Editorial

Një jetë diktaturë

Shkruar nga Liberale
Një jetë diktaturë

(Kujtime të një “armiku të klasës”)

“Ktu vaji e trishtimi

Veç ndihet ndër shpija

Ktu ndihet tingllimi

I hekrave të mija

E gjama e nji të shkreti

Qi bjen vala e detit.”

NDRE  MJEDA

EUGJEN MERLIKA

DEMASKIMET PUBLIKE NW GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vënd ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë - tridhjetë metra larg  derës së apartamentit.

Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterave kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t'i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t'i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin. Këto shtëpi dykatëshe të

projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor” mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që "uniteti" rreth partisë të ishte më i madh.... Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brënda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave...

Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme "I gjithë populli ushtar". Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e këshillit popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë "zonja" e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e këshillit të bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.

Jeta në interrnim në vitet 80 ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brëndshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një

orë e gjysëm larg nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet. Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Simbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm ose për vizitë mjekësore tek specialisti mund të jepeshin leje. Kjo ishte "vazhdimësia" ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.

Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne servireshim si njerëzit më të këqinj, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s'e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t'i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund... e ky mund zgjatej në pafundësi duke vërtetuar "gojtarinë" e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s'mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejta që shfaqej pastaj në shumë drejtime. Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjes, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin "lart". Mbikqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra.

Për të qenë objektivë duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre duhet t'u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.

Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjëndjes politike të Vendit organizoheshin nga komiteti i partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Proçedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe ia jepte fjalën të deleguarit të komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen  e tij. Këto ishin çaste cfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve” për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që presin se në ç'numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj.

Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe "sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë" i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin "të villnin vrer apo t'i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte...”.

Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt -akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate "A gënjen Partia?", një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.

Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njejtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të "zemërgjerësisë" së Partisë sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të "edukojë".

I bukur edukim, ç'frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme.  Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përlasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.

Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti socialist shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë... Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm.

A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar?

Ç'mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje  për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vënd për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?

Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.

Grabian, Qershor 1991                                                                                       

Fund /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH