Letërsi

Një libër që lexuesit e kanë pritur...

Shkruar nga Liberale

Emrije Klosi

Romani “Pritja” i Rudolf Markut është njëri ndër ato romane, për të cilët lexuesit thonë se të imponon një forcë magnetike: sapo ke filluar leximin, librin nuk mund të lëshosh nga dora pa e përfunduar, deri në faqen e fundit. Kur vjen fjala tek romani “Pritja”, kjo thënie nuk është më metaforë. Në letërsinë tonë ndodh që një vepër e shkruar nga një autor i certifikuar zyrtarisht si shkrimtar shumë i mirë, të ketë pak lexues. Më vonë, kur kjo vepër provohet nga studiuesit e letërsisë se është e rëndësishme, sigurisht, për standardin e studiuesve, shfaqen dhe lexuesit e vonuar, të cilët e ndjekin autorin nga fama e imponuar, si të thuash, zyrtarisht.

Krejt ndryshe, Rudolf Marku  bën pjesë në atë grup shkrimtarësh që është përpjekur t’i imponohet lexueseve përmes shkrimësisë, pa ndonjë favorizim përkëdhelës të kritikës a të studiuesve.

“Pritja”, është një provë e kësaj të vërtete të hidhur tek ne; e paradoksit që palexueshmëria e librit e bën ndonjëherë autorin e tij më të famshëm sesa një autor që lexohet me kërshëri dhe etje intelektuale. Me ngushëllimin se letërsia e mirë jo vetëm nuk duhet të ketë lexues të shumtë, po mundësisht të mos lexohet hiç!

Përvoja e leximit të këtij romani është lundrim në një botë surreale, aq sa dhe reale. Strukturimin e këtij libri origjinal do ta ndaja  në tri pjesë:

- pjesa e parë, struktura e një përralle;

- pjesa e dytë, struktura e udhëtimit të njëmendë nëpër udhët dhe kthinat  e ferrit komunist;

- pjesa e tretë, pritja dhe takimi në amshim, i një dashurie të madhe hyjnore dhe biblike.

Rrëfimi i romanit ka gjurmë të shkrimit biografik, ku personazhi-fëminor (autori) është i gjithëdituri dhe i gjithëinformuari, i cili rrëfen me saktësi atë që ka parë dhe dëgjuar nëpërmjet një Diegesisi dhe Memisisi, duke përdorur vetën e tretë shumës (ata) për pushtetin, dhe fjalën burg, zëvendësuar me foljen ka (rënë), si kumtim të një fjale si pa shenjëzim konkret për kohën (komuniste), jo vetëm si një karakteristikë differentiae në letërsi, ku romani receptohet dhe ngërthen rrjedhat e kohës  historike, (Lufta e Dytë Botërore)  duke shpaluar në mënyrë mistike, historinë e dashurisë të një  intelektuali shqiptar të shkolluar në Gjermani, por që sipas standardit komunist ai pikërisht për këtë duhet të gjykohet, dënohet  dhe burgoset.

Rrëfimi realist dhe grotesku i shoqërisë komuniste, teksa njeriu kërkon nëpër kohë dhe hapësirë lirinë,  si  një inversion të rrezikshëm brenda habitatit të “murimit të frikës” dhe mjerimit socio-shoqëror, ajo quhet një liri absurde; se liria e mendimi është heqja dorë nga shpresa dhe e ardhmja, për Senekën është: “gjithçka që ti dëshiron, ndodhet në anën tjetër të murit të frikës”, por asnjë frikë nuk e zmbrapsi nga dashuria Roza Hubertin për Albanischen Junger-in e saj, se vetë kryemetafora-pritja është sa e ftohtë edhe e ngrohtë, sa vetmitare aq edhe ëndërrimtare, sa e vonë dhe e afërt.

Ndërtimi mjeshtëror i rrëfimit romanor, ka ndërthurur elementin epistolar (letrat mes Rozës me Claudio Arranin violinisti, që jepte koncert në anijen gjermane Ozeaneum, në tetorin e vitit 1938, në portin e Dubrovnikut), me pamjen e fisnikërisë dhe kulturës shkodrane të viteve ‘ 40; një  sagë personazhesh në tre mënyra: a) nëpërmjet personazheve të një qyteti të vogël N, (Lezha e asaj kohe, ku gjen gjithfarë njerëzish nga rrethina me nofka  si Din Skilja, Rroku i Druve, Rusi i Bardhë Selim Qorri, Dan Kasuqja, Hasija, Antonio Luna etj.; b) personazhet  gjermane si: Fräulein R.H., Fräu Elfriede Keun, Fräulein Bankgewölbe; c) grupimi i tretë, personazhet sarkastike dhe groteskë si: Gjolek Meta, Safer Bregu, Kolonel Struga etj., që udhëtojnë rrathëve të ferrit dantesk me kryepersonazhet Martini dhe Roza, që për Khaled Hossein-in, “nga të gjitha vështirësitë që një personi i duhet të përballet me to, asnjëra nuk është më dënuese sesa thjesht akti i pritjes”.

Dimensioni romanor ka një përshkrim  të çlirët dhe të rrjedhshëm, ku ndërthuren elemente të rrëfimit me vërtetësinë kohore si: a) falja e gjakut të babait nga Martini, (gjakmarrja ishte plagë e shoqërisë shqiptare, dhe është e tillë edhe sot), b) ndërthurja e elementeve të kulturave ballkanike, c) marrëdhënia sociale, shoqërore dhe klasore, e bëjnë këtë roman një surplus izotopik, me shenja narrative, ku  pasiguria dhe frika nga “bota e jashtme” dhe prania e forcës, pasiguria e gjendjes së cilës kërkojnë t’i shmangen personazhet, gjendja dhe statuset socio-shoqërore të personazheve, përbëjnë surpluset e topikëve të së panjohurës:  a) topika e përndjekjes, b) topika e pasigurisë c) topika e shndërrimit, (njeriu me pushtet dhe nënpushtet), - ku struktura gjuhësore, ka shumë shenja të gjuhës postmoderniste, topika pragmatike e gjuhës së përditshme, është "prirja drejt dhunimit të gjuhës së përditshme dhe  tradicionale" duke përzier kodet gjuhësi, aq sa romani kthehet në "ars combinatoria", ku koha e psikikës së njeriut vendoset në të ashtuquajturën “pavetëdije kolektive” të (Jung-ut), e cila në raport me individin mund të konsiderohet si kohë e përjetshme, por lexuesi nën efektet e katarsisit,  çliron makthin e të keqes së pafundme, të pritjes universale të dashurisë, deri në fundjetë... sepse, siç thotë autori në fundin e romanit të vet “ … vdekja vjen aq shpejt dhe aq papritur, sa kurrë nuk na le kohë për një hamendje të dytë.

Dhe sidomos as dhe për një zgjedhje të dytë. Ashtu siç ndodh dhe me vetë jetën. Që kurrë nuk të jep kohë për një zgjedhje të dytë. Një zgjedhje e vetme, dhe kjo zgjedhje është jeta jote, dhe e askujt tjetër. Ajo jetë që mban emrin tënd. Edhe atëherë kur vetë të tjerët nuk arrijnë ta thonë saktësisht atë emër!”.

Një sagë familjare për/dhe mbi triumfin e dashurisë, në çdo kohë, vend apo sistem, përtej një historie të vërtetë, nuk shenjon as kufij apo gjuhë, krahas historisë personale paralele me historinë kombëtare të një populli që iu vra dhe nëpërkëmb çdo vlerë e virtyt njerëzor. Një roman, ku secili prej nesh, ndjehet pjesë e tij, si pjesë e të kaluarës, që herë-herë nxjerr kokën, për të klithmuar mos-harresën./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH