Aktualitet

Një libër për ne, një projekt për të njohur më mirë veten...

Shkruar nga Liberale

Xhevahir Lleshi *

Ideja është e thjeshtë. Pandemia e vrau në mënyrë shkatërruese librin, me pasoja që do ndjehen në dhjetëvjeçarë. Dhe qeveria, që e kishte për detyrë për t’u shqetësuar dhe kujdesur për të, u soll si njerka më e keqe, duke kapërcyer edhe një traditë modeste që ishte krijuar gjatë këtij tranzicioni. Prandaj, Qendra “Traditë-Art-Libra”, për të rifilluar leximin e braktisur, kërkon të ngjallë një rifillim dhe ky rifillim të nisë me librin krejtëisht të veçantë “Kush jemi ne shqiptarët”, të autorit Ndriçim Kulla.

Pse themi që libri “Kush jemi ne shqiptarët”, të bëhet libër tavoline për këdo dhe kudo? Në një numër të pafund librash që dalin në treg, prof. Ndriçim Kulla dhe shtëpia botuese “Plejad”, ka ditur të shfrytëzojë bukur njohjen e gjerë dhe produktin krejt të veçantë. Ndaj, e gjithë kjo meriton vëmendje të diferencuar. Nuk është thjesht një libër, por një përgjithësim psikologjik, filozofik, sociologjik dhe padyshim edhe politik. Në një këndvështrim të veçantë. Kush jemi ne shqiptarët? Ne jemi nga europianët më të lashtë, kemi qënë mbrojtës të Europës, jemi shkëputur me dhunë prej saj, jemi rikthyer në Europë, kemi humbur diçka në shekuj nga europianizmi ynë, por pastaj e kemi rigjeneruar ashtu siç rigjenerohet një plagë. Kur u shkëputëm me dhunë nga Europa i fshehëm në gji veglat e ndërtimit të shpirtit europian, që i morëm nga tryeza e Rilindjes Europiane, ku ishim pjestarë me karrigen tonë në kohën e Skënderbeut. Me këto vegla improvizuam diçka të re, një shpikje tonën, harmoninë dhe tolerancën mes katër feve, a ndoshta pesë apo gjashtë, nëse do të shtojmë sot edhe hebrenjtë e Shqipërisë që janë ringjallur si komunitet dhe protestantët. Ne jemi një popull i kontrasteve. Kontrastet ekzistojnë dhe brenda karakterit tonë individual. Ne jemi të rezervuar, por individualistë; bujarë, por vuajmë nga kotësia; mikpritës, por edhe hakmarrës; e mbajmë fjalën, por jemi edhe dyshues; mund të shkojmë deri në fund të botës, por nuk duam t’ia dimë çfarë bëhet pas gardhit të shtëpisë sonë; jemi trima, por në betejat që i zgjedh vetë secili nga ne.

Akoma doni të dini kush jemi ne shqiptarët?! Një sintezë brilante e Ndriçim Kullës, i cili duke hulumtuar, përgatitur, botuar dhe promovuar mendimin shqiptar të traditës, si askush tjetër për afro tri dekada me radhë, sot po e shpie më përpara në mënyrë krijuese traditën e Konicës, Merxhanit, Valentinit, Nolit, Mit’had Frashërit etj., duke kontribuar në ndriçimin e problemeve tona aktuale shoqërore dhe politike. Prandaj dhe duhet të jetë tek çdo lexues, në çdo shkollë, universitet dhe mundësisht çdo institucion tjetër. Por, si e në ç’mënyrë, kjo duhet parë me vëmendje. Është rruga më e thjeshtë, dhe që kur e lexon, të duket plotësisht e mundur.

Natyrisht, libri mund të zotërohet, por e vërteta është se duhet kërkuar rruga më e përshtatshme. Të duket se këtë e ka të qartë kushdo! Veçse askush nuk e zbaton, nuk e vë në jetë. Ndonjë mund të mendojë se kjo është e konsumuar, por faktikisht deri sot aty është mbërritur në gjend­je dëshpëruese,m kur asnjë shkollë e çdo niveli qoftë, nuk ka hedhur asnjë hap për ta pasur këtë libër, i cili ka në shënjestër qenësinë tonë si shqiptarë, madje duket se shkollat dhe institucionet e tjera kanë hequr dorë përfundimisht prej librave, sepse s’ka fonde dhe nuk gjendet kurrfarë hapësire financiare për ta blerë një numër prej pesë librash që t’i ketë shkolla, universiteti, bibliotekat e çdo niveli, organizatat dhe forumet...

Por, as kjo nuk është e gjitha. Ç’ka ndodhur me librin për të cilin dëgjojmë mendime interesante në lidhje me domosdoshmërinë për ta pasur në sy kudo, për ta studiuar dhe bërë tonin? Kushdo mund ta zbulojë sekretin edhe rastësisht, dhe t’i japë të drejtë vetes, pa stoicizëm dhe me një rezistencë gati të paimagjinueshme. Kësaj i thonë që të ndihmohesh edhe prej së keqes, si një dietë e fortë për të mos lexuar më libra e jo thjesht ata me vlera të mëdha, edhe kur janë për ‘intelektualë’ të pandreqshëm. Mos të harrojmë se studiuesi prof. Ndriçim Kulla, autori i këtij libri, është në kulmin e forcave të tij krijuese. Dhe libri është një model të shkruari, përplot përimtësi të fuqishme kombëtare dhe karakteriale, të cilat duket se s’lëshojnë pe, pa u marrë me çështjet burokratike të arlekinëve gazmorë, të atyre që dinë bukur mirë të mos e vrasin mendjen për të siguruar dijen e vërtetë njohëse dhe formuese, si prej një gjykatësi të ftohtë që s’jepet kurrë. “Kush jemi ne shqiptarët” është tërheqje prej bujës që krijohet enkas prej artistëve, as moda që ata e dashu­rojnë çmendurisht, as fama që nuk e fshehin, ku, lavdinë madje e gëzon për çudi dhe më i dobëti, sepse aq shumë ajër ka atmosfera e të lexuarit, saqë, duke mos pasur libra (e sidomos një libër të tillë!), më mirë shfaqin teka apo shenja mendjemadhësie, vuajtje dhe mundimi, sepse duke mos lexuar bëjmë sikur shkëputemi prej dualizmit tonë të njohur...

Po çfarë duhet të bëjmë? Një projekt të thjeshtë për ta arritur faktin e pasurimit me pesë libra çdo shkollë, çdo bibliotekë shkolle, universiteti, burgu, spitali, reparti ushtarak, stacion policie etj., pa vërejtje që të sfilitin, pa asgjësuar seriozitetin dhe njeriun e dytë brenda intelektualit, studentit, nxënësit, mësuesit, me vetorganizim shkollor nga drejtoritë përkatëse, ose nga organizata si “Fundjava ndryshe”, jo me një kothere bukë e me veshje të ndryshme, por me një libër si ky, për ta diskutuar skaj më skaj... Natyrisht pa trysnuar asgjë politikisht, as edhe urdhra të shefave të mëdhenj që të bëjnë gjëmën e s’e kanë për gjë të urdhërojnë një fije floku... Shpeshherë, siç na ndodh rëndom të gjithëve, jo për arsyen e thjeshtë ekzistenciale se duhet që të mbështetemi te leximi, pa ia kthyer shpinën librit, në vend që ta mbulojnë atë me harrim, por më fort kjo iniciativë të bëhet ngasje e papërballueshme për shkollat dhe institucionet që do pajisen me libra të shumtë. Sido, le ta fillojmë me librin “Kush jemi ne shqiptarët”. Kështu formojmë shijet e të lexuarit, duke njohur manierat, kom­pleksitetin e karakterit shqiptar, në mënyrë të thellë, që e peshojnë shumë gjithçka për­para se të ndërmarrim një veprim konkret e të bukur. Domethënë mësojmë! Dhe kjo s’është brejtje ndërgjegjeje, as trishtim, as interpretim i gabuar! Kjo s’mund të përsëritet kurdo e sido! Përse ndodh ky lloj kundërshtimi ndaj librit, por sidomos ndaj këtij libri? Ç’është kjo mbyllje, që s’i bën askujt përshtypje e, ku struket e humbet çdo ide e mendim? Dhe, për ironi, jemi në kohën e demokracisë! Po, përmasat e reja të jetës, çmontimi i sistemit të vjetër, po zgjatet shumë, shpresat po ashtu veniten, ndërkohë që vijnë zhgënjime, mosdurim, emigrim, nostalgji, mitingje thuajse të përditshme, luftë, kurajë, rrënim e rroposje karakteri, ngrenë krye në vetëdije rrangullat e sistemit të vjetër, po nuk po ngrihet kurrgjë në frontin e kulturës e të librit. Dhe aty luftë, fjalime, mungesë buxheti, reforma dhe antireforma, am­ulli, ëndrra me sy hapur.

Të gjithë mezi e presim ndryshimin, por gjithmonë e më tepër shohim një diell butaforik që na ndriçon ditën! Ja, ç’ndodh me ne: libra prodhohen aq sa s’ta pret mendja për mundësitë tona, dhe bibliotekat tona s’kanë libra! Kudo! Veç Bibliotekës Kombëtare që u rrëmben nga pesë libra pa pagesë kujtdo botuesi dhe kaq mjafton, kur libri (edhe ai elektronik) duhet të jetë në çdo shtëpi, e jo më në çdo shkollë... Dhe ne i jemi gëzuar si fëmijë shkërmoqjes së diktaturës! Dhe po flasim për një libër që na kushtohet ne, shqiptarëve, i cili duhet njohur me themel. E dimë ku mund ta gjejmë! Sigurisht! Dhe këtë e themi me një ngazëllim të përmbajtur, të zbërthyer, të djersitur prej rendjeve të kota “duke bërë sikur”. Dhe kjo pije na ka rënë në kokë. Nuk e ke lexuar Kullën? Posi, por nuk di si të them... me një fjalë, i dashur, ja tek e kemi edhe një libër për ne! Kështu lëshojmë britma që vetëm ne dimë si t’i çlirojmë, britma aq artistike saqë të rrëqethin dhe vrapi pas tur­mës së madhe që ka pushtuar Tiranën apo qytetet e tjera mbeten gjithnjë gojëhapur. Pra, na duhet të lexojmë shumë, sidomos të lexojmë veprat e mëdha, të ngrihemi lart, nga lartësitë subeterne të vrojtojmë botën e pështjellë keq nga trazirat dhe viruset që do t’i kemi pas vetiu, përjetësisht. E, për të arritur këtë, duhet të mësojmë edhe nga libri “Falimenti i Xhekut të vogël” të Korshakut, ku fëmijët e varfër ngrenë bibliotekat e klasave me ... qindarka! Shumë qindarka formojnë lekë dhe me ta blihen libra të përbashkët! Ky është një mësim i madh, ku vetë shkolla mund ta blejë librin që flasim. Sepse, varfërisë i ka duk çdo blerje!

Çfarë kërkojmë me këtë projekt? Një gjë të thjeshtë: është botuar një libër i rëndësishëm, shkruar bukur e me kulturë të lartë, por edhe pse i thjeshtë, është jashtëzakonisht i fuqishëm për formimin tonë kombëtar. “Kush jemi ne shqiptarët” Një libër me shumë shtresime e kurba të forta (siç ka qenë dhe është jeta jonë!), ndërtuar me ‘plastikë’ elegante, për të kaluar me shumë finesë nga një gjendje në tjetrën, me tekst të fortë dhe mjeshtëri, kërkues vlere dhe arritje krijuese, talent i tjetërfartë, pa teprime, pa ngurruar për asgjë, me plot interpretime, pa kaluar kurrë në dëshpërim, pa kurrfarë gjëje që nuk i shkon, madje jo strikt dhe me të dhëna aq gjakftohta në përpjekjen për të kryer një operacion formues dhe karakterial, shpesh duke asgjësuar jo vlerat e trashëguara, por veset e ardhura ndër shekuj, të cilat i nxjerr në rrugë të madhe pa dhimbje, sikur të ishin punëtorë me mëditje, gjithnjë me atë zem­rën e mrekullueshme e të vuajtur të çdo bashkëkombësi tonë, me përpjekjen si e si të mos ia përkëdhelë sedrën çdokujt prej nesh të tërhequr në shumë dilema, pa dështuar kurrë...

Duket se edhe autori, edhe shqiptarët, gjithnjë mbeten të pakënaqur nga njeri-tjetri, sepse u duket vetja si të kapur në kurth prej kokëfortësisë së lexuesit për të mos zotëruar librin, që s’pyet për kërrkënd veç vetes, që mbetet gjithnjë i pakënaqur prej urdhrave të nënvetëdijes kombëtare, të cilët kokëfortësia dhe mosbindja i arsyetojnë hollësisht dhe gjithnjë u duken të gabuara e, mu për këtë shkak, hapin disku­time të gjata, në dukje të zgjuara, pa gjetur kurrë mbështetje. Pra, kjo arritje nuk duhet të shkojë dëm! Aty është buka e karakterit tonë, jo si ajo kafshata e lypësit migjenian që merrte përgjigjen e hidhët: Zoti të dhashtë!, por si përjetim i të gjitha këtyre zhgënjimeve që rrojnë veç me lirinë imagjinare dhe mbyllen ngadalë-ngadalë, plotësisht. Ende s’ka ardhur liria e vërtetë! Se përndryshe, një institucion e gjen mundësinë për pesë libra, për t’i pasur e lexuar gjithë bashkësia e nxënës-mësuesve, e studentë-pedagogëve, e punonjësve... në bibliotekë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe gjithë komuniteti, sepse atij, pikërisht atij, i mungojnë bibliotekat e vërteta, të cilat përbëjnë vërtetësisht një mungesë dramatike, si shumë e shumë mungesa të tjera... U shembën iluzione, po nuk u ngritën dot iluzione të reja... Prandaj të mos ia shtojmë iluzionet më tej shqiptarit!

Se, miq, kanë vdekur bibliotekat! Vdekjen e tyre e njeh gjithkush, në fshat e në qytet kur vjen, gjithmonë si një humbje e famshme, si një gjë e domosdoshme që s’ekziston më. Është pikërisht kjo humbje që na trishton, si një ditë e hirtë gushti me zagushi e gjithfarë insektesh. Një humbje që s’të lë të shijosh më asgjë. Shkaku? Sepse prej kësaj mungese të jashtëzakonshme në jetën tonë (kur vetëm një shtëpi botuese boton sot aq sa ç’botonte e tërë shoqëria e botuesve në një vit!), duke e përftuar librin të vdekur prej kohësh! Kjo ishte si një shuplakë thua? Jo, ky është tërmet i tmerrshëm, por nuk arrijmë ta perceptojmë ç’po humbim, duke u larguar tej e më tej nga e vërteta! Aty... fare pranë kafeneve tona, ku s’bëri që s’bëri këmbë të dëgjonte profanitë e ëndrrave tona. E kthyem gjithçka në trishtim gjatë gjithë kësaj kohe, kurdoherë të zhvlerësuar në një ‘tranzicion’ të tejmundimshëm, ku turmat me instinkt errësojnë individët e mëdhenj me mendim. Kultura dhe libri janë bërë sëmundje e shoqërisë që s’po gjen dot kirurgun e aftë, po vetëm mjesh­trin batakçi të makijazhit, që do ta bëjë shoqërinë shqiptare, gjithnjë e më tepër, t’i ngjajë një fasade. Dhe na thonë se libri s’paskej ndërmend ‘të shërohet’, se s’ka fondet e duhura, sikur nuk e përtypin dot faktin se në shtetet e vogla është pikërisht ai, shteti, që duhet të mbajë bibliotekat dhe jo të thotë “mirë që çezma s’ka ujë, se rrimë pa pirë!”, domethënë nuk pajis asnjë bibliotekë shkolle, burgu, spitali, ushtrie (universiteti apo çdo institucioni), për gjithë komunitetit...

Dhe më tej... Kështu mund të thonë edhe për librin “Kush jemi ne shqiptarët?” të autorit Ndriçim Kulla! S’ka fonde! Projekti i hartuar veçmas për këtë libër të jashtëzakonshëm sapo lindi (lind për të mos mbetur në vitrinë përjetësisht!), thjesht dhe duke mos e shpallur të famshëm, pa u marrë me fjalët eprane pa thënë për të (si për çdo libër, ndoshta!), herë duke e ngritur lart dhe njëherit duke e lënë atje ku është (në vitrinë!) të rrojë me dhe për frymën e shenjtë!... Dhe me kaq i lajnë duart. Si gjithmonë, e për çdo gjë...

Po tani që mungojnë bibliotekat dhe teatri kombëtar (për më tepër!), ku do t’i ekspozojnë të vdekurit e mëdhenj, LIBRAT?!

* Autori, drejtor i  qendrës “Traditë-Art-Libra”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH