Krye

Një libër për deontologjinë e gazetarëve shqiptarë

               Publikuar në : 08:47 - 07/11/19 liberale

Artur Zheji

Gazetarët kanë kohë që u janë larguar librave gazetareskë tani kur gati çdo gjë është fast food, apo fast culture dhe fast everything. Personalisht jam në padijeni të librave me ndonjë vlerë domethënëse, ku të përkufizohet se çfarë po ndodh realisht. Ne kemi shumë errësirë që në vitin 1997, apo qoftë edhe në vitin 1992. Një libër për deontologjinë e gazetarëve shqiptarë në përballjen me politikanët i shkruar nga Belina Budini, hedh dritën e nevojshme mbi këtë mugëtirë, duke i kthyer prozhektorët drejt mediave. Si studiuese, ajo shtron pyetje të udhëhequra nga preokupime etike si: Kush i përkufizon ngjarjet në Shqipëri? Çfarë rolesh mbeten pa luajtur mediat përballë politikës? Kush është i interesuar për rënien e besueshmërisë së mediave dhe demonizimin e tyre publik? Në këtë shënim hyrës për librin me titull miklues a ironi therëse, “Ndikuesit”, ku Budini studion rolet e gazetarëve nëpërmjet intervistave me ta, u jam përgjigjur pyetjeve të shtruara prej saj, që edhe pse në qendër kanë gazetarët, prekin raportet me politikanët dhe lojën e tyre të pushtetit. Me të drejtë, Budini kërkon të përkufizojë rolet e tyre (ose gjoja rolet e tyre, që shpesh ngjajnë si një alibi e përsosur e demokracisë që nuk kemi…) dhe zhvillimet ndërmjet mediave dhe politikës, pasi edhe sot, shumë dukuri kanë kundërthënie kategorike.

Le të marrim përshembull kanabizimin e madh të vitit 2016. Gazetarët bënë një punë të mirë. Fatmirësisht ranë dhe aeroplanë e u zbuluan edhe pista e aerodrome të fshehtë droge. Por pushteti u mbrojt me forcë dhe me para dhe bëri “zap”, me dhunë dhe me presion të heshtur koridoresh, shumicën e mediave dhe të gazetarëve. Edhe sot mbjelljet e kanabisit janë të fuqishme, por pushteti, ndoshta nëpërmjet mafias që organizon mbjelljet dhe korrjet, si edhe trafikimet, u ka dalë punëve përpara. Ka larguar mediat. I ka blerë ato, sigurisht. E pra, ngjarjet dhe zhvillimet në Shqipëri, vetëm të huajt mund të na ndihmojnë për t’i përkufizuar, përderisa nuk kemi gazetarë, që të çajnë rrethimin apo të mposhtin gojëmbylljen dhe të mbeten  të vrarë nga mafia, si në Itali për shembull. Derisa gazetarët e kronikave mbijetojnë për bukuri, thonë se kërcënohen, por përsëri janë ekraneve dhe ndjekin kokëulur porositë e pronarëve, do të thotë se të vërtetat kanë vdekur.

Rolet e duhura; rastet e rralla të suksesshme

Ne gazetarët mundohemi të rrisim presionin ndaj politikanëve, vështirësojmë me aq sa mundim teatrin e tyre dhe ndonjëherë kjo kthehet në një luftë dramatike, në rastin kur gazetari ka një pavarësi të mirëfilltë nga pronari i medias. Ose kur nuk është ortak me të. Më të mirët janë “gazetarët e egër”, që veprojnë si ujq të vetmuar të mediave në rritje, apo të mediave të sapolindura që duan të bien në sy, apo të fitojnë terren para publikut. Ose kur ndjejnë në veten e tyre kauza të mëdha dhe duan të bëhen “dikushi” në jetë, por në Shqipëri, këto janë raste shumë të rralla.

Raste të suksesshme janë shënuar kur pronarët kanë konflikte me qeverinë dhe u japin gazetarëve një liri të plotë dhe yshtje e nxitje për të goditur qeveritarët. Ndonëse është një fushatë e porositur dhe origjina e fushatës nuk buron nga motive të fisme, rezultati i pasojave, për aq kohë sa fushata vijon, bëhet mbresëlënës.

Në përballjen publike me një politikan, gazetari duhet të mos ketë bërë një kompromis përpara intervistës. Nuk duhet që pronari, apo eprori, të ketë dhënë porosi specifike. Kjo është kryesorja mendoj. Pastaj pjesa tjetër është më e lehtë se sa duket. Gjërat janë përgjithësisht më të qarta, ndonëse politikani është nga natyra një krijesë hileqare, por për baraspeshë, edhe gazetari duhet të jetë i mprehtë dhe asnjëherë besimplotë në atë që dëgjon. Madje, personalisht mendoj, se duhet ta paragjykojë si gënjeshtar, politikanin që ka përballë, ndonëse kjo gjë, e vendos gazetarin në një dritë të keqe, në optikën e tifozëve të partisë së origjinës së politikanit të intervistuar.

Një gjë tjetër e rëndësishme, është edhe përgatitja paraprake. Gazetari, duhet të jetë një krijesë e ditur. Përveçse e lirë dhe “dinake” dhe guximtare. Shpesh politikanët, parapëlqejnë gazetarët e paditur, sepse i kompleksojnë ata më lehtësisht. Por edhe i trembin, duke u bërë presion, ata vetë apo bashkëpuntorët e tyre.

Demonizimi politik i mediave nga rënia e besueshmërisë

Sa më shumë pushtetet kanë frikë fjalën, aq më e vlertë është fjala. Morali qeverisës në Shqipëri, ka njohur vetëm rënie dhe mosllogaridhënie. Një pjesë e madhe e të pasurve shqiptarë, ku futen edhe politikanët, e kanë përjetuar vendin e tyre, falë edhe për shkak të origjinës së tyre rurale, si një lopë për t’u mjelë, apo si një bahçe për t’u korrur. Lufta për pushtet ka qenë më së shumti luftë për të shfrytëzuar të drejtat e mjeljes dhe korrjes. Mosndëshkueshmëria e ka bërë më të lehtë këtë proces. Mediat, të komanduara më së shumti nga pronarët dhe jo nga gazetarët, kanë qenë pjesë e lojës së pushteteve me fare pak përjashtime. Të interesuara dhe të investuara edhe ato, në lojën e bizneseve dhe të interesave, në ndarjen e “tortës”së përfitimeve, si shpërblim proporcional të mbështetjes së tyre. Pothuajse gjithmonë mbas një rotacioni politik, pushteti në fuqi ka hedhur në krahun e vet mediat më të fuqishme, të cilat janë paguar majmërisht, me konçesione, tendera, apo privatizime. Ky realitet, gjithmonë e më i njohur ndër shqiptarë, ka ulur fort besueshmërinë e mediave dhe e ka bërë më të lehtë përpjekjen e KM-së, për demonizimin e tyre publik, me mjaft sukses mund të thuhet.

Media si pushteti i katërt, në një ekonomi tregu, vepron përgjithësisht sipas ligjeve të tregut, aq sa ato janë të pista ose të pastërta. Në Shqipëri, por aspak jo vetëm në Shqipëri, mediat televizive ose shtypi on line, kanë interesa. Interesat e pushtetit të tyre. A mundej Berlusconi në Itali, të bëhej kryeministër për disa pak muaj, po të mos ishte pronar i 50%
të Tregut të mediave në vendin e tij? Ky është një rast uluritës, mirëpo janë të panumërta rastet kur mediat kanë shërbyer si binarë treni, ku janë trafikuar interesa politike të pabesueshme.Me shpikjen e rrjeteve sociale, pa kuptuar, edhe logot e mëdha botërore si CNN apo Nju York Times, humbën primatin e tyre. Sot kryeson FaceBook dhe Instagram. Donald Trump e kuptoi i pari dhe përzuri mediat klasike nga fushata e tij. Madje e bëri pjesë të fushatës denigrimin e tyre.

Sot pushteti i katërt, në dimensione planetare qëndron në këto pak duar. Kjo sindromë po vjen fuqishëm edhe tek ne. Sot që flasim qeveria dhe struktura të tjera paralele, kanë krijuar rrjetet e tyre sociale dhe sistemet e kontrollit të rrjeteve sociale që kontrollohen nga të tjerët. Por në të njejtën kohë, vijon blerja apo shantazhi edhe ndaj mediave më klasike, si edhe vetëofrimi për t’u shitur, sa nuk është vonë. Pra, për fat të keq, kemi të bëjmë me një marrëdhënie banale tregu. Por “Jo”, të një Tregu të financës së lartë, plot fantazi dhe strategji elegante apo befasuese. Por të tregut të bylmetit, ku qumështit i hidhet ujë dhe djathit niseshte. Ku edhe shëllira që shoqëron djathin e shitur, futet në çmim.

Kur e vërteta nuk e tremb politikën, gazetarët duhet të angazhohen si opozitarë

Kryeministri që kemi sot, është një gallataxhi i potershëm. Por më së shumti, në luftën kundër medias, parapëlqen zhvleftësimin e saj, si instrument vërteta – kërkues apo vërteta-thënës dhe e zbret rolin dhe misionin e saj, te misioni i kazanit, ku sipas thënies shqiptare: “gatuhen fjalë kazani”. Domethënë shpifje dashakeqe, pa ndonjë vlerë të mirëfilltë. Mirëpo kjo ndodh pak si shpesh dhe me një gjeografi të përhapur. Nga gazeta “Bild”, te raportet antimafia, te Zëri i Amerikës e deri te gazetari më i pambrojtur shqiptar. Kjo rrëfen dobësinë e KM-së, por edhe forcën e errët të pushtetit, që gërvishtet fare pak nga media, sepse ky pushtet nuk mbështetet mbi shtylla morale, por mbi interesa dhe përllogaritje forcash të egra. Ky mekanizëm, e bën më të pandjeshëm, sepse media, nuk e fut dot në krizë morale një qeverisje që rri në këmbë me forcën e numrave, që nuk janë detyrimisht një forcë votash të vullnetshme. Kjo përfaqëson një situatë ekstreme. Kur e vërteta nuk tremb më moralisht, gazetarët duhet të angazhohen si opozitarë dhe të mos kenë asnjë kompleks për këtë, përderisa të vendoset baraspesha e logjikës mbi forcën dhe arrogancën shpërfillëse. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back