Analizë

Një jetë në diktaturë

Shkruar nga Liberale

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”- NDRE  MJEDA

EUGJEN MERLIKA

I LIRUAR NGA TEPELENA NË GJIRIN E NJË FAMILJEJE TË DYTË

Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi...

Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhëri që fëmijët të liroheshin nga interrnimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhëmshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lotë të hidhur. Ata lotë fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.

Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar  deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjëndje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aqë dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brënda telavet të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brënda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brënda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qënë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo spjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës.

Për “çudi”, mbasi  “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë” për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë vepronin simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!

Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në endin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës  komuniste në ata vite të kobshme.

Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit  të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer  dënimin e tij me burg.

Grabian, qershor 1990

Vijon.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH