Letërsi

“Një javë në Manastir“, Mustafa Nano ka fituar sfidën si shkrimtar

Shkruar nga Liberale
“Një javë në Manastir“, Mustafa Nano ka fituar

Prof. As. Dr. Kujtim Kapllani

Romani “Një javë në Manastir“ i Mustafa Nanos është një sfidë e autorit me vetveten, me trillin artistik dhe me metodën e të shkruarit. E them këtë se bukur mirë ia njohim shtatgjatësinë si publicist; por me këtë roman ai shfaqet krijues i denjë i letërsisë së sotme shqipe. Lashë çdo punë dhe e lexova për dy ditë e gjysmë: kërshëria vjen e rritet nga faqja e parë dhe përmbyllet në faqen e fundit. Nënvizoj këtë, se mjaft librave sot u mungon ndjeshmëria artistike.

Së dyti, fabula lidhet me një ngjarje madhore të kombit tonë: për Kongresin e Manastirit janë bërë studime të shumta, por Mustafa Nano ka guxuar dhe ka arritur që ngjarje dhe rrethana të ndryshme në një hapësirë të ngushtë kohore, t’i veshë me një vello artistike mbresëlënëse. Pak personazheve, ka ditur t’u japë një peshë madhore historike. Me mjeshtëri ka gërshetuar veprimtarinë e shqiptarëve dhe të dashamirëve të kombit tonë. Robert Boltoni dhe Matilda përbëjnë sustën artistike që shkrin në një të vetme gjithë subjektin e romanit. Në roman vërtet ka pak për të treguar, por autori shfaqet si mjeshtër i vërtetë i meditimit.

Së treti, në letërsinë e sotme flitet për kohë kozmike a mitike, për kohë aktuale dhe për kohë subjektive. Me kohë mitike a kozmike kuptojmë një fragment në pikëfillimin, në kohën e shfaqjes së tij a në rrjedhën e përshkrimit. Njëkohësia e përjetimeve tona me dukuri e ngjarje të ndryshme përbëjnë kohën aktuale. Duhet të dimë se edhe dukuri a ngjarje të ndryshme mund të aktualizohen. Më e rëndësishme është koha subjektive, e cila ngërthen edhe kohën aktuale, edhe kohën mitike a kozmike. Sot ka vepra pa fabul, pa personazhe; pra pa subjekt. Në to rrjedh koha si vetëdijë kombëtare historike. Mustafa Nano duket sikur me sukses ecën në drejtim të kundërt, pra anon nga krijimet më të mira të romaneve, ku autori, koha dhe personazhi njëjtësohen. Kumton se, të rikrijosh kuadrin kohor të një ngjarjeje tepër të largët në mënyrë të qëllimshme, duhet një kohë e gjatë. Nëse ai kuadër rikrijohet nga një ngacmim i rastit dhe një sërë përfytyrimesh marramendëse që të shfaqen në çast, kjo është fitore e madhe në kohë. Në një fragment të shkurtër kohor, p. sh. kur Roberti përmend “Besa”, pra emrin e së bijës; sikur na jep në pëllëmbë të dorës gjithçka ndodh në një javë në Manastir, edhe vizitat e studiuesve të huaj në trojet tona, edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët a me perandorinë, edhe marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin. Por pasojat e atyre ngjarjeve, ndërsa lexojmë romanin, sikur i përjetojmë edhe sot, në të dhjetën e sekondës, pas 100 vjetësh!

Sido që të trajtohet, koha është formë e rëndësishme - sa objektive edhe subjektive . Këto elemente e lidhin ngushtë kohën si kategori gramatikore edhe me kohën si formë e ekzistencës së materies, edhe me kohën në fizikë - si përmasë e katërt e trupave.

Së fundi, autori ka përdorur me mjeshtëri simbolikën, dhe këtë nuk e ka bërë si folklorist; por për përgjithësime të mëdha historike. Të tilla janë meditimet e personazheve për Skënderbeun, A. Pashë Tepelenën; bashkëjetesa e shqiptarëve me arumunët, sllavët a bullgarët në kufij të trojeve të njëri-tjetrit; emrat shqiptarë që kishte përzgjedhur Matilda për fëmijën e ardhshëm etj. Autori flet me nderim të veçantë për studiuesit e huaj që nderuan e begatuan kulturën shqiptare me studimet e tyre. Simbolike është edhe vrasja e Fred Poterit, i cili zotëronte shkrime të hershme të gjuhës shqipe. Ajo “e moskuvenduara” gjuha shqipe, siç shprehet Lasgush Poradeci, ka heronjtë e vet jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Edhe albanologu i shquar, N. Jokli, kur e torturuan nazistët dhe e pyetën për kombësinë e shtetësinë, u përgjigj: ”Shqipëria është Atdheu im i dytë”. Edhe kolonel Telini, pas demaskimit që u bëri dredhive të patrikanës me fëmijët e Muzinës, kur vendoseshin kujfijtë me fqinjin  tonë jugor, u maskarua sa kaloi Janinën. Këto na kumton, ndër të tjera romani “Një javë në Manastir(nëntor 1908)” nëpërmjet martirizimit të Fred Poterit. Një krijim i tillë dëshmon se Mustafa Nano ka parimin e tigrit në trillin artistik, i cili nëse nuk e kap prenë që herën e parë, nuk e sulmon sërish.

Fragment nga romani “Një javë në Manastir”

Nga grupi i njerëzve që kishin dalë për të pritur “shqiptarin me ndikim” u dëgjua papandehur zëri i dikujt, që Robertit i erdhi si një blegërimë. I njëjti zë filloi të këndonte dhe Roberti nuk po kuptonte në po bezdisej apo po i vinte për të qeshur. Për sekonda të tëra u dëgjua vetëm zëri i tij bariton. Pastaj atij iu bashkua një i dytë dhe sa ora ndërhynë të tjerët në kor, si me komandë. Nuk këndonin. Thjesht sajonin një murmurimë të fortë, me një “e” të zgjatur e të pandërprerë, që tek-tuk shndërrohej në “a” apo “ë”, mes së cilës, zëri i këngëtarëve bëhej çuditërisht i këndshëm. Ai kor ishte si një orkestër e zhurmshme që i ndihmonte këngëtarët të fshihnin papërsosmëritë e tyre.

-Është këngë toske, – ndërhyri Grigori, kur pa se Roberti u mat të pyeste. – Për këngëtarin që dëgjohet mbi të tjerët thuhet se “ia merr këngës”. Për tjetrin, që i bashkohet, thuhet se “ia pret”. Sfondi zanor që krijojnë të tjerët me atë “ë”-në e pandërprerë quhet “iso”.

-Cila është përmbajtja e këngës?

Teksa po shihte Grigorin që mrrudhi ballin në një përpjekje për të kapur fjalë e fraza, kuptimi i të cilave dukej sikur tretej e mbytej prej largësisë e prej korit kakofonik të burrave, Roberti po sforcohej t’i bënte bashkë parehatinë e tij fizike, atë stacion pothuaj të shkretuar treni, orën e natës, dhe ata burra që këndonin një këngë të çuditshme, në një gjuhë të çuditshme, për të cilën mendonte se nuk mund ta mësonte kurrë. Ia kishte thënë atë gjë edhe Matildës, kur e kishte dëgjuar të fliste shqip nëpër shtëpi. Nuk kishte ditë të mos përsëriste, për t’i memorizuar, fjalë e fraza që i kishte hedhur në shënimet e veta. “Është gjuhë si gjithë të tjerat,” ia kishte kthyer ajo. Por??- Robertit nuk i mbushej mendja. Disa tinguj të shqipes i dukeshin të pashqiptueshëm. I ngjante me një gjuhë parake.

-Është një këngë që po e sajojnë në këtë moment. Flasin për vjeshtën e ftohtë e për Kongresin e Alfabetit, – ia bëri Grigori. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH