Aktualitet

Një këngë zie që nuk e ndihmon dot opozitën për vota

Shkruar nga Liberale
Një këngë zie që nuk e ndihmon dot opozitën për

Alfred Peza

Ka mjaftuar që një media të raportojë se tek Spitali Infektiv Covid-1, në një fashë të caktuar orare të ditës “çdo 13 minuta vjen një ambulancë”, që Presidenti i Republikës ta mari e ta shndërrojë atë në një deklaratë zyrtare dhe përgjithësuese. Ilir Meta mbajti për këtë lajm, një qëndrim institucional jo dosido, por në kufijtë e një alarmi të pazakontë që nuk është dëgjuar më parë.

“Është emergjente ndryshimi rrënjësor i strategjisë anti-COVID pasi masat dhe kufizimet e marra derimë tani nuk po sjellin asnjë rezultat. Nevojitet një strategji e re, gjithëpërshirëse dhe e ndërtuar mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda dhe jashtë vendit”,- tha Kryetari i Shtetit, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që ti kthejnë sytë sot e tutje, “vetëm tek qytetarët”.

Çfarë ka ndodhur që të ndizet drita e kuqe e nivelit maksimal të alarmit, në ecurinë e deritanishmë të situatës pandemike në Shqipëri? Sigurisht që shifrat e infektimeve mbeten të larta dhe humbja e jetëve, gjithashtu. Statistikat flasin se numri i qytetarëve që kanë rezultuar pozitivë në 24 orët e fundit, fatmirësisht, nuk është më i larti i regjistruar deri më sot. Megjithatë është jetike që të ketë përkujdesje maksimale, në mënyrë që situata mbahet nën kontroll të plotë, si edhe deri më tani.

Por Ilir Meta nuk është i vetmi ndër liderët e opozitës shqiptare që ngre një alarm të tillë për çështjen e Covid-it. Lulzim Basha pak javë më parë deklaroi shifra të vdekurish që sipas tij ishin mbajtur të fshehtë nga qeveria, pa sjellë kurrë deri më sot, as edhe një provë të vetme për të mbështetur pretendimin e tij. Sikundër Sali Berisha bën “kasandrën” çdo ditë, duke parashikuar shifra kobëzeza vdekjesh të së ardhmes, që vetëm ai dhe facebook-u i tij mund ti prodhojnë.

A është e gjitha kjo, thjeshtë një rastësi? Apo një përkim i pafajshëm deklaratash, që kanë të përbashkët, vetëm këtë kohë fushate elektorale? Apo e gjitha kjo çfarë liderët e opozitës sonë janë duke predikuar orët e fundit, është një strategji e mirëmenduar që synon të shndërrohet në armën kryesore të luftës politike përballë qeverisë, në zgjedhjet e 25 prillit? Historia na mëson se politizimi ekstrem i një çështje, asnjëherë nuk bëhet për hallin e qytetarëve, por gjithmonë për pushtetin personal të udhëheqësve.

Ndaj me sa duket në pamundësi për të fituar mbështetje popullore përmes aksionit politik, opozita shqiptare po sheh gjithmonë e më tepër si të vetmen shpresë për fitoren në zgjedhjet e pranverës, virusin vrasës.

Në pamundësi për të patur avantazh përmes programit elektoral që më shumë se i joshi, i gajasi njerëzit dhe më shumë sesa i sqaroi u shndërrua në minierë për memet, PD dhe LSI po i falen alarmeve false për katastrofa imagjinare pandemike.

Në pamundësi për të bërë diferencën në të gjitha sondazhet përballë PS dhe Kryeministrit Edi Rama, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po i fryjnë borive të një alarmi fals.

Në pamundësi për tu përballur me mazhorancën drejtpërsëdrejti përmes projekteve të rindërtimit nga tërmeti dhe programit të të vaksinimit, opozita jonë i falet “fake news”-eve, gënjeshtrave e mashtrimeve për të krijuar realitete imagjinare të paqena.

Përgjatë kësaj pandemie globale janë zhvilluar shumë fushata zgjedhore, jo vetëm në Ballkan e Europë por edhe kudo nëpër botë. Në secilën prej tyre fituesi nga votat e qytetarë, nuk ka ardhur kurrë në pushtet përmes projekteve të frikës, por vetëm të shpresës. Jo përmes skenareve të vdekjes, por vetëm me anë të programeve realiste të jetës.

Nga fushatat elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2020, e deri tek e fundit gjatë kësaj të diele në Kosovës, opozitat nuk u rikthyen në pushtet përmes këngës së sorrave. Sepse votimet janë festa demokracie të së ardhmes dhe jo marshe funebre të së shkuarës!

Kjo është edhe arësyeja se përse opozitën në Tiranë, nuk e ndihmon dot pandemia globale, për të fituar vota më 25 prill.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH