Kryesore

Një “hedhje” në kompleksin e kohës

               Publikuar në : 18:33 - 15/02/21 liberale

-Për  librin  “Tri  novela” (Hedhja, Bija e vjetër e nënës së re dhe  Kompleksi)  të shkrimtarit Preç Zogaj

Nga Erjon Muça

“Nëse në një pyll rrëzohet një pemë dhe akush nuk e dëgjon, ajo nuk bën zhurmë”. (Berkeley)

Librin “Tri Novela”  të Preç Zogajt,  botuar në Tiranë  nga  shtëpia botuese Uetpress në nëntor të vitit 2020, ka mbi dy muaj që e kam lexuar, por kam nguruar të ulem e të shkruaj diçka.

Për më shumë se një arsye. Të gjitha arsye teknike, e aspak etike; nëse ndokush rrudh buzët për këtë shkrim timin të radhës mbi një tjetër vepër të Preç Zogajt, s’më bën as ngrohtë e as ftohtë. Arsyet e mia ishin thjesht tek qasja që duhet t’i jepja shkrimit. Nuk doja që ky të shihej as si shkrimi kritik i një shkruesi, e as si shkrim  elozhik i një adhuruesi. Megjithëse nuk ka asgjë të keqe të lexosh ç’ka më tepër të pëlqen dhe të shkruash për të. Apo  të heshtësh për ç’ka nuk  të ngacmon, pa qenë nevoja të  përhumbemi nëpër labirinte sharjesh dhe kritikash. Vlerat dhe antivlerat, në botën tonë të vdekshme, janë tepër relative. Siç thoshte Wilde: “Nuk ka libra moralë dhe libra imoralë, por libra të shkruar mirë dhe libra të shkruar keq”. E nga ky këndvështrim, Preç Zogaj shkruan mirë.  Librat e tij janë të shkruar mirë. Kjo, në varësi të pashmangshme të subjekteve që ai zgjedh.

Këtë shkrim nuk dua ta zhvilloj vetëm si këndvështrim i një autori  ndaj një vepre të një  autori tjetër. Siç mund të duket nga perspektiva e një lumi apo përroi të rrëmbyer malor, një lum i gjerë dhe i paqtë  fushor; nga perpektiva e atij që ia përplas me dhunë ujin e vet shkëmbinjve, duke e shpërndarë atë në mijëra stërkala shkumëzuese, dallga ledhatuese e tjetrit që duket sikur këto shkëmbinj kërkon t’i ledhatojë e aspak t’i dhunojë; nga perspektiva e përrroi që ua merr mendjet vëzhguesve me uturimën e vet dhe me vorbullat që krijon ndaj një lumi, lëvizshmërinë e  të cilit jashtë tij as që e vëren, por  duhet të lundrosh me të, që ai të  të paraqesë paqtinë e peisazheve që kundron ngaherë. Atëherë edhe ti si lexues do i kundrosh me të.

Nëse nuk e ke librin e parë që lexon nga Preç Zogaj, e kupton se nga pikëpamja stilistike  në këto novela  është stil i tij, i zhvilluar dhe përforcuar me dekada.  Kam ndërmend vëllimin e tij të  hershëm po me novela, ” Shëtitorja”.

E megjithatë, mua si shkrues, si një nga ithtarët e shumtë të perëndeshës “efimere”  Letërsi, më tërheq më tepër filozofia që lundron në këtë lumë  në prozë,  sesa konturet e shtratit të këtij lumi. Carlo Roveli, një nga ekspertët e epërm italianë të fizikës kuantike mbron teorinë që koha nuk ekziston. Madje edhe Albert Einstein pohonte që koha është relative; vlerën e vetme që ka, ia jep ajo ç’ka ne bëjmë ndërsa ajo shkon.  Tjetër është  koncepti fiziko-filozofik për kohën që  kanë  këta mendje të mëdha të  shkencës dhe tjetër  është koncepti I kohës në letërsi, për të ciliën janë shkruar shumë  artikuj, ese, studime. Dhe unë,  nisur nga koncepti letrar për kohën,  do t’u bie ndesh, me vetëdije, pohimeve se koha nuk ekziston të  dy personaliteteve të lartpërmendur. Por pa më thoni: Cili është ai  shkrimtar që nuk ka guxuar kurrë të kundërshtojë  realen, duke krijuar hipotetikisht një tjetër realitet, pse jo, shumë më elektrizues se i vërteti në kuptimin material të fjalës?! Këtë shtysë, madje ndihmesë për të menduar kështu,  ma jep edhe subjekti që përzgjedh Preç Zogaj për novelat e veta. Në këto novela, për më tepër tek ajo  me titullin  “Hedhja”, pata ndjesinë e ekzistencës së kohës, ekzistencës së reales.  Deri këtu, nuk ka asgjë të veçantë.

Mirëpo si vjen kjo kohë, si përjetohet ky realitet? Kjo është çështja, kjo është e veçanta. Nuk e di nëse jam i  pari  apo ka pasur edhe të tjerë që e kanë ndierë   të veçantën e  përjetimit të realitetit në  novelat e Zogajt. E pikërisht, kur arrita ta ndieja,  në një bisedë telefonike i thashë Preç Zogajt tekstualisht: “Librin e lexova dhe me bindje ta them që ky libër ka për të kaluar në heshtje, kjo jo vetëm për cinizmin që na karakterizon si njerëz, por edhe për një arsye tjetër”.  Këtë arsyen tjetër nuk ia thashë atëherë, ngaqë akoma nuk isha në gjendje ta formuloja. Ndërsa tani po, dhe vendosa ta bëj publike përpara se t’ia shprehja vetë autorit Zogaj.

Tani atë  mosegzistuesen kohë të  Roveli-t dhe relativen  kohë të Einstein-it merreni për të qenësishme, të gjallë, krijuar nga ne me emrin realitet dhe  predikatin reale; trajtojeni si diçka aspak efimere, pra si diçka të  paqëndrueshme  që nuk ngjat, por si  jetësore dhe këtë përceptim  vendoseni në krahun e kundërt nga ku jemi mësuar ta mbajmë. Pra, mendoni sikur nuk është as shkrimtari dhe as personazhi, që ndjekin e vështrojnë  realitetin për ta zbërthyer dhe për t’i dhënë një shpjegim apo dimension tjetër. Por  është realiteti që vështron shkrimtarin  dhe personazhin e në bazë të qëndrueshmërisë apo lëvizshmërisë së tyre ndryshon shëmbëlltyrë, duke zbërthyer personazhin dhe pse jo, edhe shkruesin. Nuk është pasqyra që pasqyron, por njeriu që ndryshon dukshmëritë në vartësi të tyre. Me anë të këtij mekanizmi merr forcë, shkëlqim dhe meskinizëm si element tërheqes letrar, e gjithë tabloja e novelës “Hedhja”.  Rënia  nuk zhurmon, është zhurma që shkakton rënien. Realiteti i ndryshon njerëzit, ata janë tepër të pafuqishëm të bëjnë të kundërtën. Ashtu si personazhja kryesore  me emrin Mirela zgjedh largimin ngaqë nuk mundet të ndryshojë të pandryshueshmen, ndonëse nuk rresht së provuari deri në fund. Në pyll një pemë u rrëzua, por askush nuk e dëgjoi, askush nuk e pa, ndaj edhe ajo nuk bëri zhurmë; kaloi vetëm si një konstatim rrëzimi ndër lajmet njerëzore. Ndërsa  zhurma po, ajo e bëri rrëzimin e vet; bëri të rrëzohej atë ç’ka realisht nuk ra. Ja pra sesi me anë të një subjekti, vështruar nëpëmjet syve të realitetit, pohimi i Berkeley-t  cituar në  fillim të këtij shkrimi,  konfirmohet, merr  jetë.

***

Duke lexuar novelat e Zogaj “Hedhja”, “Bija e vjetër e nënës së re” dhe “Kompleksi”  përfton ndjesinë se diçka i përgjon, si personazhet, ashtu edhe autorin; personazhet duken sikur radhë pas radhe kërkojnë të kuptojnë se kush apo çfarë po i vrojton; janë të gjithë në pritjen e një ndodhie, si në ankth, ndonëse pa shkas. E më pas kjo sindromë transferohet edhe tek lexuesi. Ajo lëvizja e njëtrajtëshme, e ngadaltë por e pandalshme e atij lumit që sipërpërmenda, ka si qëllim pikërisht këtë artific: ti sheh po të njëjtën pemë nga tre këndvështrime të ndryshme por pa ndalur kurrë, ndaj të duket sikur nuk je ti apo lumi që lëviz por është pema që rrotullohet. E gjithë kjo është simotër me teatrin, me teatralitetin, por, mes aktorëve dhe shikuesve qëndron ulur një perde e hollë e tejdukshme. Madje ka edhe një perde që mbështjell bashkëshikuesit dhe aktorët; aktorët nuk i shohin spektatorët, ndërsa spektatorët po, por nga perdja tjetër, ajo që mbështjell të gjithën. Askush nuk sheh asgjë, por kanë bindjen se dikush tjetër po i vështron. E ja ku, duke kërkuar hamendësimin mbi atë  çka fshihet pas perdes, pa e dëshiruar aspak, personazhet i kaplon kompleksi; ky jo si një i vetëm, por si një shumësi e bashkuar në një. Ndoshta këtu ka nevojë për një shpjegim. Ne jemi mësuar t’i klasifikojmë komplekset dhe duke e thënë kështu, në numrin njëjës, duket sikur e minimizoj. Mirëpo shikojeni nga ky këndvështrim, merreni në konsideratë kompleksin si një krijesë të gjallë, si një njeri,  qenie e plotë, e vetme, por e krijuar nga miljona krijesa të bashkuara në një. Ndaj dhe kur them “kompleksi” nënkuptoj komplekset, të gjitha në një; është ajo perdja prej të cilës diçka na vëzhgon, por që ne nuk arrijmë ta shohim se çfarë apo kush është. Komplekset janë gishtërinjtë e kohës që na prekin, i ndjejmë, por nuk i shohim, e për pasojë vuajmë. Pikërisht këtë vuajtje, mundohet të na shfaqë autori, nëpërmjet rreshtave të novelave të veta.

Prekja e kohës ndihet jo vetëm te novelat, “Hedhja” dhe “Kompleksi” që janë dy subjekte “sui generis”, bazuar mbi krijesën njerëzore në përgjithësi, por edhe te novela “Bija e vjetër e nënës së re”, që është një subjekt shumë më intim. Subjekti i kësajë novele është tepër i çuditshëm. Ndoshta epiteti “i çuditshim” nuk është edhe aq i përshtatshëm. Në fakt unë doja të thoja, që  ndërsa e lexon, të paktën unë, u çudita teksa kuptoja këtë intimitet të autorit me subjektin, që  evokonte tek unë vizione intime të miat thuajse të njëjta. Kur them intime, nuk duhet të mendoni se kjo është një histori plotësisht reale, ngaqë po të ishte e tillë, nuk do kishim letërsi, por një krijesë letrare mbështetur në vizione të palëvizshme nga vetëdija. Migjithatë, unë sërish dua të them i çuditshëm, ngaqë si krijim i ngjason jo pak atyre njollave të Rorschach.

Vizione që nuk të përkasin por që evokojnë të tuat. Pak a shumë si loja që bëjnë ëndrrat me psikën tonë; mes imazheve të ngatërruara fshehin atë ç’ka na vrojton. Duket sikur grimca të paprekshme kanë mbushur atmosferën që na rrethon; jo grimca ajri, por grimca kujtimesh, humbjesh dhe fitoresh. E këto grimca, në masa të ndryshme mësyjnë vetëdijet tona; nga prindi tek shkruesi, nga shkruesi tek lexuesi, ky i fundit gjen grimcat e veta mes kësaj shumësie e ndihet i vrojtuar nga Koha. Ndoshta koha nuk duhet për të studiuar të fshehtat e universit sipas Rovelit; mirëpo për të studiuar universin njerëzor, ajo është më e domosdoshmja. Pa asnjë dyshim, falë mbarsjes me grimca kalese me të cilën koha është e fekonduar, të gjithë personazhet që popullojnë novelat e Perç Zogajt  dhe hap pas hapi edhe lexuesi, ndihen bij të vjetër të prindërve të rinj. Ja pra se si koha ekziston, duke qenë e qëndrueshme megjithëse lëvizëse, aspak relative në bazë të asaj ç’ka ne bëjmë ndërsa ajo shkon, por në bazë të asaj çka ajo na bën ndërsa ne shkojmë…/Gazeta Liberale

 

 

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back