Editorial

Një këshillë e pavlerësuar

Shkruar nga Liberale
Një këshillë e pavlerësuar

Eugjen Merlika

“Rroftë ajo gjë që sa më shumë të kesh nevojë aq më shumë e refuzon, e kjo është këshilla, e dëgjuar pa dëshirë nga ata që kanë më shumë nevojë, pra nga të paditurit”

LEONARDO DA VINCI

Më datën 3 mars 2020, në gazetën on line “republica.al”, u botua një shkrim mjaft interesant e mendoj, po aq i dobishëm për interesat e qytetarëve shqiptarë të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, që pati pasoja rrënuese në jetën e tyre, duke i lënë ata pa gjënë më të domosdoshme për çdo njeri, shtëpinë. Artikulli titullohej ”Blerja e stokut të banesave për të pastrehët e tërmetit është e domosdoshme” dhe nënshkruhej nga Arben Demo.

Nuk e njoh autorin, por megjithatë, përmbajtjen e atij shkrimi e quaj si një ndihmesë shumë të vyer për organet administrative e drejtues të Shtetit dhe t’ekonomisë. Z. Arben Demo merr shkas nga një deklaratë e “adashit të tij anglishtfolës” Arben Ahmetaj, i vendosur në krye të organizmit qeveritar që merret me ndërtimin e banesave të reja për të dëmtuarit nga tërmeti, i cili njoftoi “Vendimin zyrtar të Qeverisë socialiste se për të dëmtuarit nga tërmeti nuk do të blihen banesat e reja e të pashitura.”

Nuk u shpjeguan motivet që kanë qenë në bazën e vendimit të Qeverisë e cila, në këtë rast, besoj se e ka për detyrë të sqarojë në mënyrë bindëse opinionin publik për këtë qëndrim i cili, jo vetëm simbas mendimit të Arben Demos, më duket se bie ndesh me interesat e vërteta të shqiptarëve në këtë periudhë tepër të vështirë në jetën e tyre. Nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit kanë kaluar pothuaj katër muaj. Kanë qenë muaj vështirësish, do t’i quaja vetëmohuese, për gjithë ata qytetarë që kanë parë të dëmtuar në mënyrë të pandreqshme shtëpitë e tyre, duke parë vendimet e kompetentëve shqiptarë e të huaj që i kanë vënë një kryq të kuq atyre ndërtesave.

Gjatë këtyre muajve, më se të mjaftueshëm për të hartuar planet operative të rindërtimit, me sa është njoftuar, nuk është kryer asnjë riparim, qoftë dhe n’ato banesa që kanë pësuar dëme të pjesshme, jo strukturore e të ndreqshme. Por pa hyrë në këtë temë, që ka të bëjë me organizimin, duke marrë për bazë premtimet e dhëna për këtë fund viti, si një njeri që ka një përvojë të gjatë në fushën e ndërtimit, më duket shumë e vështirë që t’arrihen të ndërtohen apartamentet e planifikuara. Problemi është tepër i mprehtë, po të mbahet parasysh se shumë familje jetojnë ende në çadra, të cilat, me ardhjen e të nxehtit, bëhen gjithnjë e më tepër të pabanueshme. Akoma më e papranueshme bëhet gjendja e atyre që janë kthyer të banojnë në shtëpitë e dëmtuara që janë klasifikuar si të pabanueshme. Në këta raste përgjegjësia e organeve drejtuese qendrore e vendore fshik krimin kundrejt popullsisë, në rast të paurueshëm.

Z. Arben Demo, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe atdhedashurie, në pak rreshta shpalos mendimin e tij:

“Unë mendoj se të parat që do duhej të përdoreshin për strehim të familjeve që kanë humbur banesën duhet të ishin banesat e pashitura që janë me shumicë, duke lehtësuar dhimbjen dhe vuajtjen e familjeve në këtë dimër e kur rreziku i epidemisë është tejet i mundshëm. Një zgjidhje e tillë për aq sa do të jetë e mundur do të jetë edhe një mundësi kursimi sidomos kur planifikojmë të krijojmë lagje e blloqe të reja, të cilat veç kostos së banesave kërkojnë shpenzime jo të vogla për rrugët, rrjetet e reja të ujësjellësit e kanalizimeve si dhe ato për furnizim me energji elektrike. Nuk ka asnjë arsye që duhet t’i zmadhojmë qytetet për zbukurime, ndërkohë që këto fonde mund t’i përdorim për shkolla, spitale e rrugë.

Propozimi i ynë është si më poshtë:

Për të pastrehët e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës…. Por dhe për të tjerë që mund të dëshirojnë, të blihen apartamente në zonat e mëposhtëme:

Në Tiranë: te Astiri, Zona e Yzberishit si dhe në lagje të tjera me çmime të përafërta.

Në Durrës: në plazhin e Gjirit të Durrësit (nga Ura e Dajlanit deri në Qerret) si dhe në vetë qytetin e Durrësit të blihen banesa për të dëmtuarit e Durrësit, Kënetës dhe Kavajës.”

Un nuk mund të besoj se Qeveria dhe organizmat e krijuara prej saj për të mbarështuar këtë situatë të pazakontë, të mos e kenë shqyrtuar në punën e tyre këtë mundësi, që shtron në tryezën e propozimeve autori i artikullit të botuar në “republica.al” Por, siç del nga deklarata e Ahmetajt, ky vendim i Qeverisë është i prerë dhe është negativ. Duke mbështetur argumentet e artikullshkruesit mendoj se fakti i ekzistencës së një sasie të konsiderueshme banesash të gatshme është një fat i madh për Shqipërinë në këtë çast të brishtë, madje nuk kuptohet përse nuk shfrytëzohet kjo mundësi që sjell disa zgjidhje të dobishme.

Dobia e parë është sigurimi i strehës së përshtatshme për qindra familje që, në pak kohë, mund të kenë shtëpinë e tyre. Dobia e dytë është zhbllokimi i kapitalit që tani është në gjendje të ngrirë, mbasi aftësia blerëse dhe kërkesat për banesë janë në një stad shumë të ulët, në kushte normale. Blerja nga ana e shtetit e banesave të gatshme, në vend të ndërtimit rishtas duhet të ketë përparësi, mbasi shkurton ndjeshëm kohën e ndërtimit dhe zgjidhjen e problemit të mprehtë që, përndryshe, do të tërhiqet zvarrë për kohë të gjata. Sigurisht ajo blerje nuk plotëson gjithë nevojat që janë, por edhe sikur të zgjidhë menjëherë një pjesë të kërkesave mendoj se është një gjë e lëvdueshme. Ato para që shteti do të derdhë në xhepat e ndërtuesve kthehen në një kapital që riinvestohet përsëri, duke krijuar vende pune e duke vënë në lëvizje ekonominë.

Është me vend llogaria e kursimit që nxjerr në pah autori, përsa i përket përparësisë që ka ndërtesa apo lagjia e ndërtuar në krahasim me atë që ndërtohet nga e para. Vendosmëria e Qeverisë për të mos e shfrytëzuar këtë mundësi mund të ligjësohet e të jetë bindëse vetëm në rast se ajo, nga llogaritë e saj, del në përfundimin se kostoja e ndërtimit është mjaft më e ulët se ajo e blerjes, duke krijuar mundësinë e përfitimit të më shumë apartamenteve. Dhe në këtë rast llogaria duhet të bëhet nga ekspertë të fushës me përvojë dhe aftësi e jo nga njerëz të emëruar nga politika. Por edhe në këtë rast besoj se mund të arrihet në një marrëveshje që duhet të jetë e dobishme për shtetin por edhe për pronarët e ndërtesave. Është çështje vullneti, por sido që të jetë mendoj se duhet shqyrtuar me gjakftohtësi e jo me vendime të prera të njëanshme e të pajustifikuara.

Cilat do qofshin arsyet e qëndrimit të Qeverisë, tejpamja në vendimet e saj duhet të jetë e prekshme në opinionin publik, për më tepër në një kohë kur nuk funksionojnë organizma të rëndësishme të sistemit demokratik. Po t’i shtojmë këtu faktin e mosbesimit që shoqëron një pjesë të madhe të opinionit publik kundrejt Shtetit dhe veprimtarisë së tij financiare, për më tepër kur bëhet fjalë për qindra milionë euro të vëna në dispozicion të Qeverisë shqiptare, si një borxh për t’u shlyer me kohë, merret me mënd se çfarë hamendjesh dyshuese mund të ushqejë një qëndrim i tillë. Madje është e habitshme që opozita parlamentare nuk e ka ngritur kurrë këtë problem të rëndësishëm.

Të gjithë këto arsyetime kanë vlerën e tyre nëse i referohen një realiteti shoqëror që quhet demokraci, në të cilën dhënia e llogarisë mbetet një kriter bazë i funksionimit të Shtetit. Në të kundërt ushqehet dyshimi i hamendësuar nga shumë anë, se sistemi priret ndaj autoritarizmit, gjë të cilën nuk e dëshirojmë në asnjë mënyrë sepse nuk duam që historia të përsëritet, qoftë edhe në formën e farsës. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH