merrte nga leximet jashtë klase dhe dogmatik në formimin që i servirej në bankat e shkollës, po endej sa andej këndej në kërkim të drejtpeshimit artistik, botimi dhe leximi i Zylos, siç i thoshnim shkurt, erdhi me tingëllimin e një parodie të çiltër dhe të epërme me skematizmin, seriozitetin, zymtësinë dhe lejfenizmin e kohës.

Edhe më parë ishin shkruar, botuar e vënë në skenë skeçe, parodi dhe pjesë komike që kishin në fokus burokracinë, paaftësinë, servilizmin, kameleonizmin, tipat bufonë, e tjerë. Romani i Agollit i mori, i zhvilloi, i çoj përpara, i ngriti lart këto shkrepje të komedisë së re shqiptare. Më tej, ky roman u dha talljes dhe ironisë një status që nuk e kishin patur më parë në prozen e kohës, u dha qytetari, u dha një rreze veprimi që shkonte përtej karikaturizimit të burokracisë, duke prekur një mënyrë të punuari e të jetuari në prerjen tërthore të asaj që quhej superstruktura e shoqërisë. Romani i Agollit ishte një arenë shmitizimi, një shkollë e talljes dhe satirës me një botë që na ishte dukur largët, e huaj, e paprekshme. Qeshnim me lot, pa e ditur se po kultivonim aftësinë për të kapur komiken në gjerat serioze që na rrethonin.

Me vonë kam menduar se këtë mund ta bënte vetëm një artist-autoritet publik, si Dritëro Agolli, i cili kishte jo vetëm sovranitetin e duhur për të shtrirë sundimin e satirës tej kufinjve të metodës, por edhe sensin e nevojshëm artistik për të mos e rrezikuar dhe kompromentuar veprën e tij me teprime të një cinizmi dhe antagonizmi aletrar.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një roman tipik, nga ata që qëndrojnë në ajrin e kohës, që presim autorin për t’ju dhënë atij. Unë nuk jam habitur aspak kur kam dëgjuar Agollin të thotë në një prej intervistave të tij se nuk ishte ulur ndonjëherë ta shkruante këtë roman nga fillimi në fund, në bazë të një synopsisi dhe të një plani ditor pune, siç shkruhen e siç e përfytyrojmë se shkruhen shumica e librave në prozë. Agolli e shkroi romanin e tij si skenarët e telenovelave, ku njëra puntatë po xhirohet ndërsa tjetra po shkruhet. Pra shkroi një roman, subjekti i të cilit dukej sikur nuk kishte ndodhur, por ndodhte në kohë reale me të shkruarit e tij. Është kjo një nga arsyet që “Zylo” ishte dhe mbeti kaq i vetvetishëm dhe kaq i vërtetë si roman.

Për të gjithë ata që mund ta kenë lexuar shumë herët apo për të rinjtë që nuk kanë patur rast ta lexojnë akoma ia vlen të evokojnë telegrafikisht se romani ka në qendër ngritjen, shkëlqimin dhe rënien nga posti në piramidën e Ministrisë së Kulturës të Zylyftar Kamberit, një personazh butaforik, që të bën të qeshësh, por të ngjall edhe keqardhje me keqkuptimet e tij kolosale, fryt i indoktrinimit libresk për dijet, shkencën, përparimin, kauzën e maksizëm-leninizmit në botë, e tjerë. Si don Kishoti për të cilin thuhet se ishte shkruar për të diskretituar librat dhe zakonet e kalorësisë, shoku Zylo diskretiton me gjenuitetin e tij prej zyrtari dhe punëtori të mendjes klishetë, tabutë dhe modelet e propagandës së kohës. Si në romanet e ngjashme satirikë, shoku Zylo ka gjithnjë në krah Demkën, shkruesin e tij të fjalimeve, dëshmitarin e tij të lajthitjeve. Demka është një ish gazetar me prirje shkrimtari, që ka ngecur në rrjetën e një hierarkie mediokre, ku askush nuk di të konceptojë një referat, askush nuk bën përpara me punën e vet. Në të vërtetë, ndërsa Zylo është personazhi që diskretizon me bëmat e tij steriotipet dhe vanitetin e kohës, Demka si shkrues fjalimesh e referatesh është personazhi plotësues në këtë histori, por një plotësues kryesor, pasi është ai që i tregon ngjarjet, është ai që ka ndjerë një ditë të bukur t’i shndrisë para syve të mendjes vegimi i komedisë së madhe, të cilën vendos ta shkruajë.

Në trajektoren e karrierës së Zylos, Demka shpalos një tabllo laramane të shoqërisë shqiptare të viteve shtatëdhjetë, sheh si bëhën e shbëhen aoreolat në fytyrat e të ashtuajturve të mëdhenj, zbulon kotësinë si tipar të kohës. Duke kaluar nga një kapitull në tjetrin, që mbajnë tituj burleskë si , “Shoku Zylo mes vellezërve fshatarë pranë djersës së kazanit”, “Shoku Zylo ndeshet, “Shokut Zylo i digjet lëkura”, e tjerë, ke gjithnjë përshtypjen e udhëtimit në një parodi. Dhe pyet veten lexuesi: Ku qëndron sekreti apo magjia e këtij romani, që me trajtime shpeshherë karikatureske ka ndërtuar një ngrehinë artistike që na tërheq sot e kësaj dite? Përgjigja ime është kjo: në thelb ky është një roman për kotësinë, është panairi i kotësive shqiptare në përqasje semantike me “Panairin e kotësive” të Tekerejt. Tregues i këtij vaniteti janë “esetë” e famshme të shokut Zylo, bejtet, maksimat, fjalët e urta, epigramet, që zënë një vend të rëndësishëm në roman.

Të kujtojmë disa, që të ngelnin në mendje sapo i lexoje: “Tingulli është babaj i këngës. Zylo Kamberi, ese”. “Kur ke cigaren në gojë nuk e kruan dot gjithë buzën. Zylo Kamberi, ese”. “Në jemi shqipfolës/ s’jemi shpirtnjohës- sentencë”, “Një gjë që është varur do të bjerë/Prandaj është varur që të bjerë- Zylo Kamberi, poezi”. Me shokët e shkollës së mesme qeshnim me esetë, vargëzimet dhe batutat e Zylo Kamberit, bënin gara duke krijuar të reja nga mendja jonë, ishte në modë “muza” e shokut Zylo në atë kohë. Ajo lloj “muze” tipizonte perzonazhin, por ishte tregues i një eglendisjeje mendore në boshllëk si frymë e kohës . Prandaj “Shkelqimi dhe rënia e shokut Zylo” qëndronte gjithnjë në kufi, midis një romani komik që të bënte për të qeshur dhe një romani gri për kotësinë, që të vinte në mendime, madje të trishtonte. Personazhet e tij kryesorë Zylo dhe Demka janë nga të paktët personazhe të letrave tona të shdërruar në personifikime. “Zylo” dhe “Demkë” përdorën në të folurën e përditshme për të emërtuar dukuri, nganjëherë edhe pa e ditur “bografinë” e tyre si personazhe të një romani.

Së fundi, ia vlen të shënojmë se satirikja është në marrëdhënie binjakëzimi me lirizmin. Poeti i madh lirik Dritëro Agolli shkroi këtë vepër si vertetim të këtij pohimi./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH