Editorial

Një jetë në diktaturë

Shkruar nga Liberale
Një jetë në diktaturë

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

NDRE  MJEDA

Eugjen Merlika

 TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME

Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena... e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar.

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv... Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri.

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave...

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes.

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë.... Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore... Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal...

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna... Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde...”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

Grabian, qershor 1990

Vijon.../Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH