Editorial

Një jetë në diktaturë

Shkruar nga Liberale

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

NDRE  MJEDA

 EUGJEN MERLIKA

ËNDRRAT RINORE DHE VRASJA E TYRE

Isha në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe detyrohesha të banoja në një kazermë punëtorësh në Pluk e një herë në javë shkonja në shtëpi, në Gradishtë. Haja si të mundja, në mencë apo në restorant. Kuota ime ditore ishte 50 lekë. Me to duhej të haja mëngjez e drekë. Nga ato para duhej të kurseja për të blerë biletat e kinemasë dhe librat, me të cilët isha dashuruar. Ai vit, 1959-1960, ishte ai i vërshimit të filmave të rinj sovjetikë. Ndihej në ta fryma e re në trajtimin e temës së luftës nëpërmjet deheroizmit, por dhe ekranizoheshin vepra të mëdha të letërsisë klasike ruse, për të cilën kisha shumë simpati. Filluan të vinin dhe filma nga vendet e tjera, prodhime italo-franceze, egjyptiane, meksikane etj. Kinemaja ishte për brezin tim, në atë kohë, argëtimi më i bukur. Por filmat, një herë në çdo dy ditë, më hanin gjithë mbasditen. Kur kthehesha në kazermë nuk kisha mundësi të mësoja, sepse njerëzit bisedonin e bënin shaka me njëri-tjetrin e, në atë zhurmë, ishte e pamundur të përqëndroheshe për të studjuar. Atëhere ngrihesha në mëngjez herët e plotësoja mësimin.

Në këto kushte mbarova gjimnazin me rezultate të mira e me një ëndërr magjike në tru: të vazhdoja studimet e larta. Në verën e 1960 ës m’u krijuan disa iluzione se do të mund të vazhdoja shkollën e lartë në degën e matematikës. Një sërë faktorësh m’a përkundën në djep ëndrrën më të bukur të jetës sime, ëndërr që ushqehej dhe nga naiviteti i adoleshentit për drejtësinë shoqërore. Por gushti, me listat e shpallura të studentëve, e vrau barbarisht atë. Si i mbyturi, që kërkon një fije floku për të shpëtuar, un përdora atë mjet që ishte dhe mbetet një iluzion tepër zhgënjyes për këdo që kërkon të gjejë sado pak drejtësi, letrat drejtuar autoriteteve më të larta partiake e shtetërore. Kështu, gjatë një viti të tërë, ju drejtova me rradhë Manush Myftiut, Mehmet Shehut,Enver Hoxhës, me shpresë se ndonjeri prej tyre mund të  kryente “mrekullinë” për të më dhënë një të drejtë studimi, në një kohë kur flitej se “ fëmijët nuk duhet të paguajnë fajet e prindërve”. Përgjigjet ishin po ato stereotipe: “Drejtohuni organeve kompetente”, një përzierje cinizmi e talljeje, përgjigje që shumë kush nga brezi im besoj se ka patur rastin t’a marrë vetë në sa e sa kërkesa.

Nuk arrija të pajtohesha në vetvete me këtë mur që më dilte përpara, kacavirresha me thonj e me dhëmbë për t’a kapërcyer, por rrëzohesha e prapë filloja si Sizifi ngjitjen e gurit në majë të malit. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe vetja më dukej si Hamleti në mëdyshjen e tij proverbiale” Të rrosh a të mos rrosh”. Më dukej çdo gjë e kotë dhe vetë jeta pa ngjyrë, sikur më rëndonte mbi shpatulla e në shpirt një peshë e madhe që, nga një çast në tjetrin, mund të m’a merrte frymën. Askush nuk kishte fuqi të më ndihmonte për të plotësuar dëshirën, sa të drejtë aq dhe njerëzore, të studjoja e dijet që do të merrnja t’i vija në shërbim të popullit tim. Un isha një pjesëz e vogël e tij, por më mohohej përkatësia, sepse gjyshi im kishte qënë Kryeministër në kohën e luftës, kur un nuk kisha lindur. Un isha dënuar që pa lindur për të qënë vetëm skllav, kjo ishte logjika kriminale e udhëheqësve të PPSh së, që përcaktonin deri në detaje ecurinë e jetës sime. Kjo ishte shpata e “diktaturës së proletariatit”, që hynte thellë deri në ëndrrat tona, i vriste, i masakronte ato, edhe nëse një citat i Leninit “Duhet t’ëndërrojmë” shkruhej me gërma të mëdha në stendat e shkollave...

Kjo ishte një dhimbje e thellë edhe për prindërit e mij të shumëvuajtur, që dikur kishin folur gjatë se ku do të më çonin për të studjuar, në Oksford apo në Sorbonë. Në atë vit isha bashkuar dhe me babanë që, mbas katërmbëdhjetë vitesh jete burgu, ishte kthyer në shtëpi. Më kishte lënë dy vjeç e më gjente  maturant, me dëshira të mëdha për të hapur rrugën e jetës, por në pamundësi për të bërë gjë për të. Fatin tim e kishin dhe shumë të tjerë që, në kushte të përafërta me të miat, detyroheshin t’i nënështroheshin iluzioneve të humbura në shkretëtirën e padrejtësisë që rrënonte çdo gjë e që ishte vënë në piedistalin e pushtetit.

Në vitin që pasonte, xhaxhai i babait tim, që më mori fëmijë nga kampi i Tepelenës, bëri dhe një përpjekje tjetër. Më mori në Korçë e më regjistroi në vitin e fundit të shkollës pedagogjike “P.N.Luarasi”. Qëndrova në atë shkollë deri më dhjetë nëntor 1961. Mund të them me bindje se ato dy muaj e gjysëm ishin ditët më të bukura të jetës sime gjer më sot. M’u duk se m’u hoq pesha nga shpatullat, ndjehesha i barabartë me shoqet e shokët e shkollës, që shpejt u miqësuan me mua, ndoshta nga që nuk e dinin mirë historinë time. Deshën të më bëjnë dhe antar të organizatës së rinisë. M’u duk se gjeta një oaz gjelbërimi në shkretëtirë; në horizont më përvijohej detyra fisnike e mësuesit në ndonjë fshat, sigurisht të largët, por isha i vendosur të përballoja çfarëdo vështirësie, mjafton që të mos shkëputesha nga librat.

Në pushimin e madh, mbas dy orësh mësimi të datës dhjetë nëntor, drejtori më thirri në zyrën e tij. Aty gjeta një oficer e një polic. Oficeri më tha se vendimi i Komisionit të Internim-Dëbimeve ishte që të kthehesha  pranë familjes në Gradishtë të Lushnjes. Ai komunikim qe si një sopatë e mprehtë që priste sythet e posaçelura të shpresave të mia për të ardhmen. U përshëndeta për herë të fundit me ata shokë e shoqe të shkollës që takova aty. Maqina me dy policë më priste në oborrin e hyrjes dhe hipa në të për të shkuar në shtëpi. Ishte hera e fundit që shkelnja si nxënës oborrin e një shkolle, ishte dita e fundit që mbanja libra shkolle në duar...

Në shtëpi, mes lotëve të dëshpërimit të prindërve të mi të dytë, që më deshën aqë shumë, mora plaçkat dhe librat e mia për t’u futur përsëri në Gazin që më çoi në degën e PB të Korçës. Po atë ditë u nisa për në Lushnjë, duke përfunduar atë natë në Savër tek nëna e gruas së xhaxhait, tek e cila kisha ndenjur, për të kryer vitin e tretë të gjimnazit. Ajo ishte një grua fatkeqe malësore, së cilës diktatura komuniste i kishte vrarë burrin dhe e kishte dergjur kampeve të interrnimit, me tre fëmijë të vegjël, që nga viti 1945. E desha sinqerisht atë plakë të thjeshtë por stoike, që më shtroi me bujari sa e sa herë sofrën e saj e që shkoi e përvëluar nga malli për djalin, që u arratis para njëzet vitesh e të cilin nuk e pa më...

Të nesërmen, në një ditë me shi, u nisa për në Gradishtë në këmbë, mes baltave të fushës. Shiu vazhdonte, qielli ngjyrë gri sintonizohej bukur me gjëndjen time shpirtërore. Tashmë jeta ime ishte përcaktuar. Ajo nuk mundi të rridhte gjëkundi, veçse në shtratin e saj të kampeve të internimit. Nuk kishte forcë në botë t’a ndryshonte këtë rrjedhë...

Vite më vonë, çuditërisht, më ra në dorë një letër e gjyshes sime nga Italia. Ajo tregonte se si ishte munduar me të gjitha mënyrat, duke përdorur gjithë njohjet e saj në instancat e larta të Shtetit italian e të organizmave ndërkombëtare, për të më tërhequr atje për të vazhduar studimet, por pa rezultat. Mbas shumë përpjekjesh, një gazetar francez i ishte afruar dhe e kishte pyetur: “ Zonjë, ju kam parë shpesh në këto zyra, çfarë halli keni?” Gjyshja i kishte spjeguar rastin tim. Përgjigja e tij kishte qënë: “ Më vjen shumë keq, në çfarëdo vendi të Botës do të kisha patur mundësi t’ju ndihmonja, vetëm në Shqipëri nuk mundem. Atje s’ka asnjë mundësi komunikimi. Mos u lodhni kot.”

Ikja ime nga shkolla bëri shumë përshtypje tek bashkënxënësit dhe mësuesit e mij. Të gjithë ata shkuan tek xhaxhai në shtëpi, për të shprehur keqardhjen e tyre. Ju jam tepër mirënjohës atyre të gjithëve për gjestin bujar e të guximshëm që shprehte pa mëdyshje një formë proteste karshi dhunës së verbër të regjimit që godiste pa mëshirë. Ata nuk e njihnin atë, por vendimi i largimit tim për ta ishte i papranueshëm, në raport me sjelljen time karshi tyre.

Grabian, qershor 1990

Vijon.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH